Monday, April 1, 2024
AktualeLajmeLajmet e shpejta

Të hënën diplomon brezi parë në Universitetin e Gjakovës

Brezi i parë i të diplomuarve në Universitetin publik të Gjakovës  “Fehmi Agani” të hënën solemnisht do të marrin diplomat. Me këtë rast do të organizohet  ceremonia e diplomimit të studentëve të parë. Kjo vatër e arsimit të lartë,  që bazën e ka në traditën e lashtë të popullit arsimdashës të Gjakovës, ka filluar punën  në vitin e parë akademik 2013/2014. Më saktë , Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” ka filluar punën me 1 tetor 2013 me Fakultetin e Edukimit me programet Parashkollor dhe Fillor, Fakultetin e Mjekësisë me programet Infermieri dhe Mami dhe Fakultetin e Filologjisë me programet Gjuhë Shqipe dhe Gjuhë dhe Letërsi angleze, ndërsa aktualisht në këtë universitet veprojnë tri fakultete: Fakulteti i Edukimit, ai Filologjik si dhe Fakulteti i Mjekësisë. Në amfiteatrot e Universitet të Gjakovës dhe hapësirat tjera, laborator dhe ushtrimore brenda tij, studimet i vijojnë rreth 2 mijë e 800 studentë, prej të cilëve rreth 600 është numri i studentëve të cilët këtë vit e kanë filluar  vitin e parë të studimeve.

Do të jetë kjo një festë e madhe e studentëve, edukatorëve e profesorëve të ardhshëm  të cilët me mësimet dhe idetë e reja pritet të jenë një  krenari për vendin dhe një  shtytje zhvillimit të përgjithshëm.  Ceremonia e diplomimit të studentëve të gjeneratës së parë, në të cilën janë ftuar të marrin pjesë edhe krerët më të lartë Institucional mbahet, të hënën, me 30 janar në orën 11.00 në Sallën koncertale të Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” ne Gjakovë.