Gjakovapress

Tryeza shkencore kushtuar 70-vjetorit të Konferencës së Bujanit

Bujani tryezaNë kuadër të shënimit të 70-vjetorit të Konferencës së Bujanit , e mbajtur më 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944, kur përfaqësuesit e Luftës Nacional Çlirimtare të Kosovës miratuan Rezolutën me të cilën popullit të Kosovës i njihej e drejta e vetëvendosjes, për fatin e vet, në bazë të pjesëmarrjes në luftën çlirimtare në anën e Aleancës së Bllokut Antifashist, sot në ambientet e Kuvendit të Kosovës u mbajt një tryezë shkencore kushtuar kësaj ngjarjeje madhore kombëtare.

Tryeza shkencore, e cila u organizua nga Shoqata e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare të Kosovës u mbajt nën patronazhin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ndërsa merrnin pjesë me kumtesat e tyre historianë , akademikë, publicistë dhe protagonistë të ngjarjeve të LNÇ-së nga Kosova dhe Shqipëria.

Tryezën shkencore e hapi kryetari i Shoqatës së Veteranëve të LANÇ, Vehap Shita, i cili në fillim theksoi se Rezoluta e Konferencës themeluese të Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës (31 dhjetor 1943 e 1 dhe 2 janar 1944 në territorin e çliruar në fshatin Bujan të Malësisë së Gjakovës), me të cilën Kosovës i njihet e drejta e vetëvendosjes deri në shkëputje dhe shqiptarëve realizimi i dëshirës së tyre shekullore për bashkim me Shqipërinë – me njohje kombëtare e ndërkombëtare – ishte platformë dhe fitore e madhe e LANÇ, e cila nuk mund të tjetërsohet as të shlyhet me kurrfarë mjetesh institucionale as jashtë institucionale, edhe për faktin se është arritur në Luftën e Dytë Botërore. Në mbështetje të saj ishte edhe kushtetuta e Kosovës e vitit 1974, dhe Deklarata Kushtetuese e Kaçanikut e vitit 1990, si dhe Referendumi i vitit 1991.

Në bazë të së drejtës së vetëvendosjes, të fituar e të njohur nga aleatët e Bllokut Antifashist në kohën e Luftës Dytë Botërore, e mbi këtë bazë dhe me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ndihmën e NATO-s u dëbuan përfundimisht nga Kosova forcat okupuese ushtarako-policore serbe në qershor të vitit 1999 dhe në shkurt të vitit 2008 u shpall pavarësia e Kosovës Republikë – shtet i lirë sovran e demokratike.

“Mbi këtë bazë jemi të bindur se do të arrihet njohja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha shtetet demokratike të botës dhe Kosova do të zërë vendin e vet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara e në organizatat e tjera ndërkombëtare”, theksoi Vehap Shita.

Gjurmë dhe hulli të thella edhe në historinë tonë të lavdishme e të dhimbshme njëkohësisht

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi në fillim theksoi: “Sot, në hapësirat e Kuvendit të Republikës së Kosovës, na ka bërë bashkë, kujtimi për Kuvendin e Bujanit dhe Rezolutën e tij për bashkimin e kombit shqiptar. Kuvendi është mbajtur këtu e ’70 vjet më parë, përkatësisht më 31 dhjetor 1943 e 1 e 2 janar 1944 në Kullën e atdhetarit Salih Mani, në fshatin Bujan të Tropojës. Për të ardhur të Kuvendi i sotëm i Republikës së Kosovës, popullit tonë i është dashur një rrugë e gjatë dhe e mundimshme, kjo rrugë është përcjell me dhimbje e sakrifica të mëdha të cilat kanë lënë gjurmë të thella në kujtesën historike të popullit shqiptar, kanë lënë gjurmë dhe hulli të thella edhe në historinë tonë të lavdishme e të dhimbshme njëkohësisht.

