Friday, March 29, 2024
Fejtone

Zejet që po humbin – Saraçët

 Gjakova e vjeter

Dikur 20 dyqane,  sot mezi tri

Në bërthamën e Çarshisë së Vjetër, bri Xhamisë së Hadumit, objektit të parë të ndërtuar në Gjakovë,  është i hapur dyqani i saraçit Fehmi Vejsa. Prodhimet e tij të renditura e me një kolorit të jashtëzakonshëm ia shtojnë bukurinë Çarshisë, dhe ndoshta më të moshuarve ua kujtojnë kohën kur  para shumë dekadave, këtu gumëzhinte puna e  jeta. 

Pak më tutje edhe një tjetër dyqan i saraçit Hysni Morina,  e më larg edhe i fundit në Gjakovë, ai i Fatmir Vejsës.  Vetëm këto tri pika të ekspozimit të prodhimeve të shumta të saraçëve janë gjurma dhe shenja e vetme dësmuese se në këtë pjesë të qytetit dikur kishte dhjetëra të tillë. Kjo është pasqyra e vërtetë e vazhdimësisë së traditës shekullore për saraçët-përpunuesit e lëkurës,  një nga degët më të mëdha të Esnafit të tabakëve të njohur të Gjakovës.

 

Komuna e Gjakovës gjithnjë ka qenë e njohur për zejtarinë e zhvilluar. Kronistë të njohur të kohës e kanë quajtur qytet të zejeve, ngase këtu janë kultivuar dhjetëra zeje. Gjakovarët kanë jetuar nga zejtaria dhe  nga puna prodhuese që kanë bërë nëpër dyqanet e renditura nëpër Çarshinë e Vjetër. Kështu ishte dikur, por sot gjërat kanë ndryshuar shumë duke shkuar në zhdukjen e shumë prej këtyre zejeve.

Edhe saraçët e Gjakovës kanë ngelë pak. Dikur ishin 20 e sot vetëm tre. Dikur këtë zeje e kultivonin shumë familje, ndërsa sot ka mbetur vetëm në familjen Vejsa( Fehmiu dhe Fatmiri) dhe në familjen Morina. Dyqanet e tyre edhe sot janë të hapura me qindra prodhime saraçësh që i dedikohen më tepër produkteve për kuaj: Jaka, Shala, rripa e tj. si dhe prodhime tjera, mirëpo të rrallë janë blerësit.

“Kohërat kanë ndryshuar rrënjësisht. Dikur çdo familje në fshat kishte nga dy kuaj me të cilët “niste e bitiste” (Fillonte e mbaronte) ditën e punës në bujqësi, ndërsa sot,  një fshat nuk e ka asnjë kali, prandaj edhe kërkesa për prodhime saraçësh ka rënë gati në zero” thotë Fehmiu sot 62 vjeçar që ka trashëguar zanatin e babait të vet Xhemajli dhe të gjyshit, saraçit të njohur Ismajl Vejsa.

Në dyqan ai ruan edhe  ca shala kuajsh që janë të punuara me një mjeshtri të rrallë nga paraardhësit e tij. Ata kanë qenë mjeshtër të zot.

Fehmiu kujton se nga paraardhësit e tij ka mësuar për shumë gjëra që janë të lidhura me këtë zeje. Ai kujton se lëndën e parë saraçët e kanë marrë nga tabakët që i kanë përpunuar lëkurat në taphanet e Gjakovës. Atë botë saraçët kanë punuar edhe “opinga me kuja druri” që kanë qenë mjaftë të kërkuara në treg. Një palë opinga të tilla i ka të ruajtura edhe sot si model në dyqan.

“Në kohën kur kemi punu me babën i kemi pas edhe shtatë  kallfallarë, pasi ka pasur punë të mjaftueshme”, kujton ai me nostalgji.

