Thursday, March 28, 2024
Fejtone

VËLLAZNIMI NJË HISTORI NË SYRIN E FUTBOLLISTIT DHE GAZETARIT SALI VULA

Gjakovapress.info: Si lindi dëshira për futbollin dhe cilat janë nismat e tua në këtë lojë të popullarizuar?

SALI VULASi çdo i ri para 50 viteve që kishte dëshirë për argëtim edhe unë më shumë kam qenë i dhënun me futboll në fushat e vogla, duke marrë pjesë në turniret e futbollit të vogël, ku shquhesha si golashënues. Pastaj si gjimnazist më ofruan të luaj për Vëllaznimin. Disa vite refuzova e pastaj si student, me iniciativën e trainerit Iljaz Sina, e fillova karierën time futbollistike dhe e cila nuk zgjati më shumë se 8 sezona. Është interesant se debytimi im me të veshurat e Vëllaznimit u bë menjëherë pas stërvitjes së parë, kur të nesërmen, ishte e mërkure më 9 mars 1967 në Pejë zhvilluam një takim miqësor me Buduqnostin, ku luajta plotë 45minuta. Takimi përfundoi baraz 1:1. Golin e parë kampional e kam shënuar më 18 qershor 1967 në Ferizaj në min.30 ku fituam me 2:0.

Gjakovapress.info: Cfarë paraqiste për një të ri të brezit tuaj, veshja e faneles “kuq e zi” e Vëllaznimit?

Është e kuptueshme që për atë kohë të kesh të veshur fanelën e Vëllaznimit ishte një privilegj. E kjo kohë e nismës së karierës sime, ishte koha e ndryshimeve të vogla politike, kur pas demostratave në Kosovë të vitit 1968, kur kërkohej e drejta e përdorimit të flamurit kombëtar, Vëllaznimi për herë të parë i kishte të veshurat kuq e zi. Deri tani ato nuk lejoheshin nga pushteti i atëhershëm jugosllav.

Gjakovapress.info: Cfarë kujtoni nga loja juaj aktive në Vëllaznim dhe cili ishte brezi i lojtarëve me të cilët ti luajte?

Unë kam pasur fatin të luaj me një brez, i cili më vonë u quajt “gjenerata e artë” e Vëllaznimit. Për herë të parë Vëllaznimi kampion i Kosovës u bë me përfundimin e sezonit 1967/68 dhe pastaj radhazi 4 herë u bëm kampion të Kosovës. Pas tri dështimeve në kualifikime për Ligën e Dytë të ish Jugosllavisë, atëherë Vëllaznimi me përfundimin  e sezonit 1971/72 e arriti këtë sukses që është shënuar në historinë e Vëllaznimit. Sa i përketë lojës sime si qendërsulmues, e kam arritë bukur mirë të realizojë këtë, se përkrah meje kam pas bashkëlojtar të spikatur si Luan Vokshi, Jakup Kuqi e të tjerë të cilët më mundësonin që të vija lehtë deri te realizimet.

Vëllaznimi 1928-Gjakovë

Gjakovapress.info: Pasionin për futbollin e vazhdove edhe në gazetarinë sportive. Si nisi angazhimi  juaj në gazetarinë sportive?

Si gjimnazist, akoma pa filluar karierën futbollistike, kisha pasion për të mbledhur dokumentacion sportiv. Me iniciativën e korespodentit të Rilindjes në Gjakovë, Murat Kursanit, mu bë e mundshme të bashkpunoi me të vetmEn gazetë të përditshme kosovare Rilindjen. Hobi im ishte statistika. Kështu, pas përfundimeve të sezonave futbollistike, Rilindja botonte nga një faqe ku përfshiheshin shumë çka që për atë kohë ishin interesante jo vetëm për klubet e futbollistët, por edhe për lexuesit. 

Gjakovapress.info: Pos në Rilindje keni punuar edhe në Televizionin e Prishtinës në rubrikën sportive. Cfarë kujtoni nga ajo kohë?

Plotë tri vite (1974-1977) kam punuar në redaksinë sportive të Televizionit të Prishtinës në detyrën e gazetarit sportiv e pastaj edhe si komentues i ngjarjeve sportive. Në fillim ishte vështirë sepse materialin e marrë nga terreni duhej përpunuar në Beogradprej nga emitohej çdo të hëne “Panorama sportive” e pastaj me rregullimin e studios në Prishtinë emitohej programi drejtëpërdrejtë nga kryeqendra e Kosovës. Vështirësitë më të mëdha paraqiteshin kur përcillnim takimet e Trepçës në Mitrovicë e që përfundonin në ora 19,00 e ne duhej ti përgatitshim raportet për fundin e Ditarit që emitohej nëora 19.30. Vështirësitë ishin se punohej me kamera filmike e jo si tani me ato elektronike. Kam pas një fat të mirë që kam pasë një redator të njohur sportive Veli Vraniqin, nga i cili shumë kam mësuar.

