Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

Zejet e Gjakovës: qeleshepunuesit (plisagjinjt)

Radha e dyqaneve të plisave në krahun e majtë në  “Tenelzen e namazgjahut” të Gjakovës e që vazhdonte varg deri tek “Loma e Drithit” e tutje nëpër Çarshinë e Vjetër e ruajtur në fotografi, incizime e kujtime nga breza të mesëm e të moshuar, tregon për një zhvillim të madh të zejes së plisagjinjve.   Musa Kika, i cili ka mbi gjashtë dekada që “bashkëjeton” me zanatin e plisaxhiut, vazhdon të punoi plisa duke mbajtur të gjallë këtë zeje dikur mjaftë të përhapur në qyetin e Gjakovës. Ai ka shpjeguar gjitha operacionet që kërkohet të bëhen për prodhimin e një plisi.

Kika, ka kthyer kohën prapa për të rrëfyer për zanafillën e këtij zanati duke kujtuar se dikur shumëkush mbante  plis në kokë e tash shumë pak dhe për mbi 20 punëtori të qeleshepunuesve  (plisagjive) të Gjakovës.

I pyetur për familjet dhe punëtorit që kanë qenë të vendosura në Çarshinë e Vjetër, Kika kujton:

“Punëtoritë e plisave kanë qenë në  Lomen e Drithit. Kanë qenë dyqanet e familjes tonë- Kikës, pastaj    Nimon Gërkuqit, Dervish Vules, Lah Kasapit, ndërkohë që  e pat hapur dyqanin edhe Nazim Lota. Në teposhtëse të namazgjahut kanë qenë Zhavelt, Ferhat Lota, Rexhep Soba, Sherif Matoshi, Eshref  Pasha,  pastaj  Ali  Nuzamala, Shaip Kasapi, Muhamet Cana, Rexhep Dina, Zeqir Vula e tj. Me këtë zeje është marrë edhe familja Mula. Isuf Mula  ka pasur dyqan edhe në Shkodër

“Këtë zanat e kam mësuar nga të parët e mi prej moshës 13-vjeçare. Është një zanat i vjetër që e kemi praktikuar gjithë familja”, ka thënë Kika duke shtuar se nga viti 1960 ka filluar të bie numri i dyqaneve të plisave në Gjakovë.

Kika (83-vjeçar), i cili është ndër plisaxhinjtë më të vjetër të Kosovës,  flet edhe për vështirësitë e këtij artizanati, që sipas tij është në prag të shuarjes.

“Është një zanat i rëndë dhe kemi vështirësi për ta siguruar lëndën e parë. Por meqenëse është traditë kombëtare duhet të ruhet, sepse është hazër për t’u braktisur krejt”, ka thënë ai.

Kika e ka përshkruar edhe me fjalë punën deri te finalizimi i prodhimit të një plisi.

“Gjithë procedura zgjat prej 20 deri në 25 minuta, varësisht se sa është plisi i trashë. Fillimisht leshi dërgohet në makinë dhe matet me gram, mandej fillon procesi. Janë afro 14 operacione deri te prodhimi final. S’pari duhet të sigurohet  leshi. Ai duhet të ndahet, të dliret- pastrohet , pastaj  të shprishet. Përpara nuk ka pas maqinë të shprishjes dhe ky operacion bëhej me jajë t’madhe e cila ka qenë shumë e zorshme. U shprishke aty e prej asj vinte n’atë jajen e vogël-  e njohur me emrin Sere. Vjen operacioni I ngjeshjes në sere,  atëherë plus asaj duhet në tezgjah. Aty vijnë  operacionet e ngjitjes. Sapo të ngjiten duhet mu punu, me u bo petë dhe me qenë i gatshëm. Pastaj mbetet  veç me u terë e me hy në kallyp. Kur t’qitet n’kallyp duhet me u qeth plisi. Operacioni I fundit është futja në “surfull” për zbardhim e tek atëherë me u terë e përsëri me u qethë.

Duke precizuar se çmimi i një plisi aktualisht sillet rreth 7 euro, Kika ka shprehur shqetësimin se kohëve të fundit ka rënë interesimi.

“Secili popull e ka traditën e vet. Ky artizanat është pjesë e traditës sonë, por kohëve të fundit është duke shkuar mjaft poshtë”, ka thënë ai.

Sipas tij janë prodhuar katër lloje të plisave : Janë quajtur  Benga plisat  më të mirë që janë punuar nga leshi më i pastër, Biringjija, Testellyk dhe e katërta dorë ishte Plisa të hollë.

