Vendimi i Qeverisë së Kosovës për hapjen e Universitetit publik në Gjakovë është mirëpritur nga gjakovarët, të cilët një veprim të tillë e kanë pritur shumë vjet më parë. Pas këtij vendimi kanë filluar përgatitjet në komunën e Gjakovës për të punuar që ky universitet të ketë kushtet e duhura të punës, për të ofruar edhe cilësi sa më të lartë të studimeve.
Kur është fjala për hapësirat ku studentët do të fillonin Vitin e ri akademik , planifikohet që objekti i qendrës teknike “Nexhmedin Nixha” të shërbejë për universitetin publik të Gjakovës. Ndërsa nxënësit e kësaj shkolle të mesme, do të zhvendosen në objektin e vjetër të gjimnazit “Hajdar Dushi”. Këto ndryshime do të bëhen vetëm pasi Kuvendi i Kosovës do të marrë vendimin definitiv për hapjen e universitetit publik të Gjakovës. Sipas zyrtarëve të Drejtorisë së Arsimit në Gjakovë, kjo pritet të bëhet këtë muaj.
Në Gjakovë funksionojnë disa fakultete. Një pjesë e tyre, në mungesë të objekteve, po ashtu prej vitesh shfrytëzojnë një godinë që më herët ishte për shkollën fillore në lagjen “Gërçar”. Mirëpo shfrytëzimi i këtyre objekteve sipas zyrtarëve të Arsimit, nuk do të jetë i përhershëm, pasi Gjakova synon të ndërtojë kampusin universitar. Për këtë të fundit është marrë një vendim vitin e shkuar, ndërsa për këtë është caktuar lokacioni me 20 hektarë truall në ish-kazermën së APJ-së. Objektet do të shërbejnë deri në ndërtimin e kampusit universitar.
Nga hapja e universitetit publik të Gjakovës mendohet të përfitojnë rreth 400 mijë banorë të Gjakovës dhe të rrethinës dhe qytetarë të Malësisë së Gjakovës dhe Hasit, të Shqipërisë, si: Tropoja, Bajram Curri e Kruma.