Gjakovapress.info:  Një pasion juaji i vecantë ishte futbolli gjakovarë. Jeni i njohur për analizat, shënimet, historikun e futbollit gjakovarë. Cfarë mundë të na thoni në këtë drejtim?

Pasionin për dokumentacion sportiv e kam vazhduar pandërprerë, e vazhdoi edhe sot. Shumë i kam kushtuar historisë së Vëllaznimit. Dëshirë e kahmotshme e imja ishte botimi i një monografie për Vëllaznimin. Pse nuk është realizuar kjo, janë disa arsye. Më mungojnë shënimet e sakta të sezonave kur Vëllaznimi luante në Ligën Maqedono-Kosovare (1955-1957) dhe Ligës së Sërbisë së atëhershme (1962-1965). Disa nga udhëheqësia e Vëllaznimit nuk më jepnin autorizimin për të shkuar në Beograd dhe Shkup për të marrë shënimet e duhura nga protokolet e ndeshjeve, e çka ishte jo e mirë, ato në klub nuk ruheshin dhe klubi nuk kishte arkivin e vet. Pas luftës, të realizohet kjo është më e vështirë, e këtë nuk më mundëson edhe gjendja shëndetsore.

Gjakovapress.info: Cfarë flasin të dhënat për rrugëtimin e futbollit gjakovarë?

Gjatë historisë 82 vjeçare të futbollit gjakovar ka shumë çka të flitet. Janë kohëra të ndryshme, e më të vështirat ishin ato që vinin nga pushteti i atëhershëm  Jugosllav, që nuk lejonte zyrtarizimin e klubit se janë lojtarët të gjithë shqiptarë. Falë iniciativës së disa dashamirëve gjakovarë të apasionuar për futboll, ia arritën që të zyrtarizohet klubi, të merr pjesë në gara kampionale dhe për kup. Nga fillimet e viteve 1950, klubi e merr emrin Vëllaznimi që e mban edhe sot. Ka pasë edhe klube të tjera përveq Vëllaznimit, por më shumë janë dalluar me suksese Deva dhe Gjakova që në kohërat e veta luanin nëLigën e Parë të Kosovës.

Gjakovapress.info: Cili mund të jetë brezi më i suksesshëm i Vëllaznimit?

Vëllaznimi gjatë historisë së vet ka pasur breza shumë të suksesshëm. Për shkak të sukseseve të para të arritura, më duket se brezi im i viteve 1967-1974 ka qenë më i miri. Fort mirë e mbaj mend brezin e viteve 1956 në krye me Hamdi Nuqin, ndër golashënuesit më të spikatur të Vëllaznimit, pastaj brezin e Zenun Brovinës dhe brezi i fundit i sukseshëm ishte ai i viteve 1983 kur arriti suksese të mëdha në Ligën e Dytë të ish Jugosllavisë.

Gjakovapress.info:  Keni mjaft materiale intersante. Si keni arritur ti mbani, ti  ruani dhe gjithnjë të vazhdoni të regjistroni në fletoret tua ecejaket e futbollit gjakovarë nëpër vite?

Të gjitha shënimet për Vëllaznimin i kam kompletuar nga bisedat melojtarë veteranë, pastaj nga protokolet zyrtare të ndeshjeve të Vëllaznimit që i kam hasë në Lidhjen e përparëme Futbollistike të Kosovës e më së shumti nga e përditshmja Rilindja. Përpara ka qenë vështirë të mbahet dhe të ruhet ky dokumentacion. Ka qenë një punë e vështirë të grumbullohen në fletore të zakonshme, tani e kam shumë më lehtë në kompjuter. Po shfrytëzoj rastin për ti këshilluar gazetarët e rinj sportiv, se nuk mund të afirmohet në këtë profesion vetëm me raportimin nga ndeshjet futbollistike. Duhet mbledhur shënime, duhet analizuar dhe duhet bërë komente cilësore. 

Gjakovapress.info: Lexuesit e gazetës “Gjakovapress” nga ky numër do të kenë mundësinë të përcjellin fejtonin e përgatitur nga ju. Cfarë në të vërtetë ata mundë të lexojnë në vazhdimësi?

Fejtoni fillon nga ardhja e topit të parë në Gjakovë që e solli Faik Dushi, formimet e klubeve gjakovare sipas lagjeve, periudha e pas Luftës së Dytë Botërore kur klubi filloi të ketë emrin Vëllaznimi, garat kampionale dhe për kup të Vëllaznimit, sukseset, rezultatet, formacionet e të gjitha brezave, kuptohet të gjitha këto janë të përcjellura edhe me shumë foto.

Gjakovapress.info: Ju falenderojmë dhe ju urojmë punë të mbarë në këtë “detyrë” të respektuar e me mjaft vlera për sportin gjakovarë dhe kosovarë?

Ju falenderojmë edhe Juve që keni gjetë mundësi që nëpërmjet këtij fejtoni, dashamirëve të flakët të Vëllaznimit, e sidomos “Kuqë e zinjëve” t`iu ofrojmë shënime që ndoshta nuk kanë pasur rast deri tash të mësojnë. /Z.VEHAPI/