Çitaku dhe kusari Lila biseduan për mundësitë e avancimit të koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të nivelit Qendrorë dhe atij Lokal rreth rekomandimeve dhe detyrimeve që dalin nga raportet e Komisionit Evropian. Theks i veçantë u vu në kriteret e parashtruara për të avancuar me agjendën e integrimit Evropian dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Është diskutuar ngritja e nivelit të bashkëpunimit për procesin e riintegrimit të personave të riatdhesuar, trajtimi i dukurisë së migrimit të parregullt, por edhe mundësitë e aplikimit në projekte në kuadër të Instrumentit të Para Anëtarësimit (IPA). Njëkohësisht, temë e këtyre takimeve ishin edhe modalitetet për akomodimin në administratën komunale të bursistëve nga programi Skema e Profesionistëve të Rinj ” Young Cells Scheme”, projekt ky në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit Evropian dhe Komisionin Evropian.
Ministrja Çitaku në takimin me gazetarët tha se u bisedua në detaje për zhvillimet rreth negociatave të marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, por edhe në tërësi për zhvillimet me agjendën Evropiane, pas vizitës që kishte në Bruksel ku u takua me zryatër të lartë të Komisionit Evropian, respektivisht me Komisonerin Fyle dhe zyrtarë të tjerë.
Poashtu, ministrja Çitaku ka premtuar ndihmën e ministrisë për t’u përballur me sfidat e riatdhesimit të qytetarëve në komunat e tyre, si dhe do të angazhohet në nivel qeveritar për përmirësimin e kushteve ligjore për zhvillim ekonomik, dhe në kuadër të kësaj për krijimin e klimës më të mirë për investitorët.
Kryetarja e Komunës Mimoza Kusari- Lila, ka thënë se “Komuna e Gjakovës është duke i zhvilluar dhe realizuar me sukses obligimet që kanë të bëjë me plotësimin e proceseve për integrimin evropiane”.
Sipas saj edhe në procesin e riatdhesimit Gjakova është në ritme të vazhduara, por sfida e veçantë në këtë drejtim është mungesa e hapësirave për ndërtimin dhe sigurimin e vendbanimeve për qytetarët të cilët dëshirojnë të kthehen në Gjakovë.