Baca Musa kujton kohën kur shumë qytetarë të Gjakovës sikurse edhe të mbarë Kosovës mbanin plisa në kokë. Ai thotë se në Gjakovë të rinjtë mbi moshën 20 vjeçare mbanin plisa.

“Kishte pas qenë një terzi i njohur , Osman Haxhiavdyli i cili si mjeshtër që ishte,  kishte  të punësuar shumë kallfë në punëtorin e vet.  Ishin kon lidh me kusht dy kallfallar të tij me nga një sillë(drekë),   se a mundet njeri nga ta të ec këmbë nga Çarshia e Vjetër e deri te Ura e Islam Begut pa e vu plisin në kokë. Ishte nisur njëri nga këta të dy dhe ende pa shku te caku , nja 50 metra, i nënshtruar nga shikimet habitëse të  gjithë kalimtarëve, nuk ka duruar dhe është kthyer prapa. Kish pas thënë: Mjeshtër shkruma mu sillen me çuran e me krejt se e humba kushtin!. Njëmendë më erdh marre kur më shikojshin të gjithë pa plis në krye”… Pra, atëherë të gjithë mbanin plisa…” kujton kohët e arta të këtij zanati, Kika. ( zeki vehapi)

Çka thotë prof.Masar Rizvanolli për zhvillimin e kesaj zeje në Gjakovë?

 Nga prodhimet e leshit të përmendim se Gjakova ishte e dëgjuar për qeleshepunuesit e talentuar, që ishin zejtarë shumë të popullarizuar qysh nga formimi i Çarshisë, sepse qeleshja ishte pjesë përbërëse e veshjes popullore shqiptare. Dihet se tipi i kësulës së bardhë të rrumbullakët i ngjashëm me plisin e sotëm paraqet një pjesë të veshjes ilire. Për lashtësinë e zejes së qeleshepunuesve është ruajtur një traditë e pasur popullore, që trashëgohet brez pas brezi. Shqiptarët që morën pjesë në Luftën e Kosovës, më 1389, sipas gojëdhënës, bartnin plisa të bardhë si këta të sotmit. Pos kësaj, tipi i plisit që quhet varri i Skënderbeut flet për stërlashtësinë e qeleshes shqiptare. Kësula e papës dhe e disa klerikëve katolikë identifikohej në popull, gjithashtu, me plisin e bardhë shqiptar etj. Falë përbërjes etnike të popullsisë së Gjakovës, të cilën akademiku rus Gilferdingu e quante, më 1857,  qytet shqiptar, që në fillim Gjakova ishte  e vetmja qendër e kësaj zeje., prej nga u përhap edhe në viset tjera të Kosovës, të Shqipërisë Veriore, të Maqedonisë Perëndimore, të Sanxhakut të Jeni Pazarit etj., ndërsa një qendër tjetër për Shqipërinë Jugore dhe të Mesme ishte Tirana. Vendet e përmendura furnizoheshin në shek. XVIII-XIX me qeleshe nga Gjakova. Por, me hovin që mori Lëvizja Kombëtare Shqiptare, sidomos gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me thellimin  e vetëdijes kombëtare, e cila kishte përfshi, tanimë, të gjitha shtresat shoqërore, të cilat kishin filluar të flaknin çdo gjë të huaj turke edhe në veshje, në radhë të parë, fesin e kuq, “në këtë kohë nga Gjakova fillon ekspansioni i kësaj zeje dhe përhapja e saj në qytetet e tjera të  krahinës (Kosovës-MR) dhe jashtë saj”. Kështu, në Prizren zejen e plistarëve e sollën mjeshtrit nga Gjakova rreth vitit 1850. Zejtarët më të vjetër kanë qenë Ramadan Kajusha dhe Idriz Godeni nga Gjakova. Në Pejë ndër më të vjetrit përmendën Ali Dauti dhe Hamdi Hoxha nga Gjakova. Në Prishtinë përmendet Hut Zymi dhe disa gjakovarë të tjerë. Në Ferizaj përmendën plistarët e familjes Grezda, të familjes Halili dhe Asmon Sejda nga Gjakova. Edhe në Gjilan, Podujevë, Istog, Vushtrri e qendra të tjera të Kosovës plistarët nga Gjakova hapën dyqanet e tyre.             

            Qeleshepunues nga Gjakova hapën punishtet e tyre edhe në Shkup, në Tetovë, në Pazar të Ri, në Sjenicë dhe në Sarajevë. Në Tiranë kanë punuar qeleshepunuesit gjakovarë Adem Grezda, Shaqir Grezda, Mehmet Godeni, Idriz Godeni, Hamdi Hoxha, Mahmut Hoxha, Hajdar Bajram Haxhija etj. Pjesëtarë të familjeve të përmendura kanë punuar si qeleshepunues edhe në Shkodër. Në Peshkopi dhe në Krumë kanë punuar, gjithashtu, disa plistarë nga Gjakova.