Duke dëgjuar këto mendime, më kujtohen edhe kujtimet e terziut në zë të Gjakovës, Sulejman Haxhiavdylit që fare pranë këtij dyqani e kishte punëtorinë e tij. Ai para 30 vitesh më kishte thënë se në dyqanin e tij prej terziu- rrobaqepësi,  kishte mbi 30 kallfallarë që punonin në dy kate të dyqanit. Atëherë vlonte Gjakova nga puna… them sot,  duke kujtuar lavdinë e zejtarëve gjakovarë që furnizonin me prodhimet e veta cilësore Shkodrën e Sanxhakun. Një hap më tutje,  ku  po bënim bisedën për saraçët, kishim biseduar para 30 vitesh me  “bacën” Sulejman për rolin e madh të zejtarëve dhe Esnafeve të Gjakovës që kishin në rregullimin e rrjedhave ekonomike dhe shoqërore të komunës.

Njëjtë si për terzitë kishte arritje të mëdha ekonomike edhe për ata që bënin punën e  saraçit. Me djersën e tyre saraçët fitonin mirë. Sot krejtësisht ndryshe.

“ Përpara kur i kanë pas kuajt për qerre tërheqëse,  atë e kanë shfrytëzuar për punë dhe normalisht edhe jakat  që i punojmë ne,  janë harxhuar. Tash edhe nëse dikush ka një kali, atë e ka për qejf dhe jakat e shalat që i punojmë ne, atij  i bënë me vite”, thotë ai.  Pra,  sot për ndryshim nga dekadat e kaluara, puna e saraçit ka rënë në masë të madhe, pasi tash gjithçka është motorizuar.

“Sot një jakë në muaj a shitet e ajo, ndërsa të ndryshojmë produktet prodhuese nuk kemi llogari sepse produktet kineze e turke kanë depërtuar me të madhe në tregun tonë me çmime shumë të ulëta”, pohon ai pas pyetjes sonë se a ka provuar që të prodhojë, ta zami kallëpe telefonash mobil që janë nga lëkura apo diçka të ngjashme që është në hap me modën…

“Me këtë ritëm të punës që mezi mbahesh,  nuk do të dëshiroja që fëmijët e mijë ta trashëgojnë zejen” është kategorik ai.

Veç ndryshimeve të mëdha në zonat rurale,  ku kuajt që moti i kanë zëvendësuar traktorët dhe pajisjet tjera agroteknike për të kryer punët e fushës,  humbja e  gjallërisë së Çarshisë së Vjetër ka ndikuar në afarizmin e kësaj zone.

“Vetëm dëshira e madhe për punë dhe shpresa se një ditë do të bëhet më mirë më nxit që të punojë çdo ditë me entuziazëm” thotë Vejsa në pritje të premtimeve se me turizmin kulturor do të kemi përfitime edhe ne zejtarët.

“Po thonë se me zhvillimin e turizmit kulturor, ku Çarshia e Vjetër do të jetë pikë kryesore e vizitave të turistëve, do të kemi edhe ne dobi”, shpreson  ai.

Mirëpo Fehmi Vejsa tash është mësuar që të dalë në dyqanin e tij. Me entuziazëm e kishte nisur mëngjesin në muajt e parë të pas luftës, mirëpo puna gjithnjë e më shumë po shkonte drejtë rënies.

“Menjëherë pas luftës nuk ka qenë sikur sot. Në treg kam shitur  deri në shtatë jaka të kuajve. Vetëm qiraja e vogël po më mban,  sepse me këtë punë nuk mund të mbulojë as shpenzimet e ditës”, thotë Vejsa.

Me gjithë këto vështirësi duket se madhështia e zanatit dhe krenaria e carshisë së Vjetër po ia mbanë gjallë dëshirën për ta mbajtur ende gjallë këtë zeje në familjen e tij. Ai,  nuk beson se do të ndahet nga zanati që e punon që nga mosha 10 vjeç, bashkë me tre  vëllezërit e tij.