Thursday, March 21, 2024
AktualeGjakova Presss

Çka nuk mbajnë shtyllat e ngrata!!!

SHTyllaJu ka rënë të shihni rrugëve të qytetit të Gjakovës shtylla të këtilla sikurse kjo në foto. Një mijë e një lidhje, një mijë e një tela bakri, alumini, mesingu, të hollë e të trashë, të zi e të bardhë,  të kuq e të larmë. Janë shtylla elektriku që para shumë dekadash, (nja pesë po se po), janë vënë dhe bartin tërë këtë peshë të viteve e sistemeve shoqërore. Prej atëherë përmes këtyre lidhjeve që pushojnë në shtyllat “e ngrata” ka kaluar shumë energji elektrike që ka furnizuar shtëpitë tona, dyqanet, fabrikat, rrugët… Shtyllat kanë bartur sisteme të ndryshme dhe bashkë me to “marifete” të ndryshme. Nga sistemi komunist, te ai i okupimit të egër serb, pastaj tek UNMIKU, Qeveritë e Përkohshme, AKP ja, privatizimet… të gjitha këto lëvizje kanë kaluar mbi kurrizin e shtyllave të elektrikut…

Dikur këto shtylla peshën më të madhe i kanë pasur katër tela rryme, një strofull pëllumbi apo  çerdhe dallëndysheje, ose në periferi çerdhe  lejleku dhe vargun e zogjve nëpër  telat e rrymës që i dekoronin ata. Shtyllat ndjeheshin të lumtura me zogjtë dhe cicërimën e tyre. As nuk ndjenin lodhje.

Po sot?

Njerëzit kanë ndryshuar e shtyllat jo! Janë rritur lagjet, janë ndarë vëllezërit dhe  kanë ndërtuar shtëpi. Në oborret tona sa luadhe, sot janë dy tre shtëpi të reja. Të gjitha lidhje të reja elektrike drejtë në shtyllën e vjetër…Kanë lindur dhe shyqyr Zotit jemi bërë shtëpi të mëdha me kërkesa më të mëdha për energjinë elektrike. Por janë të njëjtat shtylla  që i kanë parë babë e babagjysh… Shtyllat bartin tërë këtë peshë të telave e kabllove që varen në të…

Sikur shtyllat të kishin gojë e të flisnin, kushedi se çka do të thoshin…!

Posaçërisht tash në shekullin  e ri  atyre iu vu në shpinë edhe rrjeti kabllor telefonik, shumë sisteme interneti, shenja trafiku, letra të vdekurish, pllakate për shitje blerje, mbledhje, tubime….Mjafton një shikim drejtë shtyllave të këtilla si në foto, dhe gati sa të bënë të ndjehesh keq për mundin që kanë ato… Shyqyr që fjalët që kalojnë nëpër kabllot e internetit nuk kanë peshë, se do të bëhej kiameti. Shtylla mban lidhjet telefonike dhe të internetit, nëpër të cilat kalojnë mijëra biseda në minutë, herë me pare e herë  me biber… Plus televizionet me programet krejt politike çdo ditë po na “qajnë” kokën. Plus serialet turke e spanjolle që po na bëjnë aktorë edhe neve qytetarëve duke i shikuar çdo ditë. Krejt lidhjet kalojnë nëpër shtyllën “multifunksionale”, demek për gjithçka!!!

Ku është shiu e bora, ngricat e vapa që rëndojnë mbi këta tela që peshojnë në shtylla?!. Ku janë goditjet e pamëshirshme të disa shoferëve me makinat e tyre! Ku janë goditjet me kokë të disave të hutuar nga përditshmëria që të habitur i godasin pahirë me kokë dhe yjet u sillen rreth kokës…

Ah, sikur të kishin gojë shtyllat do të pëlcisnin!