           Të theksojmë se mënyra më e vjetër e prodhimit të qelesheve me një tasllak, që u përdor deri në fund të shek. XIX, quhej mënyra “gjakovarçe”, e cila dallohej nga mënyra më e përsosur, “tirançe” me dy tasllakë, që filloi të përdorej edhe në Gjakovë kah fund i shek. XIX dhe fillimi i shek. XX.

           Çaush i esnafit të plistarëve në Gjakovë, që nuk ishte i fortë si të tjerët, përmendët në kohën e Turqisë, Jup Bakalli.

           Oda Zejtare e Gjakovës para Luftës së Dytë Botërore kishte të regjistruar 16 dyqane të qeleshepunuesve, ndërsa, më 1963, 19.  Kjo zeje ushtrohet edhe sot në Gjakovë.

Lashtësia e kapuçit të bardhë – plisit*Shkruan: Kadri Halimi  

 

 Kapuçi i bardhë që shqiptarët e quajnë plis, qeleshe ose qylah, i bërë nga lesh deleje i shkelur, konsiderohet si kësulë tradicionale e shqiptarëve. Për plisin ekzistojnë tek ne do gojdhana në lidhje me lashtësinë dhe prejardhjen e tij. Në lidhje me këtë gjë po sjellim ca shënime të shkurtra interesante.

 Duke bërë kërkime rreth studimit të zejes të qeleshepunuesve (ose plistarëve) ndër zejtarët e Kosovës si dhe tek populli, kemi hasur në ca gojdhana interesante që meritonin të shënohen, kurioze, por jo edhe të pa baza.
Një nga tregimet më interesante është ai që bën fjalë dhe konfirmon se plisi i bardhë, kapuçi tradicional i shqiptarëve është trashëguar nga Ilirët. Duke mos u bazuar në dokumentet historiko-arkeologjike, por vetë në kushtet e atëhershme ekonomike të fiseve ilire, na del e logjikshme që këto tregime të kenë baza reale. Sepse, fise të ndryshme ilire merreshin me njërën nga degët kryesore të ekonomisë me blegtorinë. Kjo e vërtetë e konfirmuar edhe nga të dhënat historike na bën që t’u besojmë edhe gojdhanave popullore lidhur me plisin. Duke pasur lesh delesh në sasira të mjaftueshme, Ilirët prej këtij punonin veshjet e tyre, ku hyn edhe pjesa që mbulon kokën – kapuçi. Pothuaj të gjitha pjesët e veshjes në të kaluaren njerëzit i bënin vetë në shtëpi. Më vonë shfaqen zejtarë profesionalë. Kështu qëndron puna edhe me punimin ose prodhimin e plisave.

Në popull si dhe ndër zejtarët tanë qeleshepunues të Kosovës dhe jashtë saj ekziston një gojdhanë shumë e vjetër. Ajo thotë se këtë zeje e solli në Gjakovë një plak, që në kohërat e moçme ishte shpërngulur nga Malësia në këtë qytet. Kjo tregon qartas se në kohërat më të lashta, kapuçat punoheshin nga vetë anëtarët e familjes porsi edhe pjesët e tjera të veshjes popullore të përditshme (tirqtë, ndërresat, mintanat, xhokat, japunxhat, gjurdiat, gëxofët etj.). 


Për lashtësinë e kësaj zeje, respektivisht të vetë plisit, dëshmon edhe emri i një lloji të tij që shqiptarët e quajnë vorri i Skënderbeut. E dihet mirë se Gjergj Kastrioti Skënderbeu vdiq më 17 janar 1468. Që nga vdekja e këtij vigani, shqiptarët filluan të mbajnë një kapuç të një forme të posaçme, me fundin ose majën e trusur, të thelluar në formë varri. Ky tip kapuçi mund të ishte i zi ose edhe i bardhë. I përngjet pjesës cilindrike të kapelës moderne (u mor vesh pa rreth) por, siç u tha më sipër, me fund ose maje të gropuar si varr në drejtim nga prapa kah balli. Këtë lloj plisi e mbajnë njerëz pak si më pleq dhe më seriozë në qytete e fshatra. Sot përdoren fort rrallë, kurse në shekujt e kaluar ka qenë shumë më shpesh i përdorur.

