Wednesday, April 3, 2024
AktualeLajme

3 raste të sëmundjes gungore të lopëve

lopaNë komunën e Gjakovës janë regjistruar tri raste të sëmundjes gungore të gjedheve, një nga këto raste edhe një ngordhje. Në fakt në Kosovës po përhapet me të madhe sëmundja Gungore e Lëkurës së Gjedhit e cila po klasifikohet si sëmundje socio-ekonomike, e cila  nuk është e rrezikshme për njerëzit. Në nivel vendi thuhet se 93 ferma tashmë janë të prekura nga ky virus, derisa 20 kafshë   kanë ngordhur nga kjo sëmundje.

Situatën e përhapjes së kësaj sëmundje nga afër,  duke raportuar në Agjencinë e Veterinës së Kosovës,  po e ndjek Inspektorati komunal. Inspektori i veterinës Milot Bejtullahu thotë se rreziku më i madh është tek fermat e gjedheve ndërkohë që nuk paraqet rrezik për përhapje tek njerëzit .

“Në komunën tonë ka tri raste të sëmundjes që origjinën e e ka nga Afrika e që përhapet shpejtë përmes insekteve gjakëpirëse(mushkonjat). Ne po e ndjekim nga afër këtë situatë dhe detyra jonë është të raportojmë në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë të Kosovës si dhe të bëjmë groposjen e gjedheve të ngordhura” tha Bejtullahu duke hequr dyshimet për rrezikun e përhapjes tek njerëzit dhe për konsumimin e mishit.

Ndryshe për shfaqjen e sëmundjes gungore të lëkurës tek gjedhet edhe në Kosovë, siç ka ndodhur edhe në shtetet e tjera të rajonit,  u bisedua edhe në Ministrinë e Bujqësisë ku  Kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe  Veterinarisë të Kosovës Valdet Gjinovci informoi  drejtuesit e shoqatës së prodhuesve të qumështit me numrin e rasteve të konfirmuara me këtë sëmundje në të gjitha komunat e Kosovës si dhe masat që ka marrë agjencia dhe qeveria për këtë gjë. Shoqata shprehu shqetësimin për rastet në rritje dhe kërkoi nga institucionet kompetente që të ndërmerren hapa konkret.  Palët u pajtuan që sa i përket kësaj çështje të vazhdojnë koordinimin për hapat e mëtutjeshëm që duhen ndërmarrë, në veçanti për realizimin e vaksinimit masiv të gjedheve në gjithë territorin e vendit, për të parandaluar përhapjen e mëtejme të kësaj sëmundje