Zhvillimi i arsimit shqip në Gjakovë deri më 1918
Shkruan Prof. dr. Masar Rizvanolli
Gjakova ka një traditë të pasur të arsimit dhe të kulturës, traditë, e cila filloi qysh me fillimin e jetës qytetare në te, qysh kur Sylejman Hadim aga ndërtoi dhe vakëfoi, në vitin 1003 H (1594/95), pos hanit, hamamit dhe disa dyqaneve, një xhami, një shkollë (mejtep), një bibliotekë dhe një muvakit-hane, një “objekt për matjen e kohës dhe për caktimin e kalendarit me ndihmën e kuadranteve astrolabike”. Për mirëmbajtjen e këtyre objekteve kërkoi nga sulltani një pjesë të haseve sulltanore.1 Sipas traditës gjakovare biblioteka e Hadim agës ishte aq e pasur me libra sa që thuhej se “kush don me e pa Çaben le ta vizitojë bibliotekën e Hadum ages”.2 Ajo ishte ndërtuar, ngjit me minaren, duke mbyllur tërësisht, në anën e djathtë, oborrin e kompleksit të xhamisë. Në pjesën përdhese të saj ishte salla e leximit, ndërsa në kat gjendeshin vitrinat me libra.3 Ajo ishte më e madhe se vet xhamia.4
Më vonë zhvillimin e arsimit dhe të kulturës në Gjakovë e ndihmuan pjestarët e familjes Kurtpasha, disa nga të cilët ndërtuan xhami, mejtepe dhe medrese.5
Kjo traditë fitoi dimensione të reja duke u pasuruar dhe thelluar në mënyrë të veçantë në vitët e bujshme të Lëvizjës Kombëtare Shqiptare, në të cilën Gjakova me rrethinë dha ndihmesën e saj të spikatur. Sipas disa të dhënave shkollat shqipe u hapën në Prizren, në Gjakovë dhe në Pejë “shumë para v. 1840.”6 Por tash për tash nuk jemi në gjendje t’i caktojmë kufinjt kohorë të shprehjes “shumë para v. 1840”. Dimë për ekzistencën e shkollave private dhe të mësuesve misionarë françeskanë në Gjakovë, në Zym dhe në Pejë që nga fillimi i shek. XVIII.7 Dimë, gjithashtu, se Gjon Nikollë Kazazi, doktor i teologjisë e i filozofisë dhe arqipeshkëv i dioqezës së Shkupit e kishte hapur një shkollë private në shtëpinë e tij në Gjakovë para vitit 1743.8 Në këtë shkollë përgatitëshin ata të rinj, të ciët do t’i fillonin studimet e rregullta në kolegjet e ndryshme papnore në Itali.9 Ai përmendë emrat e shtatë djelmoshave prej moshës shtatë deri në katërmbëdhjetë vjeçare, të cilët kishte arritur për t’i shkëputur “nga vatra prindërore për t’i edukuar – jo pa stërmundime – për punët e kishës”10.
Ndër detyrët kryesore që ia kishte shtruar vetes Kazazi ishte jo vetëm përgatitja e misionarëve vëndës në kolegjet fetare italiane, por edhe kthimi i tyre në vendlindje për t’i plotësuar nevojat e dioqezës, “duke u përkujdesur pa kurrfarë lodhje për shëndetin e shpirtit”, sepse ishin “pikërisht këta nxënës ata që nuk braktisin atdheun dhe misionet dhe qëndrojnë aty deri në vdekje e në pikën e fundit të gjakut, siç dëshmojnë gjithë ata shembuj të kohëve moderne dhe antike”. Ai vazhdonte më tutje, “se në kohë persekutimesh të ndryshme ose në kohë lufte, ata që nuk janë vendas ose largohen vetë, ose përzihen nga pushteti publik. Vetëm vendasit tëharrin në mbikëqyrjen e misionit dhe të besimtarëve”11.
Prandaj, ai i lutej Kongregatës së Shenjtë që për dioqezën e tij të dërgojë “të paktën vetëm tre studentë që të fillojnë menjëherë, sapo të jenë këthyer (në dioqezë) me mësimdhënien”, ndërsa ushqimin dhe veshjen për nxënësit do ta siguronte vetë “përsa kohë të jem gjallë”12. Njerin nga mësimdhënësit, që do të dërgoheshin në shkollën e tij, do ta caktonte “jo vetëm për gjuhën latine, siç ka për qëllim Kongregata e Shenjtë, por në të njejtën kohë edhe për mësimin e shkronjave (= gjuhës) ilirike, që janë shumë të nevojshme” sepse “misionarët tanë duhet të dinë tri gjuhë, dmth. gjuhën shqipe, ilirishtën (=sllavishten) dhe turqishten, pa të cilat një misionar nuk mund të plotësojë si duhet nevojat e zakonshme të atyre popujve”13
Pas një sëmundjeje të rëndë njëvjeçare, Gjon Nikollë Kazazi vdiq, më 5 gusht 1752, pranë Zef Lumbeshit, mësimdhënësit në shkollën e Gjakovës, i cili për asnjë çast nuk iu nda deri në frymën e fundit. Në kumtin e tij me shkrim për vdekjen e mësuesit të tij, ndër të tjera, lexojmë:”…Pastaj si ndihmës që kam qenë për imzotin në punët e tij, kam mbetur tashmë në misionin e Gjakovës, ku kam të drejtën që t’i jap mësim ndonjë fëmije…”14
Sa ishte gjallë, Kazazi arriti të hapë shkolla fetare në dioqezën e tij, duke angazhuar si mësues ish nxënësit e tij, të diplomuar në kolegjët e Kongregatës së Shenjtë si Zef Lumbeshin, Mati Krasniqin dhe Zef Berishë Nikollën, të cilët punuan si mësues në misionet e Gjakovës, të Janjevës, të Zymit etj.15 Punën në shkolla ata e vazhduan edhe pas vdekjës së mësuesit të tyre. Në këto shkolla nxënësit shqiptarë mësonin rregullisht shkrimleximin në gjuhën shqipe dhe doktrinën e krishterë, gjithashtu në shqip, të hartuar nga Gjon Nikollë Kazazi dhe të botuar në shtypshkronjën e Propagandës së Shenjtë16.