Kuvendet shqiptare duke filluar nga ai i Lezhës i udhëhequr nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Kuvendet e Matit (1596-1602) dhe Kuvendi i Kuçit (1614) që i tejkalonte kufijtë e shqiptarëve (e kishte karakterin ndërballkanik), Kuvendi i Prizrenit përgatitur dhe i organizuar nga Rilindësit e mëdhenj të cilët i kristalizuan kërkesat e kombit shqiptar për një gjuhë, për një komb dhe një atdhe e shtet shqiptar, Kuvendi i Junikut i thirrur nga Luftëtarët e pavarësisë së Shqipërisë me Hasan Prishtinën në krye dhe Kuvendi i Bujanit i organizuar nga udhëheqësit e Njësive Nacionalçlirimtare të Kosovës e të Shqipërisë, janë parahistoria e lavdishme e historisë sonë moderne, janë pararendësit e këtij Kuvendi të Republikës së Kosovës së sotme. Këto kuvende edhe pse të mbajtura në kohë të ndryshme, në rrethana të ndryshme, të përbashkët kanë pasur: bashkimin e mobilizimin e popullit shqiptar, për çlirimin dhe bashkimin, në mesjetë të kombësisë shqiptare e më vonë, në kohën e re të kombit shqiptar.

I tërë përqendrimi ynë sot, më të drejtë i është kushtuar Kuvendit të Bujanit, mbajtur para 70 vjetësh dhe i cili pretendonte më të drejtë të korrigjonte pjesërisht një padrejtësi historike që i ishte bërë kombit tonë këtu e 100 vjet më parë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Në atë Konferencë, në emër të ruajtjes së paqes në Evropë, ishin sakrifikuar më shumë se gjysma e tokave edhe e popullit shqiptar të cilët do të mbesin jashtë trojeve të Shqipërisë Londineze. Me ato vendime të padrejta shqiptarët nuk janë pajtuar kurrë. Për t’ju bërë një korrigjim të pjesshëm atyre vendimeve, kombit tonë iu deshtë një luftë më se një shekullore, në të cilën luftë nuk munguan as sakrificat e flijimet e shumta. Pa atë luftë të vazhdueshme, herë të hapët e herë të fshehtë, pa gatishmërinë e njerëzve tanë për sakrifica e flijime të shumta ne, nuk do ta arrinim këtë që e kemi sot – Republikën e Kosovës të lirë, sovrane dhe demokratike” ,theksoi kryekuvendari Krasniqi.

Duke përfunduar fjalën e tij kryekuvendari Krasniqi falënderoi përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit, ndërsa u shpreh se për mosrealizimin e Rezolutës se Bujanit, nuk ishte faji i shqiptarëve, ndonëse nuk munguan as ata që i mbeten besnik vendimit të Rezolutës për bashkimin e shqiptarëve. Me gjithë sukseset që janë arritur edhe me luftën e fundit të UÇK-ës të udhëhequr nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, dhe shpalljen e pavarësisë me 17 shkurt 2008, drejtësia për shqiptarët nuk është realizuar në plotëni, tha kreu i legjislativit të vendit.

Angazhime të veçanta që në punimet e Bujanit të marrin pjesë sa më shumë intelektual të kohës

Rrahman Parllaku, kryetar i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të LNÇ të Shqipërisë, Konferencën e Bujanit e vlerësoi si një ngjarje madhore për gjithë hapësirën shqiptare. Pjesëmarrësit e kësaj ngjarjeje historike ai i quajti largpamës, të cilat, ashtu si edhe populli i Malësisë së Gjakovës, Kulla e Sali Manit dhe mbarë dëshmorët e rënë për liri meritojnë respekt të veçantë. Ai në vijim foli edhe për Planin e Çubrilloviqit që kishte për qëllim shpërnguljen dhe shfarosjen e shqiptarëve, që u dëshmua me masakrat në Drenicë dhe në Tivar. Ai i bëri një vështrim edhe kontributit që dhanë shqiptarët e Shqipërisë edhe për çlirimin e viseve të Kosovës, të Sanxhakut dhe më gjerë nga pushtuesit gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe për kontributin e Fadil Hoxhës për bashkimin e popullit shqiptar dhe rreshtimin e tyre në Aleancën e madhe të udhëhequr nga SHBA-ja kundër nazistëve.

