Friday, April 5, 2024
Lajme

Inaugurohet Qendra e Komuniteteve në Lagjen ‘Kolonia’

koloniaNë kuadër të programit për  integrimin e  komuniteteve Rom Ashkali dhe Egjiptas, i cili implementohet në tërë Kosovën, Komuna e Gjakovës në bashkëpunim me  Caritasin  e  Kosovës , si dhe Caritasin e Zvicres,  të enjten  ka bërë inaugurimin e Qendrës së Komuniteteve në lagjen “Ali Ibra”, ish “Kolonia” në Gjakovë. Të pranishmëve në këtë manifestim  fillimisht ju është drejtuar Don Viktor Sopi, drejtor gjeneral i Karitasit të Kosovës, i cili ndër të tjera ka thënë se kjo qendre në fokus do të ketë arsimimin e fëmijëve të këtij komuniteti, ndërkohë që njëkohësisht aty do të zhvillohen edhe aktivitete tjera. Sipas don Sopit,  në Qendrën e cila u përuruar sot do të zhvillohen edhe trajnime për çështje gjinore, përkatësisht kundër dhunës ndaj gruas, pastaj për martesat e hershme, për zhdukjen e analfabetizmit e të tjera. Në anën tjetër  Mimoza Kusari Lila,kryetare e Komunës së Gjakovës ka thënë se  Qendra e komuniteteve në lagjen Ali Ibra tashmë është shndërruar në një shkollë të dytë për nxënësit e këtij komuniteti, ndërkohë që aty do të realizohen edhe konsulta mjekësore, kujdesi shtëpiak për persona në moshë si dhe shërbime tjera.

” Nuk ka ndjenjë më të mirë se sa të investosh dhe të kujdesesh për të ardhmen”, ka thënë me këtë rast e para e komunës Kusari Lila. Në manifestimin e sotëm, me rastin e përurimit të Qendrës së komuniteteve në Gjakovë, ka fol edhe  Kreshnik Basha, shefi i zyrës së Caritasit Zviceran, kurse në emër të komunitetit ka falënderuar Afrim Shala.