Udhëtime vere, Ulqini
TE KALAJA E ULQINIT-PUSHIME TË KËNDSHME VERORE
Vera ka ardh me temperature të larta dhe vapë. Qendrat turistike bregdetare janë në “formë” të kuvendimeve më të shpeshta. Një pjesë e bashkëqytetarëve tanë tashmë po kalojnë pushimet verore nëpër qendra të ndryshme turistike në Shqipëri , Mal të Zi, Turqi e gjetiu. Derisa Velipoja dhe Shëngjini aktualisht prijnë për vizitorët nga Gjakova, ka filluar të ketë numër më të madh edhe Jugu i Shqipërisë dhe Ulqini.
Drejtues komunal dhe të turizmit Ulqinak, kanë bërë me dije se kjo qendër turistike këtë vit është e gatshme për të përballuar fluksin e mbi 100 mijë vizitorëve, kryesisht kosovar. Agjencionet turistike të Gjakovës kanë njoftuar se gjatë gjithë sezonit veror, përmes autobusëve të vet, do të mbajnë linjat e rregullta në të gjitha pikat turistike nga Ulqini, Velipoja, Shëngjini, Durrësi e Saranda. Gjatë verës revista Gjakovapress do të bëjë ca udhëtime nëpër disa qendra turistike. Kësaj radhe, pas Velipojes vjen Ulqini…
Përveç ujit, dellit e rërës,Ulqini këtë vit ofron kushte shumë më të mira se sa viteve të kaluara. Krahas kësaj, gjatë kësaj sezone në këtë vend turistik është rritur edhe niveli i sigurisë, pastërtisë, si dhe furnizimi me ujë dhe energji elektrike.
Komuna e Ulqinit dhe Organizata e Turizmit në Ulqin kanë bërë përgatitje maksimale për të tërhequr sa më shumë turistë, sidomos ata nga Kosova.
Drejtuesit e Komunës së Ulqinit, kanë thënë se kanë përmirësuar dukshëm pastërtinë, sigurinë dhe kushtet të cilat ofrohen në sektorin privat dhe në atë hotelierë. E sa i përket banimet, sipas të dhënave të kësaj komune, sivjet vetëm banimi privat ofron 100 mijë shtretër. Po ashtu, edhe infrastruktura dhe kushtet e hoteleve janë përmirësuar dukshëm.
Kryetari i Ulqinit, Fatmir Gjeka gjatë një konference me gazetarët nga Kosova në Ulqin, ka thënë se si komunë janë duke u angazhuar maksimalisht që pushuesit në Ulqin ta ndiejnë dhe përjetojnë maksimalisht pushimin e tyre. Sipas tij, është bërë përmirësimi i furnizimit me ujë, e po ashtu ai thotë se kanë bërë edhe disa rregullime të tjera.
Por Gjeka, pavarësisht gjithë kësaj që kanë bërë, thotë se ka mbetur ende për t’u bërë, sidomos në infrastrukturën rrugore në mënyrë që ardhja e pushuesve të jetë me e lehtë. Ai ka treguar se 80 për qind e pushuesve në Ulqin janë nga Kosova dhe diaspora kosovare.
“Ofertën turistike të Ulqinit e kem prezantuar nëpër panaire të ndryshme duke përfshirë edhe Prishtinën, pasi që Kosova është tregu kryesor për Ulqinin. Ne presim që për një periudhë të gjatë Ulqini të jetë destinacioni kryesor për pushime i kosovarëve”, tha ai.
Numri i turistëve këtë vit, sipas tij, pritet të jetë më i madh.
“Kemi krijuar kushte të mira për turistët, kemi përmirësuar pastërtinë, furnizimin me ujë dhe rrymë dhe besojmë se këtë vit numri i turistëve të kalojë mbi 200 mijë persona”, tha kryetari Fatmir Gjeka.
Ai thekson se pas takimeve që kanë pasur me hotelet dhe ofertuesit e tjerë të shërbimeve janë pajtuar që çmimet të mos lëvizin.
I pari i Ulqinit, i cili para pak muajve ka marr këtë post, ka treguar se vitin tjetër do të fillojnë të ndërtojnë edhe pjesën e rrugës së mbetur Sukobinë – Ulqin me një vlerë prej 9.5 milionë euro, rrugë kjo e cila sipas tij do të lehtësojë dhe më shumë ardhjen e turistëve.
Këtë vit më shumë turistë
Ndërkaq, Drejtoresha e Organizatës Turistike të Ulqinit, Zana Sarvan, tha se Ulqini ofron kushte të mira për pushime. Sipas saj, përveç kushteve ka hapësira dhe lokale të shumta ku të rinj mund të argëtohen. Sarvan tregon se edhe për ata të cilën donë t’i provojnë sportet ujore si sërfin dhe të tjera ka kushte të mira. Aktualisht ajo thotë se janë të kënaqur me numrin e turistëve.
“Jemi të kënaqur me numrin e turistëve të cilët po e vizitojnë Ulqinin, pasi që ka rritje të numrit të turistëve për 20 për qind për dallim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, tregon Zana Sarvan Drejtoreshë e Organizatës Turistike të Ulqinit.
