
Në ambientet e hapura para Pallatit të Kulturës ”Asim Vokshi” u shfaq edhe një video përmbledhje e fotografive të rrëmbyerve nga forcat paramilitare serbe gjatë luftës në Kosovë më 1999.
Të hënën me 27 prill në Gjakovë mbahet manifestimi qendror në kuadër të Ditës Kombëtare të të pagjeturve të Kosovës. Kështu, Lëndina e pikëllimit në fshatin Meje të Gjakovës, për të 16 herë me radhë, do të jetë vend-takim i familjarëve të të pagjeturve, pikërisht në vendin ku ndodhi masakra më e madhe gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku për vetëm disa orë u zhdukën nga faqja e dheut 376 persona të gjinive dhe moshave të ndryshme. Bëhet fjalë për një masakër e cila ishte e planifikuar hollësisht dhe në te pos forcave policore dhe paramilitare ishin të kyçura edhe forcat ushtarake serbe, me ç`rast në pritën e organizuar në fshatin Meje, nga kolonat e familjarëve të cilët shin dëbuar në drejtim të Shqipërisë i ndanin meshkujt, duke i ekzekutuar barbarisht. Shënimi i kësaj dite do ti paraprinë seanca parlamentare për të zhdukurit si dhe zbulimi i simbolit “Ata na mungojnë” në Prishtinë. Manifestimi qendror mbahet në Memorialin e Martirëve në Meje me fillim prej orës 13 ku pos familjarëve të të pagjeturve nga e tërë Kosova , bëhet e ditur se pjesëmarrjen në këtë manifestim pos kryetares së komunës Mimoza Kusari lila e kanë paralajmëruar edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa pastaj kryeparlamentari Kadri Veseli si dhe shumë zyrtarë të lartë.