Thursday, March 28, 2024
Aktuale

Vendim i ri për rehabilitimin e Çarshisë së Vjetër

Qarshia_Gjakove

Rehabilitimi i rrugëve të Çarshisë së Vjetër  të Gjakovës me ndërtimin e infrastrukturës nëntokësore, rrjetit të ujësjellësit, kanalizimit, ndriçimit e rrjetit telefonik kabllor dhe shtruarja me gurë është përcjellë me një varg vështirësish duke kulmuar edhe me ndërprerjen e punimeve në muajin nëntor nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe sporteve të Kosovës. Këtij vendimi i kishin paraprirë edhe reagimet e zejtarëve dhe qytetarëve të Gjakovës për cilësinë e gurëve si dhe plotësimi i dokumentacionit me leje adekuate nga ana e Ministrisë,   mirëpo gjitha këto kundërthënie e mospajtime, kanë marrë fund me një bashkëpunim të Kuvendit Komunal të Gjakovës dhe Ministrisë së Kulturës.

Vendimi më i ri i Ministrisë së Kulturës flet për lëvizje përpara të procesit të rehabilitimit të rrugës. Sipas tij dhe gatishmërisë së komunës  sapo të krijohen kushtet atmosferike do të nisin punimet fillimisht në ndërtimin e infrastrukturës nëntokësore që kanë ngel pa u kryer e pastaj, në ndërkohë komuna e Gjakovës do të dorëzojë tri propozime të reja për shtrirjen e rrugës duke kombinuar edhe gurët vendor edhe   kubëzat.

Leonora Rraci, drejtoreshë e Urbanizmit në Gjakovë sqaron vendimin e fundit të Ministrisë së Kulturës, duke theksuar se së shpejti ekipi ekspertëve nga Gjakova do të përgatisë propozimet e në ndërkohë punimet tjera mundë të vazhdojnë.