Vëllaznimi përgatitet intensivisht
Në fillim të javës së ardhshme, në Federatën e Futbollit të Kosovës do të hedhet shorti për garat e superligës së futbollit të Kosovës me ç’rast do të dihet edhe kalendari i ndeshjeve dhe skuadrave rivale. Kampionati i ri në elitën e futbollit kosovar do të filloi me 16 gusht. Në ndërkohë futbollistët e Vëllaznimit me emërimin e shtabit të ri teknik, të cilit i prin Genc Hoxha, kanë shtuar dinamikën e përgatitjeve duke shtuar edhe numrin e stërvitjeve edhe nga dy herë në ditë.
Roland Duraku, Arjan Jasiqi dhe Lekë Vula janë futbollistët që kanë freskuar radhët e Vëllaznimit nga formacioni i kampionatit të kaluar, ndërsa udhëheqësia e klubit është në kërkim edhe të përforcimeve tjera. Kryetrajneri Genc Hoxha thotë se fondi aktual i futbollistëve mundëson paraqitje solide në garat e kampionatit të ri.
“Ne do të punojmë intensivisht për të kompensuar ditët e humbura nga starti i vonuar i përgatitjeve, po punojmë edhe nga dy herë në ditë, për të pasur paraqitje sa më të suksesshme në gara, “ ka thënë Hoxha I bindur në gatishmërinë dhe përkushtimin e futbollistëve, shtabit teknik dhe kryesisë së klubit.