E sa për sigurinë e pushuesve ajo thekson se nuk do të ketë problem. Përveç që është rritur bashkëpunimi me policinë e Malit të Zi në nivel qendrorë kanë bashkëpunime edhe me policinë e Shqipërisë dhe Kosovës që siguria për turistët të jetë në nivelet më të larta.
Edhe pronaret e hoteleve dhe plazheve private kanë thënë se janë përgatitur shumë për sezonin turistik. Ata presin se numri i turistëve të jetë më i madh e ai i vtiit të kaluar.
Selatin Gjeloshi menaxher i hotelit “Mediteran” në Plazhin e Vogël thotë se si hoteli ashtu edhe stafi janë gati për të pritur turistët.
Ai tregon se hoteli ka 134 dhoma me 330 shtretër, ku ofrohet edhe ushqim dhe shërbimet e tjera varësisht nga kërkesat e mysafirëve.
“Si gjithmonë në hotelin tonë dominojnë turistët nga Kosova, por kemi edhe shumë turistë që vijën nga diaspora”, ka thënë Gjeloshi.
Ai thotë se çmimet janë në nivel me vitet e kaluara, ai tregon se ka rritje të turistëve deri 20 për qind për dallim me vitin 2013.
Në Plazhin “Safari”, i cili është në Plazhin e Madh, tregojnë se kanë bërë përgatitje për sezonin veror. Edhe këtu thonë se nuk ka lëvizje të çmimeve. Jozefina Deliq nga ky plazh tregon se përveç kushteve që ofrojnë për nëntë vite me radhë kanë flamurin e kaltër për cilësi dhe siguri që ofrojnë. Ajo tregon se një çadër me dy shtretër kushton prej 5 deri në 7 euro derisa çadrat familjare kanë çmime më të larta.
Po ashtu përgatitje të shumta kanë bërë edhe në plazhin, ndoshta më të mirë në Ulqin në “Copacaban”, i cili është një pazh shumë ekzotik me kushte dhe shërbim profesional.
Në qytetin e Ulqinit sivjet është hapur edhe “City Caffe”, që është restoranti i parë i ushqimit të shpejt me pronar kosovar nga Prizreni.
Me disa pushues nga Kosova , kanë thënë se janë të kënaqur me kushtet të cilat ofrohen, por jo edhe aq me çmimet, por duke parë që shërbimet janë të mira dhe deti i bukur mendojnë se ia vlen të pushohet në Ulqin.
Në banesa apo shtëpi të ulqinakëve një dhomë për dy persona me dy shtretër ka një çmim prej 10 deri në 25 euro varësisht prej largësisë nga plazhi dhe kushtet të cilat ofrohen. Ndërsa çmimet nëpër hotele janë më të larta edhe ato dallojnë nga hoteli në hotel.
Sa për çmimet e ushqimit nëpër fast fond ato nuk dallojnë shumë me Kosovën, ku një hamburgerë mund të kushtojë nga 1.50 euro e më shumë, derisa edhe për dyner dhe qebapë pothuajse është çmimi i njëjtë. Ndërsa, gjellët, pasuli dhe ushqime tjera, çmimi sillet prej rreth 3 euro për racion.
Përveç detit dhe plazhit pushuesit, të cilët vendosin t’i kalojnë pushimet e tyre në Ulqin mund t’i vizitojnë disa monumente të rëndësishme, siç shtë Kalaja e Ulqinit.
Kalaja, sipas profesorit Ismet Karamanaga është 2500 vjeçare e vjetër dhe ajo është ruajtur me xhelozi nga paraardhësit tanë.
Po ashtu është edhe qytetit i vjetër i Shas-it, i cili nuk është në gjendjen e dëshirueshme. Aty përveç që ka dëmtime nuk është investuar edhe në përmirësimin e infrastrukturës rrugore.
Kalaja e Ulqinit
Një monument që në vete ngërthen vitet të tëra historie, e që nuk mbetet pa u vizituar nga secili turist i cili viziton Ulqinin. Për kalanë të cilës i janë thurur këngë e poezi, dhe për historinë e bujshme të saj flet edhe profesori Ismet Karamanga, i cili tërë jetën ia ka kushtuar studimit të historisë së Kalasë. Sipas tij, nuk ka njeri që vjen në Ulqin dhe e lë pa e vizituar Kalanë.
“Ne mundohemi ta ngrisim nivelin jo vetëm të ofertës turistike, por edhe të jetesës në përgjithësi, që njerëzit të cilët kanë jetuar në kala, t’i kthehen asaj dhe rrënjëve të veta këtu. Kalaja është 2500 vjet e vjetër, prapë ajo jeton dhe gjithmonë ka për të mbijetuar, e ne kurrë s’kemi me e braktisë. Populli ynë është i pashtershëm e i pavdekshëm,” ka thënë ai, duke shtuar se brenda Kalasë jetojnë rreth 55 familje.