Saturday, March 23, 2024
AktualeFejtoneGjakova Presss

Zekiria Cana, figurë madhore e shkencës dhe kulturës shqiptare

Në 80- vjetorin e lindjes:

Nga: Isa Halilaj

 studiues, “Mësues i merituar” 

U bënë katër vjet, qëkur na mungon një prej figurave madhore të historiografisë shqiptare, prof.dr. Zekiria Cana. Në ngjallje, i takon 80- vjetori i lindjes, 15 Mars 2014. Për figura të tilla themi në ngjallje se me veprën  e punën e tyre mbetën të gjallë e në jetë si udhërrëfyes dhe edukator  të Idealit Kombëtar.

zekirja Cana

Zekiria Cana është vlerësuar një nga korifenjtë e historianëve për Kosovën e Shqipërinë dhe e ka vendin e nderit me meritë në Panteonin e Kulturës Shqiptare. Si lis i madh ka bërë hije të freskët jo vetëm për një fis në Gjakovë e Kosovë, për mbarë popullin e Kombin Shqiptar, prandaj përkujtohet me nderim e respekt në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare, në këtë 80- vjetor të lindjes së tij. Para veprës e kujtimit të kësaj figure përulemi me respekt, duke kujtuar mësimet e vlerësimet që i ka bërë historisë së popullit shqiptar,  me porosinë e madhe: “Mos harroni kurrë se jeni Shqiptarë. Duajeni me shpirt e zemër Lirinë dhe Pavarësinë e Kombit Shqiptar!

U lind në Gjakovë, më 15 Mars 1934. U arsimua aty, deri me Normalen për mësues dhe pastaj në Universitetin e Beogradit, në Fakultetin e Historisë e Filozofisë. Qëkurse ishte mësues, në Deçan e Irzniq, filloi të shkruaj e bashkëpunoj me shtypin e kohës, si “Përpjekja”, “Rilindja”, “Përparimi”, “Gjurmime Albanologjike”, “Flaka” etj. U nda nga jeta me 11 Janar 2010, pas një pune dhe veprimtarie të shumanshme atdhetare e shkencore.

Veprimtaria shkencore e prof. Canës është e gjerë dhe e shumanshme, për kulturën kombëtare. Punoi mbi 40 vjet në Institutin Albanologjik duke u bërë shembull për objektivitet në studimin e historisë së popullit shqiptar si vlerë kombëtare e ndërkombëtare, duke u bërë edhe mësues e udhëheqës shkencor për punonjësit e rinj shkencorë.

Që nga 1962, veç punës në Institut  e Arkivin Shtetëror të Prishtinës, i është kushtuar me themel studimit të “Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Kosovë”, më 1909-1912 dhe qëndrimin serb ndaj saj, me të cilën me 1975 mbrojti tezën e magjistraturës . E në vitin 1984 mbrojti disertacionin “Socialdemokracia serbe dhe çështja shqiptare 1903- 1914” duke u bërë shembull për një punë cilësore e me vlerë shkencore. Hodhi poshtë manipulimet e historiografisë serbe.

Në bibliografinë e tij numërohen mbi 15 vepra të veçanta dhe qindra artikuj referate e kumtesa shkencore të mbajtura ne Kosovë, Shqipëri, Shkup- Tetovë, Ulqin- Plavë, në gjithë hapësirën shqiptare e disa vende në Evropë e Amerikë mirëpritur e respektuar mediatikisht.

Prof. Z.Cana fatin e vet e lidhi me fatin e popullit brenda e jashtë kufijve. Studimet e tija janë konsultuar me masën e studiuesve e të lexuesve e studimet e tija kanë qenë dhe mbeten udhërrëfyese për gjykim e veprim në realizimin e idealit kombëtar. Me këtë theksojmë se në këto 60 vjet të punës së tija për çështjen kombëtare provojnë e duhet vlerësuar se në themelet e Kosovës se pavarur është dukshëm edhe kontributi i këtij burri të madh e të ditur.