Tipi i plisit i quajtur me maje ka trajtë kupe me maje të theksuar. Një tip tjetër me maje jo të theksuar e quajnë i rrumbullakët. Në të kaluarën këta plisa ishin edhe më të gjatë, me maje më të theksuar, sepse punoheshin vetëm prej një tasllaku (polle trekëndëshe), dhe kur i ngjiteshin skajet, kapuçi merrte trajtë barizani të gjerë. Këtë lloj kapuçi mbanin pjesëtarët e fisit ilir të Dalmatëve. Kjo shihet në një pllakë guri nga Graduni, i cili ruhet në Muzeumin arkeologjik në Split. Kjo rrasë guri ka një relief në të cilin shihen figurat e dy ushtarëve ilirë të zënë rob lufte nga ushtarët romakë. Njëri nga këta dy ilirë mban në kokë një kapuç që për nga trajta është krejt i njëjtë me plisin tonë të sotëm me maje të theksuar (të shihet Mihovil Abraniè: O predstavam Ilira na antiknim spomenicima. Èasopis za zgotovino in narodopisje, Maribor, let. XXXII, snop. 1-4, 1937:12,15).

Në popull dhe tek zejtarët qeleshepunues kemi dëgjuar dhe shënuar një tregim se në Dibër dhe rrethinë, në të kaluaren nuk mbaheshin plisat e rrafshtë si sot. Banorët e kësaj treve mbanin plisa të tipit të Kosovës. Mirëpo, rreth vitit 1832 Pashallëku i Kosovës me në krye Jashar Pashë Xhinollin ra në konflikt me Dibrën duke dashur ta zgjerojë pashallëkun e tij. Me këtë rast u bë një betejë e rreptë. Jashar pashë Xhinolli, bir i Maliq pashë Xhinollit, me prejardhje nga Luma, i theu dhe i mundi dibranët, ose siç thotë populli i shkeli. Që prej kësaj, gjoja, dibranët mbakan plisa të shkelun, d.m.th. të rrafshtë, kurse kosovarët si fitimtarë vazhduan ende të mbanin plisa me maje.


Në lidhje me lashtësinë e plisit , ndër shqiptarët ekziston edhe një gojdhanë tjetër që përcillet brez pas brezi. Kjo gojdhanë tregon se në Betejën e Kosovës më 1389 moren pjesë edhe shqiptarët nga Kosova bashkë me mirditasit. Këta, me këtë rast, mbanin plisa të bardhë po të asaj trajte që mbajnë edhe sot.

Nuk janë në gjendje të dijë e të konfirmoj se a ka dhe ç’baza ka kallëzimi popullor se do klerikë katolikë, varësisht nga rangu kierarkik, gjatë meshës në kishë mbajnë kësula të bardha në formë plisi të shqiptarëve. Madje të tillë i mban edhe vetë pontifiku katolik në Romë, papa.

Ndoshta kjo traditë popullore mbështetet në këto fakte historike. 

Dihet mirë se pas okupimit të tokave ilire në Ballkan, romakët morën prej tyre shumë gjëra nga kultura materiale, duke përfshirë edhe pjesë të ndryshme të veshjeve popullore. Duket se një lloj këmishe ose pelerine, që romakët e quanin tunika (tunica) e morën nga fisi dalmat i ilirëve, sepse atë e quanin dalmatika (dalmatica). A është e mundur të kenë përvetësuar edhe kësulën e bardhe ilire? Më vonë kjo veshje, duke pësuar ndryshime, dalëngadalë doli nga përdorimi i përditshëm. Ajo u ruajt dhe qendroi duke u përdorur vetëm në kishë katolike dhe ruhet edhe sot dhe ende quhet dalmatika. Hyn në përdorim, vishet nga priftërit vetëm gjatë meshës.

Në krijimin e gojdhanës për kësulën e bardhë të papës që i përngjet plisit tonë të rrumbullakët (jo atij me maje të theksuar), mund të ketë ndihmuar edhe një fakt tjetër i njohur historik. Ky fakt është se në fillim të shekullit XVIII u zgjodh papë Klimenti XI, që kishte prejardhje shqiptare, i fisit Kelmend. Me iniciativën e tij, më 1703 u mbajt një konzilium i peshkopëve të Shqipërisë, ku u mor vendimi që literatura kishtare të përhapej në gjuhën shqipe.

Po t’i shtojmë të gjitha këtyre që thamë më sipër se papët me të vërtetë mbajnë kësulë të bardhë të rrumbullakët, shumë të ngjashme me plisin shqiptar, atëherë na është plotësisht e qartë se nga rrjedhin këto tregime popullore.
________________
*Marrë prej gazetës Rilindja, më 31.10.1970, Prishtinë.