Gjakovapress

Zhbogar : Çështja e të pagjeturve, plagë që duhet mbyllur

zhbogar dhe thirrjet e nenave

Kryesuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Përfaqësues Special i BE Samuel Zhbogar gjatë vizitës që i ka bërë komunës së Gjakovës, në kuadër të fushatës “Është Koha për Evropë”  ka thënë se çështja e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë është një çështje që duhet të mbyllet sa më shpejtë, por kjo mund të arrihet vetëm pas normalizimit të raporteve në mes të Kosovës e Serbisë, normalizim që sipas tij po tentohet të arrihet përmes bisedimeve. Këtë deklaratë Zhbogar e ka dhënë të enjten në Gjakovë, gjatë një sërë takimesh e aktivitetesh që i ka zhvilluar gjatë ditës.

“Shpresoj që normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë gjë që po synojmë ta arrijmë me këto bisedime do të ndihmojë edhe në zgjidhjen e çështjes së të zhdukurve. Këtë kapitull mund ta mbyllim nëse bisedën për të e hapim në tavolinë. Por fillimisht duhet ulur tensionet, në mënyrë që njerëzit të dalin hapur, të ofrojnë informata përmes së cilave do të mbyllet kjo çështje”, ka thënë Zhbogar gjatë një takimi me përfaqësuesit e familjarëve me persona të pagjetur.

Duke e përmendur angazhimin dhe ndihmën e komunitetit ndërkombëtar në këtë drejtim, Zhbogar ka kërkuar nga të dyja palët që çështja e të zhdukurve të mos politiziohet në asnjë mënyrë.

“Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të Kuq është i inkuadruar dhe po ofron mbështetje për zgjidhjen e kësaj çështje, prandaj do të kishte qenë mirë që kjo çështje të mbetej në sferën humanitare ashtu siç është dhe të mos politizohet më tutje”, ka vazhduar Zhbogar.

Megjithatë, i këtij mendimi nuk ka qenë Nysrete Kumnova, udhëheqëse e Shoqatës “Thirrjet e Nënave”, e cila çështjen e të zhdukurve e ka cilësuar kryekëput si politike.

“Si mund të ketë normalizim të bisedimeve në mes të palës së dëmtuar dhe agresorit, në këtë rast Serbisë , kur deri me tani asnjë kriminel nuk u gjykua për krimet e bëra dhe nuk u vu para drejtësisë. Si mund të ketë normalizim të marrëdhënieve kur sot ata që bënë krime monstruoze e të cilën ne i kemi publikuar me emra, mbiemra e adresa, lëvizin të lirë nëpër rrugë dhe me mburrje tregojnë për krimet që i kanë bërë”, ka thënë Kumnova.

Ajo ka kërkuar që institucionet ndërkombëtare të bëjnë më shumë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, duke e shtuar presionin mbi shtetin serb, ndërsa ka shtuar se për familjarët e tyre nevojitet një mbështetje më e madhe institucionale, si në aspektin moral ashtu edhe në atë material.

Përveç takimit me familjarët e të pagjeturve, Zhbogar është takuar edhe me kryetarin e komunës Pal Lekaj, me të cilin kanë biseduar për zhvillimet aktuale në Gjakovë dhe mundësitë e vazhdimit të bashkëpunimit të mëtejmë.

“Ne kemi mbështetur shumë projekte në Gjakovë dhe këtë do të vazhdojmë ta bëjmë edhe në të ardhmen, veçmas në bujqësi dhe përkrahje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, pasi konsiderojmë se këto dy segmente janë rruga më e sigurtë për zhvillimin ekonomik lokal. Nga kryetari u njoftova me planin për zhvillim ekonomik lokal dhe me mbështetjen që komuna u ka dhënë këtyre dy segmenteve dhe mund të them se jam i kënaqur me angazhimin konkret të qeverisë lokale”, ka thënë Zhbogar.

Edhe kryetari Lekaj ka thënë se ka marrë mbështetje nga Zhbogar që fondet e BE-së për zhvillim do të jenë afër Gjakovës dhe të ketë mbështetje të projekteve që shkojnë në të mirë të qytetarëve.

I pyetur nga gazetarët Zhbogar nuk ka dhënë ndonjë koment për raundin e fundit të bisedimeve në mes të kryeministrave Thaçi e Daqic, ndërsa ka shtuar se Kosovës i duhet edhe shumë punë për ta arritur liberalizimin e vizave.

Exit mobile version