Në fjalën e tij akademik Pajazit Nushi i bëri një analizë të hollësishme Konferencës ë Bujanit. Në këtë vështrim ai rikujtoi se udhëheqja e kësaj Konference, si: Zekerija Rexha, Xheladin Hana, Hajdar Dushi treguan një angazhim të veçantë që në punimet e saj të marrin pjesë sa më shumë intelektualë të kohës. Në këtë aspekt ai përmendi Gjimnazin e Shkodrës , nga i cili dolën kuadro që prinin në luftën për liri. Për Konferencën e Bujanit, tha ai, ka pasur interpretime e vlerësime të ndryshme, por asnjëherë nuk është mohuar qenia e vërtetë e saj, asnjëherë nuk ka mundur të mohohen vendimet e saj. Ai kujtoi në këtë frymë dijetarin e mirënjohur Branko Horvat, i cili kishte theksuar se vendimet e Konferencës së Bujanit nuk mund të shlyhen.

Në kumtesën e saj studiuesja Ana Lalaj i bëri një vështrim çështjes së mospjesëmarrjes së shqiptarëve në punimet e AVNOJ-it, duke sjellë një varg hollësish e faktesh lidhur me këtë. Ajo përmendi edhe faktin se Svetozar Vukmanoviq Tempo i kishte propozuar Titos që edhe shqiptarët të marrin pjesë në punimet e AVNOJ-it. Ndërkaq, duke folur për vendimet e Konferencës së Bujanit ajo theksoi se kjo konferencë ishte një aksident për Partinë Komuniste të Jugosllavisë, pasi atë nuk e përgatitën nacionalistët shqiptarë, siç mund të pritej dhe as Komanda Gjermane. Konferenca e Bujanit, tha ajo, u organizua nga komunistët shqiptarë të Kosovës, të cilët kishin pranuar udhëheqjen e PKJ-ës, por ata nuk ishin dy bashkudhëtarë të harmonizuar. Në luftën kundër pushtuesve nazi-fashistë rruga e tyre ishte e përbashkët, por për çështjen nacionale rrugët e tyre ndaheshin. Komunistët shqiptarë të Kosovës synonin shkëputjen e Kosovës nga Jugosllavia , kurs udhëheqja e PKJ-ës synonte ruajtjen e Jugosllavisë.

Konferenca e Bujanit përbën njërën nga ngjarjet më të rëndësishme jo vetëm të kohës së Luftës II Botërore, por edhe të tërë historisë së re të Kosovës

Juristi Zija Mulhaxha, duke folur në temën “Tiparet dhe objektivat e LANÇ-it të popullit të Kosovës”, tha se Konferenca e Bujanit shënon një ngjarje të rëndësishme të historisë së popujve të Kosovës, e veçanërisht të popullit shqiptar. Kjo konferencë dhe vendimet e saj, shtoi ai, kanë rëndësi të madhe për ngjarjet që kanë ndodhur me miratimin e Rezolutës me të cilën Kosovës i njihet e drejta e vetëvendosjes deri në shkëputje nga Jugosllavia, përkatësisht Serbia, e cila e kishte okupuar atë në luftërat ballkanike të viteve 1912-1913.

“Me këtë rezolutë, si dihet, shqiptarëve të Kosovës u njihej e drejta e bashkimit kombëtar me shtetin amë, Shqipërinë. Ngjarjet që i kanë paraprirë kësaj konference dhe ato që kanë pasuar pas saj, janë rezultat edhe i angazhimit të popullit shqiptar në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare”, theksoi ndër të tjera Mulhaxha.

Në kumtesën e tij me temën “Lufta e Dytë Botërore dhe LANÇ-i i Kosovës”, Fehmi Rexhepi u ndal në faktorët dhe rrethanat që ndikuan në zhvillimet kontraverse shoqërore, politike dhe ekonomike në botë pas Luftës së Parë Botërore, me krijimin e dy blloqeve antagoniste të cilat çuan drejt konfliktit më të madh të njerëzimit të të gjitha kohëve. Ai foli, gjithashtu, për fillet e organizimit antifashist dhe udhëheqjen e LANÇ-it në Kosovë, rolin e intelektualëve nga Shqipëria në sensibilizimin e popullsisë për luftë kundër fashizmit, masivizimin e luftës antifashiste pas Konferencës së Bujanit dhe çlirimin e Kosovës nga fashizmi etj.