Që në fillimet e jetës djaloshare e studentore ai e ndjen peshën e rënd të pushtimit kolonial sllavo- serb e asnjëherë nuk e uli kokën. Është nga të parët intelektual që ngriti zërin kundër dhunës titiste. Vlerësoj drejt luftën ilegale me atë të drejtpërdrejtë duke hedhur tej përpjekjet për “pafajsi” në gjyqet e kohës që ç’vlerësonin objektin dhe paraqitjen trimërore të heronjve të kohës. Ai deklaron me guxim: “Po, Adem Demaçi është kundër regjimit jugosllav të Tito- Rankoviçit e për të drejtën e bashkimit të Kosmetit më Shqipërinë…kjo me plebishit ose me luftë…”. Në përkrahje të këtyre deklarimeve ai pati pasojat e përndjekjes, izolimit e të pushimit nga puna në periudha të ndryshme se njohu veprën heroike të Mandelës së Kosovës Adem Demaçi e Ukshin Hoti dhe admiroi përjetë Ibrahim Rugovën, Adem Jasharin, Hashim Thaçin, Arbër Xhaferin, Ali Ahmetin e tjerë.

Me guxim e trimëri Profesor Cana demaskoi vrasjet kriminale të ushtarëve shqiptar në Armatën Jugosllave, e varrimet madhështore të këtyre bijve të Kosovës, me fjalimet e Profesorit u kthyen në një manifestim të fuqishëm të tubimeve të mëdha me një organizim të vetëdijshëm të Kosovës për qëndresë e rezistence kundër regjimit serbo-sllav, efektet e së cilës nuk do të vononin të shfaqeshin në organizimin e luftës se UÇK-së në vitet ’90.

Mbledhjet popullore për pajtimin e gjakmarrjes në Kosovë, organizuar nga studentët e menaxhuar me mjeshtëri e trimëri nga Anton Çetta e Zekiria Cana me shokë, kanë përgatitur popullin e Kosovës për dasmën e madhe të Lirisë. Janë historike tubimet dhjetramijëshe pjesëmarrës në Kuvendet e Pajtimit Gjaqeve te  Verrat e Llukës, Gjanaj, Lezhan, Likoshan, Çirez e Prekaz e shtrëngimi i duarve mes familjarëve, janë kontributi i jashtëzakonshëm i unifikimit e qëndrimit për unitetin kombëtar që dha Profesor Cana, fjala e të cilit ushqej besë, nder , urtësi e bashkë me Anton Çetën zgjuan ndërgjegjen kombëtare për Kosovën e Lirë Demokratike. “Kosovës i nevojitet, – thoshte Profesori, – bashkimi në një besë, në një fjalë, në një flamur, në një front e në një sofër të bashkimit mbarëkombëtar”. Më këtë moto u ngrohën zemrat për pajtim e u ndezën zemrat për luftim.

Si edukator e mik i ngushtë i studentëve, punëtorëve, fshatarëve kosovar Zekiria Cana gjithëherës u gjend në radhët e para të demonstratave duke luftuar me guxim për lirinë e të drejtave të njeriut në demaskimin e dhunës e terrorit shtetëror e gjenocidit serb kundër shqiptarëve.  Ai qe njeri i mendimit dhe veprimit atdhetar që gjithë punën e veprimtarinë e tij shkencore e vuri në  shërbim të atdheut, në shërbim të njohjes dhe zgjidhjes se problemeve të Kosovës e të Shqipërisë.

Më ka takuar që të njihem herët me këtë Profesor atdhetar jo vetëm në Kukës, Lumë- Has- Tropojë që para viteve ’90, po më vonë edhe në Prizren, Gjakovë e Prishtinë, e si studiues kemi përfituar mjaftë në biseda e takime si dhe nga veprat e tija shkencore e kulturore të pranishme në bibliotekat tona. Me këtë zonë të Kukësit me lidhje historike e vëllazërore, pati një interesim të veçantë dhe dha ndihmë konkrete për studimin e qëndresës luftarake, veçanërisht në vitet 1908-1913, si të kryengritjeve antiosmane, të Betejës së Lumës me 1912 si dhe për pasojat e masakrimit të pashembullt që ushtria serbe bëri në këto anë, me 1913.

