Tuesday, April 2, 2024
Aktuale

YLLKA QË SHKËLQEU NË ZAGREB

Shkolla e Muzikes

Yllka Shyti, nxënëse e klasës së gjashtë të shkollës së mesme të
muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, me sukses ka prezentuar Kosovën në
garat e mbajtura në Zagreb për pianistë dhe violinistë të rinj.
Si konkurrente e kategorisë së tretë për nga mosha, në garë me 14
kundërkandidatë nga mbarë Evropa, në saje të ekzekutimit me sukses të
disa pikave instrumentale në piano të autorëve të njohur botëror, ajo
është laureuar me dy diploma.
Organizatorët e këtij aktiviteti në Zagreb, Yllkën e kanë diplomuar
për pjesëmarrje dhe suksesin e treguar në gara,  kurse një diplomë
tjetër i është ndarë nga prof. Akil Koci, me motivacion, për:
ekzekutim të suksesshëm të veprës “Invencioni tre-zanorë i Bah-ut” dhe
“Valsin e Shoppen-it”.
Ky aktivitet që konsiderohet të jetë i një rëndësie të veçantë, është
organizuar nga shkolla e muzikës “Pavla Markovca” në Zagreb dhe i
njëjti është mbështetur nga Qeveria e Zagrebit.
Yllka Shyti, e cila për mëse dhjetë herë ka marrë pjesë në gara të
organizuara në vende të ndryshme të botës, me talentin e saj me sukses
ka përfaqësuar Kosovën, duke e radhitur vendin tonë në mesin e
shteteve më të sukseshme në lëmin e kulturës muzikore.
Duke marrë parasysh, talentin e treguar në vende të ndryshme të Botës,
Yllka, shpjegon faktin se kësaj radhe i ka munguar mbështetja e
Kuvendit të Komunës së Gjakovës, ndërkohë, ajo falenderon
profesoreshën e saj Mimoza Kurshumlija, në përgatitjen profesionale që
i ka ofruar asaj për të marrë pjesë në këto gara.