Në fjalën e tij, prof. dr. Zejnullah Gruda, tha se Konferenca e Bujanit përbën njërën nga ngjarjet më të rëndësishme jo vetëm të kohës së Luftës së Dytë Botërore, por edhe të tërë historisë së re të Kosovës. Gruda tha se Konferenca e Bujanit kishte artikuluar në mënyrën më të mirë, si kurrë me parë e as më pas, aspiratat e të gjithë patriotëve shqiptarë për liri dhe bashkim kombëtar, dhe në këtë konform mësimeve të mendimtarëve dhe të burrështetasve më të shquar të historisë së re të botës dhe praktikës politike të pjesës së dytë të shekullit XIX dhe pjesës së parë të shekullit XX.

“Kjo Konferencë, protagonistët e saj, si dhe insistimi i tyre për të drejtën e vetëvendosjes dhe bashkimit me Shqipërinë, kanë qenë objekt i vlerësimeve të ndryshme jo vetëm misi shteteve, por edhe midis vetë shqiptarëve dhe ka pasqyruar afinitetet klasore, ideologjike, kombëtare dhe shtetërore etj., që nuk i kanë shërbyer trajtimit objektiv të çështjes”, tha ndër të tjera në fjalën e tij, prof. Gruda.

Shtypi i kohës në shërbim të lirisë së vendit

Prof. dr. Jusuf Bajraktari, i bëri një trajtim të gjithanshëm Konferencës së Bujanit dhe rolit të saj mobilizues për pjesëmarrjen e popullit shqiptar në luftën për liri, përkrah forcave të Koalicionit Antifashist. Ai foli edhe për zhvillimet në Kosovë deri në Kuvendin e Prizrenit. Në fjalën e tij, ai po ashtu tha se Konferenca e Bujanit, edhe pas 70 viteve reflekton fuqishëm në rrjedhat e zhvillimeve në Kosovë.

Publicisti Veton Surroi, ndërkaq, u fokusua në refleksionet e kësaj konference në të sotmen. Nga Konferenca e Bujanit, tha ai, mund të mësojmë për kontinuitetin historik, aksidentalitetin historik, të qenit në valët e drejta të historisë, legjitimitetin e rezolutës dhe disbalancin historik.

Për mbijetesën dhe funksionimin e arsimit në Republikën e Kosovës, foli prof. dr. Muhamet Bicaj. Ai tha se Konferenca e Bujanit, pati jehonë të madhe në zhvillimet e mëtejme shoqërore – politike në Kosovë, e në veçanti në fushën e arsimit si prioritet kombëtar. Ai vlerësoi se prioritetet e arsimit të asaj kohe në Kosovë, janë realizuar në përpikëri.

Lidhur me jetën kulturore, artistike e shkencore në vitet e okupimit 1990- 1999, foli prof. dr. Fazli Syla. Ai në kumtesën e tij me këtë rast tha se jeta kulturore dhe shkenca e Kosovës, gjithnjë ka qenë e lidhur me rrjedhat historike, me ngritjet e rëniet, varësisht nga rrethanat politike.

Lidhur me informimin si faktor mobilizimi për çështje kruciale të luftës e të çlirimit, në këtë tryezë foli publicisti, Nehat Islami. Ai u fokusua në rolin mobilizues të gazetave të kohës për luftë e çlirim në Kosovë. Gazetat e kohës, tha ai, kanë nxjerrë përfundimin: ” Kosova do të ketë mundësi të caktojë fatin e vetë si rezultat i luftës kundër pushtuesit”.

Në përmbyllje të kësaj tryeze, akademik, Pajazit Nushi, nënkryetar i Shoqatës së Veteranëve të LANÇ-së në Kosovë, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në punimet e kësaj tryeze. Ai lexoi edhe konkluzionet e nxjerra gjatë punimeve të tryezës, për të cilat tha se do të publikohen në një punim të veçantë.

Exit mobile version