Saturday, December 28, 2024
Fejtone

Vështrim i shkurtër gjeografik për Gjakoven

Shkruan Prof.Dr. Masar Rizvanolli

Gjakova me rrethinë, që nga lashtësia, kishte një pozitë të përshtatshme gjeografike. Qyteti shtrihet në pjesën jugperëndimore të fushëgropës së Rrafshit të Dukagjinit, në mes të rrugës Prizren-Pejë. Nëpër këtë vendbanim kalonte në të kaluarën një pjesë e rrugës Via de Zenta, e cila fillonte nga Shën Gjini në Detin Adriatk, vazhdonte nëpër  qytetin e Shkodrës e luginës së lumit të Drinit të Bardhë në drejtim të Prizrenit dhe më tutje drejt lindjës në Nish, në Sofje dhe në Konstantinopojë. Te Vau i Spasit kjo rrugë ndahej në dy drejtime: njeri vazhdonte drejt Prizrenit, ndërsa tjetri nëpër luginën e Krumës, anës së djathtë të Drinit të Bardhë, fshatit Letaj dhe Qafës së Prushit arrinte në Gjakovë dhe në Pejë.

GjakovaGjakova shtrihet midis gjerësisë gjeografike 42,22 dhe gjatësisë gjeografike 20,26. në bregun e majtë të lumit të Erenikut, në lindje të pllajës së Çabratit, në të dy anët e lumit Krena, në një lartësi mbidetare mesatare prej 365 metrash.

Në jugperëndim të Gjakovës shtrihën rrëzët e fundit të maleve të Sharit, ku shtrihët krahina kodrinore e Hasit, e cila përfundon me rrafshinën aluviale të Erenikut.

Në veri të qytetit shtrihën fushat neogjene të Piskotës dhe të Dushkajës. Sukat e Koznikut, të  Cërmjanit, të Babajlloqit dhe të Hereçit e ndajnë fushëgropën e Gjakovës nga Rrafshi i Dukagjinit.

Në perëndim të Çabratit, që ka një naltësi mbidetare prej 440-460 metrash, shtrihën malet e Junikut dhe të Shkëlzenit-pjesë të Bjeshkëve të Nemuna (Alpeve Shqiptare).

Në lindje të Gjakovës, aty ku derdhet Ereniku në Grykën e Drinit të Bardhë shtrihët pllaja gëlqerore e Gradishës, e cila e ndanë fushëgropën e Gjakovës prej asaj të Prizrenit.

Malet e ulta me qafa siç janë  Qafa e Prushit, ajo e Dobrunës, ajo e Morinës etj., kanë mundësuar ndikimin e  erërave të Detit Adratik nëpër luginën e Drinit. Prandaj Gjakova me rrethinë kanë klimë të mesme kontinentale me elemente të asaj mesdhetare me verë të nxehtë dhe të thatë. Temperatura mesatare e muajit korrik është 21,5 C, ndërsa e janarit -09 C. Muajt e verës janë të thatë, ndërsa të dimrit me lagështi.Mesatarja e reshjeve atmosferike është 959,3 mm.

Fushëgropën e Gjakovës e përshkojnë 80 rrjedhje të ujrave sipërfaqësorë që burojnë në veri nga vargu malor i Cërmjanit dhe nga kurorat malore në jug të qytetit. Të 80 prrojet derdhen në Erenik, i cili, me degët e tij, e ujiste fushën pjellore të Gjakovës. Ai buron nga liqenet akullnajorë të Gjeravicës dhe derdhet në Dri. Është i gjatë 51 km. Prej degëve të tij të majta është Bistrica e Lloqanit, që buron prej lartësisë Plloça në perëndim të Gjaravicës dhe, duke e ndarë Gjakovën me emrin Krena në dy pjesë, derdhet në Erenik. Trava dhe Trakaniqi janë dy lumenj tipikë fushorë që derdhen në Erenik.

x      x      x