Thursday, April 4, 2024
AktualeLajme

Ndryshimi i temperaturave sjell telashe me shëndetin

QKMF Gjakove

Ndryshimet e motit sjellin telashe për shëndetin. Muaji dhjetor karakterizohet edhe me sëmurjet sezonale të cilat rëndom paraqiten në këtë pjesë të vitit.  Dr. Fehmie Jaka-Zeka, specialiste e mjekësisë primare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë, thotë se ndryshimet e motit karakterizohen me paraqitjen e sëmurjeve të lehta të cilat nëse nuk trajtohen si duhet mund të paraqesin komplikime serioze për shëndetin.

‘Këto sëmundje nisin me rrjedhje të hundës, teshtima e të tjera, ndërkohë që nëse nuk bëhen vizita të domosdoshme tek mjeku ato mund të determinojnë paraqitjen e pneumonive të ndryshme, bronkitit akut e sëmurjeve të tjera të rrugëve të poshtme respiratore’, ka thënë Zeka.

Kur është fjala tek sëmundja sezonale e njohur si gripi, doktoresha, Jaka-Zeka, ka thënë se aktualisht në komunën e Gjakovës, nuk është izoluar virusi i gripit ndërkohë që, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë ka përfunduar marrja e masave adekuate për parandalimin e tij.

‘Gjatë periudhës nga 15 shtatori e deri me 20 nëntor, janë shpërndarë gjithsejtë 3 mijë e 500 vaksina kundër gripit, ndërkohë që  jo gjithmonë dhe në të gjitha rastet duhet të merret vaksina e gripit, dhe për një gjë të tillë ` preferohet paraprakisht vizita tek mjeku’, tha dr. Fehmije Jaka- Zeka.