Për marrëdhëniet gjuhësore ndëretnike në dioqezë mësojmë nga një letër falenderimi të Zef Berishë Nikollës, dërguar, më 28 maj 1782, Kongregatës së Shenjtë, në të cilën lexojmë edhe këtë:”Më erdhi kaseta e shumëpritur me disa doktrina shqip dhe me disa libra…në gjuhën ilirike (sllave), të cilat nuk mungova t’i shpërndaja në Pejë, disa në Prizren…Për më tepër, këtu në Gjakovë nuk është se kam nevojë për sosh në gjuhën ilirike, por vetëm syresh në shqip”17.
Gjon Nikollë Kazazi interesohej edhe për sigurimin e teksteve themelore në gjuhën shqipe për shkollat e dioqezës së tij. Gjatë vizitës së tij në Romë, ai kërkoi nga Kongregata e Shenjtë, më 1740, një sasi librash mësimi, ndër të cilat edhe 30 copë doktrina të Bellarminit, të përkthyera shqip nga Pjetër Budi, sepse në dioqezë, sipas tij, “flitet gjuha shqipe dhe ky numër doktrinash është i nevojshëm për të rinjtë”18. Më vonë, më 1743, ai përgatiti dhe botoi një doracak katekistik, kushtuar fëmijëve të krishterë, “Doktrina e Kështen”19. Ky tekst “përbën një thesar të pallogaritshëm në fondin historik të kulturës së shkrimit shqip”20. “Përhapja dhe përdorimi i saj (Doktrinës së Krishterë-MR), e pse jo për të gjithë besimtarët e thjeshtë, nuk mund të kuptohet ndryshe, veçse si një ndërhyrje e vetëdijshme e Kazazit për të thyer atë barrierë gjuhësore që pengonte si bashkësinë katolike shqiptare ashtu edhe klerin e ulët katolik shqiptar në njohjen dhe përvetësimin e fesë së krishterë sipas ritit katolik roman”21 Kjo vepër si burim “mbetet ende sot ndoshta ma i vjetri dokument shqip, botue në dialektin e Gjakovës”22
Të përmendim për fund se veprimtaria e Gjon Nikollë Kazazit u kurorëzua me sukses të plotë. Nga gjashtë klerikët vëndës të personelit të Dioçezës së Shkupit, në vitin e vdekjes së tij, më 1752, pesë syresh – Zef Lumbeshi, Mati Mazrek Krasniqi, Zef Berishë Nikolla, Pjetër Berisha dhe Pjetër Zogaj – ishin nxënës të cilët i kishin marrë mësimet e para nga vetë Gjon Nikollë Kazazi.23
Shenime të sakta për shkollën shqipe, të hapur pranë kishës katolike në Gjakovë kemi që nga viti 1851. Në këtë shkollë dhanë mësim Don Pjetër Doda, Don Filip Kanxhi, Don Tom Gusiqi, Patër Rozarja, Patër Gaudenci, Don Pjetër Zara, Don Ndue Bytyçi etj., ndërsa mësues laikë ishin Pashko Logoreci dhe Mihill Kurti. Kjo shkollë si dhe shumë të tjera gëzonte ndihmën e Austrisë 24. Që të gjithë mësuesit, e bartën apo jo petkun fetar, vepronin në bazë të parimeve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Kishte midis tyre autorë poezish fetare dhe patroitke siç ishte Don Ndue Bytyçi, i cili nëpërmjet të poezisë së tij, ftonte bashkatdhetarët të vazhdonin rrugën e luftës për liri. Ai pati lidhje dhe bashkëpunoi në fushën e mendimit letrar rilindës me poetë të tjerë bashkëkohës, madje edhe me arbëreshë siç ishte Leonado de Martino25.
Merita të veçanta për hapjen e shkollave shqipe në Prizren e Gjakovë kishte Andre Logoreci, i cili solli nga Shkodra nipat e vet. Në Gjakovë dërgoi të vëllanë Pashko Logorecin, i cili filloi nga puna që nga viti shkollor 1889-1890.26 Të theksojmë se në konfliktin që plasi në Prizren ndërmjet popullsisë vëndëse dhe konsullatës austro-hungareze rreth shkollës që subvencionohej nga Vjena, e cila solli aty misionarë fetarë kroatë për të mbajtur mësimet në gjuhën sllave, konflikt që e arriti kulmin më 1898, banorët e Gjakovës mbështetën kërkesat e prizrenasve për pezullimin e mësimit të sllavishtës. Në një letër të tij patrioti i shquar, mësuesi i shkollës së Prizrenit, Mati Logoreci shprehej, me këtë rast, se gjakovarët “nuk jan gjin qi durojn, pse ner ta lun martina”.27
Pas viteve 30 të shek. XIX, në frymën e reformave të Tanzimatit, në Gjakovë u hapën shkollat shtetërore turke: shkollat fillore (iptidaijet) dhe gjimanazet e ulta (ruzhdijet). Sipas sallnamesë së vitit 1893 në Gjakovë kishte 15 shkolla fillore (iptidaije), me 1101 nxenës dhe një gjimnaz të ulët (ruzhdije) me 120 nxenës.28 Më 1900 kanë ekzistuar edhe dy ruzhdije.29
