Këtë tryezë e ka hapur kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari Lila, e cila në fjalën e saj pos tjerash tha se “ Përkundër bujës mediale dhe tendencës që jetën dhe veprën e një figure siç ishte Fadil Hoxha ta interpretojnë në forma të ndryshme, ne mbesim të vendosur që të përfillim respektin e banorëve të Komunës së Gjakovës që kanë për kontributin e tij të çmuar . Kujtojmë fillet e ndërtimit të shtetit tonë që kanë kulmuar me kushtetutën e vitit 1974, ku Kosova bëhet njësi e barabartë me gjithë republikat e ish-Jugosllavisë”
Kusari Lila ka kujtuar se komuna ka në dispozicion një peticion me 5000 nënshkrime për ngritjen e shtatores së Fadil Hoxhës, numër ky që në asnjë mënyrë nuk mund te injorohet.
Vendimi për ngritjen e shtatores është marrur nga Kuvendi Komunal në vitin 2013 me votat e shumicës së këshilltarëve të mandatit të kaluar dhe këtë vendim po e jetësojmë, pikërisht me përcaktimin e lokacionit për ngritjen e shtatores . .
Sipas akademik Pajazit Nushit, jeta dhe vepra e Fadil Hoxhës është aktualizuar dhe duhet të kujtojmë se në atë kohë në Kosovë idetë dhe aktivitetet ishin të painstitucionalizuar, mbi nëntëdhjetë përqind të popullatës ishin analfabetë, Kosova ishte gjysëmfeudale dhe se Fadil Hoxha synonte çlirimin e përbashkët dhe bashkimin me Shqipërinë. Më vonë, pati kthesa juridike pasi nga statusi i krahinës Kosova u avancua në statusin e autonomisë, nga një Kosovë gjysëmfeudale u shndërrua në Kosovë gjysëmindustriale.
Vehap Shita, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të LANÇ-së, ka thënë se rreshtimi i Kosovës në bllokun antifashist ka bërë që Kosova të mos zbrazej dhe të pastrohej etnikisht sipas projekteve të Serbisë dhe të ndahej nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia.
Ndërkaq, akademik Jusuf Bajraktari nga këndvështrimi i tij historik ka pohuar se “ duke spikatur të vërtetat e LANÇ-së, nuk ka qenë lineare por me interesa të ndryshme, përfshirë edhe ato të shovenizmit serb. Ndërkaq, njeriu, komandanti, luftëtari dhe politikani Fadil Hoxha dha kontribut historik 50 vjeçar që i ka tejkaluar edhe suazat kombëtare. Ndërkohë, luftonte shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi dhe deklarimin e tyre si turq. Këtë e dëshmon edhe veprae tij simbolike “Jemi në shtëpinë tonë” që tregonte se Fadil Hoxha ishte njëri prej intelektualëve të kohës duke dhënë kontributin e tij edhe në unifikimin e gjuhës letrare shqipe ndërsa moto e tij ka qenë “nga abetarja deri te universiteti dhe akademia e shkencave”.