Friday, March 29, 2024
Lajme

Debat publik për ujin e pijshëm për fshatrat e Rekes së keqe

DebatHistoria 13 vjeçare e projektit të furnizimit me ujë të pijes për fshatrat e Rekes së Keqe duket se do të përfundoi më 2016, ndërsa sipas Halil Ahmetit,  kryetar i Bashkësisë Lokale të Ponoshecit, banorët e kësaj zone mezi po e presin . Ai këto mendime i shfaqi në një debat publik me qytetar  që  Komuna e Gjakovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor, e mbajti të enjten  për raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis për qendrën e ndërtimit të rrjetit kryesor të ujësjellësit për dymbëdhjetë fshatrat e Rekës së Keqe, nga burimi “Bjeshka e Babaj e gjer në fshatin Nivokaz” të komunës së Gjakovës.

Shukri Shabani, nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, para qytetarëve prezent ka pohuar se është obligim ligjor të mbahet një debat i tillë publik me qëllim që të dëgjojmë brengat dhe shqetësimet e qytetarëve. Z. Shabani gjithashtu ka bërë të ditur se që nga dita e sotme, qytetarët munden edhe me shkrim ti përcjellin shqetësimet apo vërejtjet e tyre në Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor, të cilat më pas do të trajtohen nga ministria. Bexhet Bytyqi, inxhinier i diplomuar i gjeologjisë, në bashkëpunim me zyrtarë të Komunës së Gjakovës ka përpiluar këtë studim të rëndësishëm të cilin e prezantoi shkurtimisht para qytetarëve prezent në debatin publik. Z. Bytyqi shkurtimisht ka theksuar se ky projekt arrin vlerën prej një milion e pesëdhjetë mijë euro dhe ka një shtrirje prej mbi dhjetë kilometrave, ku do të përfitojnë mbi dhjetë mijë banorë.

Qytetarët prezent kanë shprehur pyetje të ndryshme, si dhe interesimin e tyre për ndikimin në ambient, nëse ky projekt do të ketë ndikim negativ, me këtë rast është theksuar se nuk do të ketë asnjë problem në aspektin e ambientit. Mirdita Ademaj, asambleiste komunale ka shprehur interesimin se a do të ketë ujë të bollshëm për furnizim të këtyre fshatrave. Ndërsa, Silvana Domi, drejtoreshë e Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Gjakovës, ka pohuar se sipas studimit, ka sasi të bollshme të ujit dhe se kushtet teknike janë të pranueshme.

Pas debatit publik, qytetarët mund të shprehin edhe komentet, vërejtjet apo kërkesat e tyre dhe ti dërgojnë në Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor, ndërkohë që këtë studim vlerësues mund ta konsultojnë edhe në faqen zyrtare të Komunës.