Nxënësit e shkollave fillore shtetërore mësonin nga librat, të cilët ishin të shkruar në gjuhën turqishte, të pakuptueshme për nxënësit gjakovarë, të cilët flisnin vetëm shqip në shtëpitë e tyre. Prandaj, mësuesit e tyre, që ishin, kryesisht gjakovarë, ua përkthenin këto tekste fshehurazi në gjuhën amtare, ndonëse shkrimi dhe leximi në gjuhën shqipe ishte rreptësisht i ndaluar. Këtë mund ta bënin për arsye se ndikimi i autoriteteve qeveritare osmane ishte shumë i dobët në Gjakovë. Shpjegimi i mësimit dhe bisedat në klasë zhvilloheshin lirisht në gjuhën shqipe.30
Intelektualët shqiptarë nga Gjakova, të shkolluar në qëndrat më të rëndësishme arsimore të Perandorisë Osmane, patën një rol të veçantë në hapjen e shkollave në gjuhën shqipe gjatë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.31
Një rol të rëndësishëm në pasurimin e traditës arsimore në trevën e Gjakovës dhe më gjërë pati edhe hapja e shkollave fetare, në fillim e mejtepeve dhe, më vonë, e medreseve32. Medreseja e Madhe, një qendër e rëndësishme arsimimi dhe edukimi në frymën fetare dhe kombëtare, në të cilën vijuan mësimet me mijëra të rinj nga të gjitha trevat e Rrafshit të Dukagjinit, të Malësisë, të Hasit etj. u themelua qysh më 1707 nga alimi dhe bëmirësi i madh Murat beu, i biri i Adem pashës, i cili kishte shërbyer si mytesarrif në sanxhaqet e Ohrit, të Elbasanit dhe të Shkodrës.33 Kjo shkollë punonte sipas programit të Fakultetit Teologjik “Fatih” të Stambollit.34 Kishte një konvikt të madh dhe një bibliotekë të pasur35. Nxënësit e kësaj medreseje i vazhdonin shkollat e larta në Stamboll dhe në Aleksandri.36 Nga mësimdhënësit më të njohur të Medresesë së Madhe ishin Ali efendi Pera nga Gjakova, i njohur si myderriz i aftë dhe i arsimuar, pastaj Hasan efenedi Shllaku, profesor fakulteti në Stamboll, i cili, për arsye familiare, u kthye në Gjakovë, Ali efendi Fikriu nga Gjakova, gjithashtu, profesor në Fakultetin Teologjik “Fatih”.37 Shquheshin edhe Vejsel efendiu, Jahja efendiu etj.38
Nga nxënësit më të shquar duhet të përmendim Tahir efendi Llukën, profesor në Fakultetin Teologjik “Fatih” të Stambollit39,Teufik Nahin, profesor universiteti në Kajro, Haxhi Zekën, veprimtar i shquar i Lëvizjës Kombëtare Shqiptare etj.40
Arsimtarë dhe nxënës të Medresesë së Madhe u dalluan për ndihmesën që dhanë në Lëvizjën Kombëtare Shqiptare si Ismail efendiu, Ali efendiu dhe Hasan efendiu, bashkëpunëtorë të ngushtë të Sylejman Vokshit gjatë Lidhjës Shqiptare të Prizrenit dhe mxënësi i përmendur i kësaj medreseje Haxhi Zeka, themelues i Lidhjës së Pejës.41
Medreseja e Madhe nuk arriti t’i plotësojë të gjitha nevojat e popullsisë së etshme të Gjakovës për dituri fetare dhe për edukatë atdhetare. Prandaj, Tahir efendi Boshnjaku themeloi, rreth viteve 1815-1816, Medresenë e Vogël, e cila e mori këtë emër vetëm pse u themelua më vonë se e Madhja, ndërsa për kah rëndësia, për kah hapësira apo për kah numri i nxënësve nuk ishte më e vogël se e para. Për shkak të famës që fitoi, këtë medrese e ndiqnin edhe nxënës nga rajonet e Sanxhakut të Jeni Pazarit, të Toplicës, të Plavës dhe të Bosnjes. Si myderrizë të njohur nga kjo medrese shquheshin, pos themeluesit të saj, Tahir efendiut, Fetah efendi Buza, Emin efendi Hoxha, Isuf efendi Çarkaxhija etj.42
Duhet të nënvizojmë, me ketë rast, se në këto medrese mësimet zhvilloheshin në gjuhën shqipe, ndonëse literatura që përdorej ishte në gjuhën arabe apo osmane. Sipas J. Rexhepagiqit “disa nga mualimët dhe myderrizët gjakovarë provuan të përkthejnë veprat nga gjuha arabishte dhe turqishte në shqipet e disa madje edhe shkruan libra në gjuhën shqipe, por duke përdorur alfabetin arab.”43 Në Medresenë e Madhe mësimet në gjuhën shqipe u zhvilluan edhe gjatë veprimtarisë së saj në periudhën e sundimit të Jugosllavisë së Vjetër, kur nuk kishte fare shkolla në gjuhën shqipe as që përdorej kjo gjuhë në isntitucionet publike.44 Prandaj, në medresetë e Gjakovës u shkolluan, kryesisht, nxënësit nga shtresat e varfëra fshatare, të cilët nuk e njihnin gjuhën turqishte, që nuk e flisnin në shtëpitë e tyre.45 Kësisoji ato ndikuan në përhapjen e arsimit në ato shtresa shoqërore, të cilat, për shkak të rrethanave ekonomiko-shoqërore dhe politika mbizotëruese e periudhës së Tanzimatit, ishin plotësisht të përjashtuara nga çfarëdo mundësie për shkollim të mirëfilltë.