Ndryshe nga shkencëtarët teoricien të historisë, Profesor Cana u muarr më mirë se kushdo tjetër me aktualitetin historik të Kosovës. Për këtë, pa u futur në analizën e gjithë veprave të tija, shikoni veprat “Shpalime historike- 83, 98”, “Ditari i Luftës -99” ,“Ditari i Robërisë 1 e 2 Prishtine 1999” apo “Apeli i 215 i intelektualeve shqiptare 2001”.

Në “Ditari i Robërisë 1 e 2 për periudhën 10 vjeçare (1989-1998) do të gjeni vlerësime me një tematikë të zgjeruar si p.sh. “Kur vritet Besa”, “Ramiz Alisë i kërkon lirimin e të burgosurve politik”, “Për Berishën: 4 vërejtje themelore për qartësi…dhe je President i Kombit, s’ka Shqipëri pa Kosovën”, “Lokalpatriotizmi rrezik intelektual në Shqiperi e Kosovë”, “Gegëzimi i gjuhës letrare hap hendekun Veri-Jug, Tosk- Gegë”, “Takim me Ibrahim Rugovën”, “8 ditët e përmbysjes së madhe në Shqipëri 7 mars 1997” apo “Shteti pa ushtri”, “Shkatërrim e rrëmujë ”, “Radio Kukësit i vihet dryni”, “Drenica në luftë”, “një komb një qëndrim”, “Ç’bënë Bukoshi?”,”Bisedë me Jakup Krasniqin”, “Riçard Hollbruk në Junik”, “në Malishevë i pritet fjala Zekir Canës, e saboton LDK për deputetët”, Emisioni “Krushqit e pajtimit në TVSh”, “Vrasja e Azem Hajdarit në errësirë”, “Sofra është më e fortë se pushka”, “Protestë në Rambuje etj” e vazhdon me UÇK, NATO e qëndrimin e ndërkombëtarëve. Vend qendror zënë edhe ngjarjet në Shqipëri, takimet e tij me Mejdanin, Majkon, Berishën, Goden etj.

Në flakën e luftës së UÇK-së Profesor Cana gjendet bashkë me popullin kryengritës në front e i bie pash më pash Kosovës e Shqipërisë, si kalorësi i vërtetë i lirisë. Jetën , veprën, motivimin atdhetar të tija do ta dëshironte gjithkush. Ai ishte dhe mbetet një autoritet apsolut në fushën e historiografisë përkrah figurave të shquara të kësaj fushe në Kosovë si Ali Hadrit, Rexhep Qosjes, Pajazit Nushit, Mark Krasniqit, Zef mirditës, Xheladin Shalës, Jusuf Bajraktarit, Sali Bashatës e tjerë.

Me shembullin e tij ai na mëson sesi të bëhemi të dobishëm për atdheun, shoqërinë dhe familjen. Ai çmon shumë brezin e ri, vitalitetin dhe energjitë e tija e, tek arsimimi e shkolla, shikonte shëndoshjen e kombit.

Të thuash për të, se ishte njeri i ditur, është pak, pa u njohur me veprën e tija, shkencëtar dhe njeri i mendimit dhe veprimit atdhetar në vite, pa njohur stilin e fuqishëm të komunikimit mjeshtëror të bisedës me moshat e ndryshme.

Veprat, përkthimet e temat shkencore të tija pasurojnë fondin e historiografisë shqiptare në përgjithësi e të asaj kosovare në veçanti. Meriton vlerësim emri i këtij qiriri të pashuar të kulturës shqiptare.

Tiranë, mars 2014