Tuesday, February 3, 2026
Lajme

Gara e vrapimit “Gjakova Trail” mbledh vrapues nga Evropa

Gjakova të dielën e 14 Shtatorit  do të bëhet qendër e vrapuesve nga shumë vende,  të cilët vijnë për të shijuar bukuritë e shtigjeve të gjelbra të Shkugzës dhe kalldrëmin e Çarshisë së vjetër si kompleks i veçantë arkitektonik me plot begati kulturore e historike. Rreth 350 garues janë regjistruar për të marrë pjesë në garën e vrapimit malor “Gjakova Trail” e cila mbahet  në dy disiplina, 21 dhe 10 kilometra, të cilat do të fillojnë në ora 10.00.

Njëri nga organizatorët e kësaj gare, Engjell Lleshi, ka thënë se në edicionin e tretë të Gjakova Trail, ka interesim jashtëzakonisht të madh që flet për një aktivitet që ka tejkaluar pritshmëritë.

“Edhe një ditë para mbajtjes nuk pushojnë kërkesat për pjesëmarrje. Na vjen keq që nuk mundë të bëhen të gjithë të interesuarit pjesë e garës. Këtë vit gara nis dhe përfundon në zemër të qytetit – Çarshia e vjetër e Gjakovës- Lama e drithit . Nga atmosfera unike e çarshisë, rruga do te vazhdoje drejt natyrës së bukur të Shkugezes, për t’u kthyer përsëri aty ku historia dhe sporti takohen, “ ka thënë Lleshi duke kujtuar se sivjet do të jenë pjesëmarrës edhe vrapues mbi 60 vjeçar kurse do të shpërblehet edhe vendi i katërtë.

Lleshi ka kujtuar se misioni i kësaj gare të vrapimit është promovimi i shëndetit, të shtigjeve të gjelbra dhe promovimi i turizmit. Ai ka falënderuar Komunën  e Gjakovës, Ministrinë e Kulturës dhe sporteve pastaj  sponsorët tjerë që kanë bërë të mundur organizimin e Gjakova trial.

Të themi se për shkak të organizimit të kësaj gare, komuna e Gjakovës ka njoftuar qytetarët se  gjatë kohës së mbajtjes së kësaj gare, nesër do të ketë ndalim të  automjeteve në disa rrugë. Nga ora 09:30 deri në orën 13:00 rruget që do të përshkojnë vrapuesit, do të ndalohen për automjete. Në këtë ndalesë  janë rrugët: Izet Hima në  zonën e Çarshisë së madhe,  pastaj rruga “Gjon Nikollë Kazazi”,  në drejtim të Kishës katolike dhe deri tek Ura e Tabakut,  ku garuesit do të marrin drejtimin për Shkugës. Ndalim qarkullimi I mjeteve motorike vlen edhe për rrugët në zonën e Shkugzës, si  Domenik Pergegaj, Luigj Palaj, Zoja e Madhe, Nikolle Kaçorri, At Luigj Pali si dhe ajo e qarkores jugore.