Myderrizët e dy medreseve nuk e kufizuan veprimtarinë e tyre vetëm në procesin e mësimdhënies, vetëm në ngritjen e kuadrove të reja. Ata ishin edhe autorë të njohur veprash fetare, didaktike dhe atdhetare, disa prej të cilave të shkruara në gjuhën shqipe me alfabet arab. Ndër më të dalluarit ishte Tahir efendi Boshnjaku, autor i veprës në gjuhën shqipe “Emni Vehbije,” botuar në Stmboll më 1835 me shkronja arabe dhe të transliteruar e të transkribuar nga Ismail Haxhi Tahir Gjakova në alfabetin e Stambollit, botuar nga Mbrothësia e Sofjes më 1907.46 Ka autorë, të cilët mendojnë se “Emni Vehbije” është shkruar më 1806.47 Kjo vepër sipas disave iu kushtua nxënësve, ndërsa sipas të tjerëve iu kushtua hoxhallarëve për predikim në popull. Përmban fjalë të urta, që e kanë bazën në burimet biblike e kuranore, disa të përvetësuara nga shqiptarët. Këto paraqesin mendime që mund të hasën në kulturat e popujve të tjerë myslimanë e të krishterë.48 Vend kryesor në këtë vepër zen kërkesa për përhapjen e mësimit dhe të dijes. “Shkado me konë i keq – thuhet aty – xhahilleku osht ma i keq”49 Kjo vepër, pos vlerave gjuhësore ka edhe vlera pedagogjike. Aty flitet për detyrimet e çdo njeriu, për normat fetare, për detyrët familiare, për moralin, për dijen, për mësimin…50
M. Pirraku, nënvizon se “rëndësia kombëtare e kësaj vepre, për kohën kur është shkruar, fillimi i shek. XIX, sipas mendimit tonë qëndron në faktin se me këtë vepër, në mënyrë më të ngulitshme, zuri fill përpjekja programore e Rilindjes për futjen e gjuhës shqipe në shërbime të fesë islame në xhami dhe gjetkë, përkatësisht thellimi i punës në drejtim të shqiptarizimit sa më të plotë të xhamisë, kërkesa këto që nisën qysh në periudhën e pararilindjes, së paku nga fundi i shek. XVII. Rëndësia tjetër e veprës është për albanistikën si dije dhe pikërisht për gjuhësinë shqiptare”51.
Tahir efendi Boshnjaku, si mendimtar i filleve të Rilindjes Kombëtare, gjatë punës së tij arsimore dhe kulturore shkroi edhe vepra të tjera laike dhe fetare, të cilat, për fat të keq, u zhdukën gjatë fushatave antishqiptare që ndërmori Perandoria Osmane. Njera prej tyre i kushtohej zakonit të gjakmarrjës te shqiptarët.52
Tahir efendi Lluka, pasi kreu Medresenë e Madhe në Gjakovë, vazhdoi studimet në Fakultetin Teologjik “Fatih” në Stamboll, ku, pasi mbaroi me sukses studimet, u bë aty profesor rreth viteve 70 të shek. XIX., në kohën kur ishte rektor i Universitetit të Stambollit Hoxha Tahsini. Aty u mor me veprimtari kulturore kombëtare, duke patur lidhje me rilindësit tanë, ndër ta edhe me Jani Vreton.53Ai e njoftoi Vreton për veprën “Emni Vehbije”54. Si duket pas kompromitimit politik në sytë e pushtetit osman të Hoxha Tahsinit për shkak të veprimtarisë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, u kompromitua edhe Tahir efendi Lluka, i cili u tërhoq në Gjakovë.55 Më 1873 shkroi mevlydin në gjuhën shqipe dhe vargje të tjera me karakter didaktik.56
Numri i madh i intelektualëve shtroi nevojën për përhapjen e një numri sa më të madh institucionesh arsimore, shkencore dhe kulturore në Gjakovë. Përmendet një bibliotekë, e cila u themelua më 1733 në Xhaminë e Hadumit.57 Por tash për tash nuk jemi në gjendje të pohojmë se a bëhët fjalë për ndonjë bibliotekë të re pranë asaj që themeloi Hadim aga më 159458, apo për zgjërimin ose meremetimin e saj. Prandaj, Sami Frashëri, duke bërë fjalë për Gjakovën, ndër të tjera, shkruante:”Nga gjiu i këtij shehri gjithmonë ka pasë dijetarë të dëgjuar dhe muderriza, gjithashtu ka shumë edhe të atillë që kanë ardhë në Der-i seade (Stamboll-MR) për të studjuar.”59
Myderrizët e medreseve të Gjakovës ishin halë në sy për autoritetet osmane edhe në dhjetëvjetëshin e parë të shek. XX. Ata nuk u mashtruan nga propaganda e pushtuesit, e cila, nga njera anë e paraqiste sulltanin si “Hije të Perënis, e veqil të Pejgamerit”, i cili iu premtonte shqiptarëve se “un s’kam uzdajë e çpnesë veç në ju, shpejt do t’ju gëzoj”!, ndërsa nga ana tjetër, nuk ua njihte shqiptarëve as një nga ato të drejta kombëtare e shoqërore që ua kishte njohur popujve të tjerë fqinj. Prandaj, dërgoi Shemsi pashën për të vrarë e djegur të gjithë ata që i mbronin me armë të drejtat e tyre kombëtare. Ai, sipas gazetës “Drita” të Sofjes, internoi në Anadoll edhe myderrizë të Gjakovës.60 Në një artikull tjetër të redaksisë së “Drita”- s lexojmë edhe këtë:”Guverna e Osmanllive asht në gajle të madhe, sepse s’mundet me i poshtu shqyptarët as me hoxhë fanatikë të verbumun, as me topa e me ushtri. Jildiz-Qoshku menohet si e si me i bo shqyptarët myslimanë qi ta lanë dashuninë që mbajnë për gjuhën e për kombësinë e tyne; ajo, “Turkia Dosë”, dishiron qi shqyptarët ta harojn’ istorin’ e tyne e kështu tash për tash me ja u pi gjakun me vergji të randa e mas pak kohë t’i ketë gati për n’Anadoll”. Më tutje vazhdon:”I nerushmi myfti i Gjakovës me disa zotnija t’jerë, qi me trathti i pat çu guverna syrgjyn n’Anadoll, në Kastamoni kanë mbri shëndosh’ e mirë në Gjakovë. Por sikuntra shkrojshin gazetat e huëja, Turkia i lshoi për me shku në Shqypni këta të parë të Gjakovës, se Malësia e Gjakovës e kishin shtrëngu fort governën (qeverinë-MR) edhe gjinja e Kastamonit i bonte ner të math myfti shqiptarit; pra Sulltani u tremp edhe i lshoi ata qi ishin në Kastamoni. Por Riza begu e shumë t’tjerë janë hala syrgjyn n’Anadoll, edhe asht frigë se mos i helmojn ose i vrasin”.61
