Vazhdon vapa ekstreme, java tjetër na pret me stuhi
Derisa edhe ditëve të shkuara në qytetin e Gjakovës ka pasur temperatura deri në 40 gradë celciuz, edhe sot, e premte, po na shoqëron një ditë me vapë të madhe. Temperaturat e larta, sipas punonjësve shëndetësorë, mund të ndikojnë negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, sidomos të grupeve të cenueshme. Sipas Institutit të Shëndetit Publik , gjatë temperaturave të larta, për shkak të vështirësive të trupit për të rregulluar temperaturën e brendshme dhe për të eliminuar nxehtësinë e grumbulluar, rritet rreziku i rraskapitjes nga nxehtësia dhe goditja. Si rezultat, nxehtësia ekstreme mund të përkeqësojnë gjendjen shëndetësore të personave që kanë sëmundje kronike, kardiovaskulare, mendore, respiratore dhe sëmundje të lidhura me diabetin.
Për këtë qëllim kërkohet një kujdes i madh duke iu shmangur ekspozimit në rrezet e diellit në pikun e vapës dhe konsumimi i sa më shumë lëngjeve, përkatësisht ujit të pijes.
Sipas Meteo Ballkan, mot shumë i nxehtë na pret edhe të shtunën, me ulje krejtësisht të lehta të temperaturave, ndërsa zhvillimet e vonshme të pasdites do të vazhdojnë të jenë të izoluara. Të dielën pasdite priten zhvillime më të përhapura, kurse fillimi i javës së re sipas ecurive aktuale sinoptike na premton stuhi shiu dhe ulje të temperaturave./