Myderrizi i Gjakovës, Jusuf Ibrahim efendiu shprehte, në gazeten “Lirija” të Selanikut, më 1909, entuziazmin që kishte përfshi qytetin e tij për mësimin në gjuhën shqipe.62
Në Kuvendin e Junikut (21-25 maj 1912), në të cilin u miratua programi politik i Kryengritjës së Përgjithshme kundër sundimit osman, ku përfshihej edhe kërkesa për caktimin e gjuhës shqipe me alfabetin kombëtar si gjuhë zyrtare në administratë dhe në shkolla, bashkë me përfaqësuesit e tjerë nga Gjakova si Riza beu, Ahmet beu, Murat Vokshi, Hysni Curri dhe Hasan aga i Isa Zekës, mori pjesë edhe myderrizi Hasan efendi Shllaku.63 Hasan efendiu bashkë me krerët e tjerë të kryengritjës hyri në Prishtinë më 22 korrik 1912.64
Sipas burimeve serbe, në Kuvendin e Junikut merrnin pjesë edhe muderrizë të tjerë nga Medreseja e Madhe dhe Medreseja e Vogël.65
Shkolla e vjetër shqipe, e hapur dhe e financuar pjesërisht nga Austro-Hungaria, e vazhdoi punën deri në fillim të shek. XX.66 Pos mësimit shqip, në fillim të këtij shekulli, në Gjakovë u përhapën edhe librat e gazetat shqipe.67 Falë amgazhimit të intelektualëve shqiptarë në Stamboll ajo e vazhdoi punën edhe më tutje. Mësues në këtë shkollë ishin Mihill Kurti, Pashko Logoreci, Ndue Bytyçi dhe Engjëll Ndoca.68
Revolucioni xhon turk dhe premtimet e qeveritarëve të rinj për më shumë të drejta kombëtare i dhanë hov lëvizjës për arsimimin në gjuhën shqipe si rrugë e vetme për të dalur nga errësira shekullore që kishte përfshirë vendin, pos tjerash, edhe për shkak të pamundësisë së shkollimit në gjuhën shqipe. Në këtë drejtim u dallua edhe Gjakova. Në gazetën “Lirija” të Selanikut, në një korespondencë të 3 dhjetorit 1908 nga Shkupi me titull “Letrë pi Kosove,” pos tjerash, lexojmë:”Ndër të gjitha gjytetet e Kosovës ma të kënaqun jemi për Gjakovën për kah ana e shqyptarizmit. Prej kti vendi marrim lajme të mira, ku na diftojn qi nji pjes e madhe e vendalive kanë msue me knu e me shkrue gjuhën e vet; e kët pun e patnë fidhue (filluar-MR) qysh se përpara lirijes ( vitit 1908 – MR). Gjakovasit përpiqen për me çil një msonjtore shqyp, e kemi uzdaj (shpresë-MR) qi ky mendim ka me u pëlqye prej krejt gjytetit e me u krye për të madhe dobi e lulzim të kombit ton e sidomos ktyne viseve të Kosovës qi, sikur thash sypri, qi sot jan për t’u kjamun me lot gjakut. Shpnesojm, pra, qi Gjakova ka me ken shembull edhe i tjerave qytete në Gegni e sidomos në Kosovë, ku shqyptari asht fort lerk e qi në kioftë qi shqyptarët e vërtet s’përpiqen me gjith fuqin qi kan për këto ana, jemi në rrezik të math, se anmiqt na kan rrethu gjithkah, ku me tradhtime t’tyne me na ba me ia siedh shpinen kombit tonë…”69
Po në këtë gazetë, një vit më vonë, lexojmë edhe këtë:”Deshir e mësimit shqip dita për ditë po përparon. Numri i atyre që dinin të këndojnë shqip s’isht më tepër se 300 kur sot janë më shumë se 1000 veta që këndojnë dhe shkrojnë gjuhën tënë. Sikundrë q’është bërë dhe në qytetet tjera ashtu dhe në Jakovë do të çelet një klub shqip.”70 Po këtë atmosferë entuziazmi na e sjellë edhe gazeta e Sofjes “Shqypeja e Shqypënis” e 15 korrikut 1909, e cila shkruante se në Gjakovë filluan ta mësojnë gjuhën shqipe “i madh e i vogël”, të cilët përpiqeshin “me gjith zembër për shëndritjen dhe qytetnimin e Shqypenis”71.
Gazeta “Lirija”, më 1909, na sjellë një informatë për dërgimin e shtatë nxënësve në normalen e Elbasanit me ndihmën e klubit të Shkupit. Ndër ta ishte Hamdi Ibrahim Jakova.72 Po kjo gazetë lajmëronte, më 6 shkurt 1910, se në normalen e Elbasanit shkoi Rexhep Mehmed Jakova.73 Një muaj më vonë, sipas gazetës së përmendur, shkuan në normalen e Elbasanit Haki, Ibrahim dhe Arsllan Jakova,74 ndërsa në mars të po këtij viti shkuan edhe Arsllani nga Jakova, Hajredini nga Jakova dhe Ramisi nga Jakova.75
Të përmendim, me këtë rast se Bajram Curri i kushtoi kujdes të veçantë përdormit të gjuhës shqipe në shkollë para revolucionit të Turqve të Rinj. Në një raport të konsullatës austro-hungareze në Shkup, ndër të tjera, lexojmë: “Inisjatorja e saj (e kërkesës për përdorimin e gjuhës shqipe në shkollë dhe në letërsi – MR) është “Shoqëria për lirinë e Shqipërisë” dhe sidomos degët e saj në Selanik dhe Manastir, të cilat me shumë energji dhe shumë zotësi kanë filluar pushtimin e Kosovës për idenë kombëtare…Në këtë mënyrë të dërguarit e “Shoqërisë,” të cilët qysh nga fillimi i këtij viti (1906-MR) po kalojnë nëpër vilajetet, korrën suksese të habitshme. Në radhë të parë, në Gjakovë, ku u formua një degë e “Shoqërisë,” e cila ka shumë anëtarë, ndër ata edhe bejlerët më me rëndësi. Në te hyri edhe Bajram Curri që u kthye në Gjakovë, të cilin qeveria turke zakonisht e mban në Shkup.”76 Më vonë Bajram Curri e vazhdoi veprimtarinë për përhapjen e arsimit shqip. Sipas shtypit të kohës atdhetari i shquar orvatej “me gjithë zember për me pa amën Shqypëni një or ma shpejt të shëndritun e të qytetnuet.”77
Sipas kujtimeve të Sali Morinës, njerit nga pishtarët e parë të arsimit shqip në Gjakovë gjatë Luftës së Parë Botërore, që në vitët 1905-1906, një grup arsimdashësish si Osman Nikoliqi, Riza Thaçi, Haxhi Tahiri e të tjerë organizuan nën masa të rrepta ndjekjeje të pushtetit osman kurse, në të cilat mësohej gjuha shqipe fshehurazi. Njeri nga vijuesit e këtyre kurseve ishte edhe Sulejman Ibra nga fshati Ahmataj i Malësisë së Gjakovës, i cili ka dërguar, më 1909 – 1910, edhe disa artikuj në Sofje mbi përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe në Gjakovë dhe në Malësinë e saj 78.
Bajram Curri bëri përpjekje për hapjen e shkollës shqipe në Gjakovë dhe në fshatrat përreth qysh më 1911. Gazeta “Shkupi”, më 1911, në artikullin “Bajram be Curri dhe shkollat shqipe”, ndër të tjera, shkruante:”Në saje të ndihmës morale të Bajram-begut në Gjakovë, mendojmë se mbrenda nji kohe të shkurtë – me leje të shtetit – do të hapim shkollat shqipe si në Gjakovë, ashtu edhe në fshatra të Gjakovës. Ja, ditë fatlume për popull…”79
Të theksojmë se në përhapjën e librit dhe të shtypit në gjuhën shqipe, të ndaluar rreptësisht nga pushteti osman, një meritë të veçantë kishte Teqeja e Bektashinjve në Gjakovë. Shumica e pjestarëve të tarikatit të saj Osman Nikoliqi, Ismail efendi Ibrani, Sadik Zajmi, Ali Zajmi, Mustafë Këpuska, Niman Ferizi, familja Tërbeshi etj. i shpërndanin librat shqipe, të botuara në Bukuresht dhe në kolonitë e tjera shqiptare, të cilat i sillte deri në Shkup Osman Nikoliqi. Nga Shkupi i tërhiqte në Gjakovë Idriz Nivokazi80. Ato ruhëshin deri më 1906 në familjën Zajmi, deri kur u zbulua kjo bazë dhe u konfiskuan kontigjente të mëdha librash shumë interesante, madje, edhe të tjera në gjuhë të huaja, me ç’rast u burgos Ali Zajmi, i cili u torturua keq, por që shpëtoi, falë protestave të rrepta të krerëve të Malësisë, që i kërcënuan me armë autoritetet qeveritare osmane. Pas kësaj depoja e librave shqipe kaloi te familja Terbeshi. Për ta kursyer famljen Zajmi nga torturat e mëtejshme, edhe mbledhjet që mbahëshin për organizimin e shpërndarjës së librit shqip në viset e tjera të Kosovës, vazhduan të organizohëshin, më vonë, në shtëpinë e Taib Bakisë, ku banonte Haxhi Adem Babai, kreu i Teqesë së Bektashinjve81.
Ndjekjet dhe torturat ndaj atdhetarëve shqiptarë, në raste krizash dhe kryengritjësh antiosmane merrnin përmasa të tmerrshme. Në një anë ata varën asokohe në Gjakovë Shaban Binakun, ndërsa nga ana tjetër masakruan në burg bashkëpunëtorin e ngushtë të Bajram Currit, telegrafistin Idriz Nivokazin82.
Në vitet 1910-1912 Ali Zajmi ishte korespondent i gazetave “Shqipëtari”, “Drita”, “Shkupi”, dhe “Shkumbi”, në të cilat botonte me pseudonimin Besniku, pos shkrimeve patriotike mbi ngjarjet e kohës, edhe artikuj kushtuar, kryesisht, shkronjave dhe librave shqipe. Kështu, bie fjala, ai lajmëronte, pos tjerash, se “Vendimi i Shehislamit (Kryefetarit të Perandorisë-MR) për përdorimin e shkollave arabishte për gjuhën shqipe ka shkaktuar në Shqipëri një zemërim shumë më të madh se pandeheshe”83. Në shkrimin “Cilët janë fajtorët e vërtetë që s’kemi libra shkollare?” autori ankohet se të gjitha këto shoqëri që ekzistojnë jasht vendit nuk po janë në gjendje t’i plotësojnë të gjitha nevojat për libra shkollorë për shkak të “mos përkujdesurit që tregojnë (prijsit e këtyre shoqërive-MR) për nevojat e kombit dhe për dëmbellëkun e tyre”. Ai kërkonte “që këta qeveritarë që e shohin veten e tyre në pasqyrë me artikullin t’onë, ose të zënë të punojnë ashtu si e kërkon interes’ i kombit Shqipëtar dhe qëllimi i shoqërisë që qeverisin ose të lënë vëndin që kanë të tjerëvet që të punojnë…”, sepse “Dit për dit po marrim letra nga të gjithë anët e Shqipërisë me anën e të së cilavet na kërkojnë libra dhe ne na copëtohet zemra kur u përgjigjemi dhe u themi se nuku kemi”84. Po në këtë numër hasim edhe në shkrime të tjera të Ali Zajmit mbi ngjarje të kohës, sidomos të atmosferës që mbretëronte midis kryengritësve që ishin strehuar në Mal të Zi dhe të gjendjës së nderë në Gjakovë dhe në Malësinë e saj. Por, do të ndalemi shumë shkurt në shkrimin “Libra mallëkim’ i shkronjavet Shqip”, i cili “përmbledh vepërat dhe qëllimnë për të cilët shorti priftëror i Patriarqisë ka mallëkuarë shkronjatë Shqipe, dhe tregon gjer’ e kthielltë mënyrënë që kanë përdorurë dhe po përdorinë meshëtarët’ e kishësë Patriarqika kundrë përparimit të shkronjavet dhe gjuhësë Shqipe”. Sipas tij “Në këtë librë merrenë vesh kthielltë gjithë intrigat dhe paudhësitë me të cilatë doninë dhe duanë të pengojnë përparimin e gjuhësë Shqipe punëtorët e kishesë Patriarqike”. Ai përfundonte se “Kjo librë është një mësim për të përdorurë ndër ata që s’dinë ç’është feja, dhe një përdurje e fortë për të mburuarë nga intrigandet që përdorinë fenë si gogol kundrë të paditurët. Prandaj këtë librë e dorëzojmë në gjithë miqt’ e së vërtetësë dhe së drejtësë”85
Në shkurt të vitit 1912, don Pashk Krasniqi, famullitar i Ferizajit, kërkoi nga përfaqësuesi austro-hungarez në Beograd hapjen e një gjimnazi katolik në Gjakovë.86
Bajram Daklani dhe Zeqir Halili, në mars 1912, ia prenë rrugën Haxhi Adil beut, ministrit të brëndshëm turk te Ura e Fshajit dhe i kërkuan hapjen e shkollave shqipe dhe përdorimin e alfabetit latin në to.87 Mirëpo, okupimi i qytetit nga forcat serbo-malazeze më 1912 pengoi çfarëdo orvajtjeje për hapjen e tyre.88
Lufta e Parë Botërore krijoi kushte të favorshme për ngritjen e shkollave të reja në Gjakovë dhe në vise të tjera të Kosovës. Pas depërtimit të ushtrisë austro-hungareze drejt jugut, ushtritë serbo-malazeze u detyruan ta lëshojnë Gjakovën dhe një pjesë të Rrafshit të Dukagjinit. Kësisoji, me nismën e Bajram Currit, u hapën në Gjakovë shkollat shqipe para arritjës së ushtrisë austro-hungareze.89 Sipas njerit nga mësuesit e parë të kësaj shkolle, Qazim Bakallit, një grup mësuesish, kryesisht, gjakovarë, shumica bashkëpunëtorë të Bajram Currit, u mblodhën në shtëpinë e Niman Ferizit dhe vendosën ta shfrytëzojnë rastin e përshtatshëm për ta hapur shkollën shqipe në Gjakovë. Aty u miratua vendimi edhe për themelimin e Bashkisë së vendit me nëpunës shqiptarë dhe me administratë në gjuhën shqipe. Shkolla menjëherë ia filloi punës në ndërtesën e Mejtepit Ruzhdije. Mësuesit punonin pa pagesë, pasiqë qëllim të vetëm kishin shkollimin sa më të shpejt të të rinjve në gjuhën shqipe,90 përgatitjën e tyre për të punuar në administratën e vendit dhe për tu aftësuar të ndjekin shkollimin e mëtejshëm.91
Shkolla fillore e Gjakovës ishte e ngarkuar me më shumë lëndë mësimore se sa shkollat e tjera të të njejtit rang. Kjo bëhëj për shkak të mungesës së shkollave të mesme, të cilat do të siguronin kuadro për administratën e re në gjuhën shqipe. Për këtë arsye kjo shkollë ishte gjashtë klasëshe.92
Kjo shkollë punonte sipas programit sintetik të Austrisë. Qëllim kryesor kishte edukimin mendor e fetar të nxënësve. Prandaj nxënësit ishin të ngarkuar me shumë orë në javë. Tekstet që përdoreshin në këtë periudhë ishin të botuara në Vjenë.93
Lënda kryesore në këtë shkollë ishte gjuha shqipe. Këtë e dëshmojnë detyrët që merrnin nxënësit nga arsimtarët për mbledhjen e këngëve popullore, gjëegjëzave, anekdotave, përrallave etj.94 Pos kësaj mësoheshin aritmetika, gjeometria, historia, gjeografia, histori natyre, fizika, lendët e shkathtësive si bukurshkrimi, kënga, gjimnastika; mësohej “dija gjytetnore”, mësimi i fesë dhe kurani.95
Mësuesit e parë të kësaj shkolle ishin ata që morën nismën për hapjen e saj: Niman Ferizi, Sali Morina, Ferid Imami, Ibrahim Fehmiu, Qazim Bakalli, Ibrahim Kolçi, Mon Osa, Isuf Puka, Murat Gjakova (Muhaxhiri), Engjëll Ndoca nga Shkodra, Latif Shaqiri, Beqir Quka (Pozhegu) etj.96
Shkolla e parë shqipe në Gjakovë “Skënderbeg” ishte nën kujdesin e klubit patriotik “Besa kombjare,” i cili zhvillonte në Gjakovë dhe në qytete të tjera të Kosovës një veprimtari të dendur politike patriotike. Drejtor i parë i shkollës u caktua Sali Morina.97
Më vonë, në Gjakovë u themeluan edhe dy shkolla shqipe katërklasëshe me 500 nxënës. Drejtorë të këtyre shkollave ishin mësuesit nga Zara: Tomo (Ivo) Maroviq, Zef Duka dhe, në fund, mësuesi Peroviq.98
Në Gjakovë u themelua një shkollë e veçantë për vajza, në të cilën punuan mësueset Dominika Ndoca, Jozefa Ndoca dhe Eminja e Haxhi Sheh Dulës.99
Krahas klasëve për nxënës të rregullt, në Gjakovë u hap edhe një kurs për të rritur analfabetë, në të cilin, më 1918, i vijonin mësimet, “150 përsona të rritur moshe prej 18-40 vjeçare.”100
Mësuesit e shkollave shqipe të qytetit të Gjakovës ndihmuan shumë në zgjërimin e rrjetit shkollor nëpër fshatra dhe qendra të tjera të Kosovës. Kështu, bie fjala, po më 1915, u hap në Pejë Shkolla Fillore “Skënderbeu” drejtor i të cilës ishte Murat Gjakova (Muhaxhiri),101 të cilit iu bashkua, më vonë, Ibrahim Kolçi.102 Ibrahim Kolçi, para se të kalojë me shërbim në Pejë, e mori një vërtetim nga trupi mësimor i Gjakovës, të cilin e vertetoi shoqëria “Besa Kombijare” e Gjakovës, vërtetim që iu lëshohej të gjithë aryre mësimdhënësve, të cilët nuk ishin shkolluar në gjuhën shqipe, por që ishin të aftë të mbanin mësim në shkollat shqipe. Pas këtij formaliteti, drejtori i arsimit të Gjakovës i drejtohet inspektorit të arsimit në Pejë:”Ju njoftojmë zotërisë suaj se në vend të mësuesit Ibrahim Fehmiu, po ua dërgojmë mësuesin Ibrahim Kolçin. Me nderime, nga drejtori i arsimit Sadiku”.103
Në shkollën tjetër “Haxhi Zeka” të Pejës ishte mësues Ali Hajdar Berisha (Haxhishehdula) nga Gjakova.104
Në Vushtrri shkollën shqipe e drejtonte, Abdullah Hadri; në Cërmjan Muharrem Domi; në Drenoc të Vokshit Ibrahim Fehmiu;105 në Irzniq Latif Shaqiri.106
Mësuesit dhe arsimtarët e klasëve të larta të shkollave shqipe të Gjakovës kishin kryer, kryesisht, Shkollën Normale të Beratit (Qazim Bakalli), apo idadijen (gjimnazin turk) e Shkupit (Latif Shaqiri, Ibrahim Kolçi, Beqir Pozhegu, Muharrem Domi).107 Disa prej tyre kishin njëfarë përvoje pedagogjike si Sali Morina, Niman Ferizi, Ferid Imami dhe Qazim Bakalli, të cilët, gjatë vitit shkollor 1913/1914, kishin shërbyer si mësues të shqipes në Berat nën drejtimin e patriotit Babë Dudë Karbunarës.108 Ibrahim Kolçi e kishte filluar karierën e tij në Kala të Dodës gjatë vitit shkollor 1911/1912 për ta vazhduar në Krumë gjatë vitit shkollor 1914/1915. Pas legalizimit të shkollave shqipe në Kosovë, me ndihmën e Bajram Currit, ai bashkë me një grup mësuesish kosovarë kthehet në vendlindje.109
Disa të tjerë, 17 prej tyre, kishin kryer kursin pedagogjik dymujor në Pejë gjatë viteve 1916 dhe 1917.110
Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore më 1918 u mbyllën të gjitha shkollat shqipe në Kosovë. Gati të gjithë mësuesit patriotë gjakovarë kaluan në Malësi ku, më 17 tetor 1922, themeluan shkollën e parë shqipe në lagjën Dojan të fshatit Bunjaj, e cila ishte nën përkujdesjen e Bajram Currit dhe të shokëve të tij. Shkolla me internatin “Kosova,” në fillim në Kolgecaj, e, më vonë, në Krumë u bë çerdhe e të rinjve kosovarë, të cilët, duke rrezikuar jetën, kalonin kufirin për tu shkolluar në gjuhën amtare.111 Ata hasën në një atmosferë të ngrohtë prindrore, të krijuar nga mësuesit në shkollë dhe nga malësorët bujarë jasht saj. Për të përballuar shpenzimet jetësore, shteti shqiptar, megjithë mjetet e kufizuara buxhetore, caktoi për nxënësit kosovarë një numër bursash, që kurrë nuk ishin të mjaftueshme për shkak të rritjes së vazhdueshme të numrit të tyre. Në një raport të Prefekturës “Kosova”, dërguar Ministrisë së Arsimit në gusht 1923, ndër të tjera, lexojmë:”Kjo Prefekturë ka ngelë në një pozicion tepër të vështirë para drejtimeve (kërkesave-MR), që janë tue ju ba prej djemve të vegjël të Kosovës, që tue lanë pllang e shtëpi, gjithnjë po vijnë e kërkojnë me u futur në shkollat e Shqipnis…sado që kemi marrë masa me i futë një pjesë të këtyre djemve ndër shkollat e këtij qarku, kurrsesi nuk po mundemi me u ba ballë drejtimeve të parreshtura…”112 Gati që të gjithë u kthyen, më 1941, në vendlindje, duke vënë, bashkë me kolegët e tyre nga Shqipëria, themelet e arsimit shqip dhe të administratës shqipe në Kosovë.
Që të gjithë mësuesit përqafuan programin e shoqërisë “Bashkimi” të Avni Rustemit, duke iu bashkuar, kësodore, lëvizjës demokratike në Shqipëri, të cilës i printe në Malësi Bajram Curri. Sipas A. Vokrrit, “Formimi i shoqërisë kulturo arsimore “Bashkimi” në Gjakovë u bë me propozimin e Avni Rrustemit, i cili në vitin 1924 inicoi çështjën e formimit të shoqërive kulturo-arsimore…degë të kësaj shoqërie formohen në Krumë, Bicaj, Gjakovë dhe gjetiu”113. Ai pohon, më tutje, se “themelimi i kësaj shoqërie është i lidhur ngusht me emrat e punëtorëve të shquar të arsimit siç janë: Sali Morina, me vendbanim në Bicaj, e që ishte drejtor i internatit “Kosova”, Ibrahim Kolçi, mësues në Kolgecaj dhe Qamil Luzha, mësues në Krumë. Pa dyshim një kontribut të shquar në këtë shoqëri dhanë edhe punëtorët mësimor si: Hasan Feridi, Jusuf Dushi, Hamdi Jetiu, Hamdi Zajmi, Baba Qazim Bakalli, Osman Shaqiri, Shyqyri Morina dhe Tahir Zajmi, të gjithë me vendbanim në Gjakovë”114.
Ndër nxënësit e parë që kryen shkollën shqipe në Gjakovë ishin Vehbi Meqa, Isa Dautaga, Selman Riza, Qazim Haraqia, Minip Bokshi, Mazllom Rizvanolli etj.115
Ata, të cilët nuk arritën t’i përfundojnë mësimet në Gjakovë kaluan në Shqipëri, ku e vazhduan shkollimin e mëtejshëm si Asim Vokshi, Emin Duraku, Hajdar Dushi, Latif Ymer Jaka ej.