Reshje të mëdha shiu, vërshojnë lumenjtë
Reshjet e pandërprera të shiut kanë rritur nivelin e lumenjve në Gjakovë, Erenikut, Krenes dhe Llukacit duke rrezikuar në disa zona edhe banorët. Raportohet se këto vështirësi në qytet e fshatra, veçanërisht të shtëpive skaj lumenjve, janë shkaktuar për shkak të mbeturinave të mëdha që ka marrë me vete rrëmbimi I ujit.
Komuna e Gjakovës ka njoftuar se, si pasojë e shkrirjes së shpejtë të borës nëpër male dhe shirave të vazhdueshëm, gjatë ditës se sotme kemi një situatë jo stabile ne disa pjesë të komunës së Gjakovës.
“Gjendja më e rrezikshme paraqitet në afërsi të lumejve të cilët me shumë vështirësi po përballojnë prurjet e mëdha të ujit. Për këtë arsye është bllokuar përkohësisht rruga “Bujar Roka” dhe ura e Shkugëzes meqë prurjet e mëdha në lumin Erenik e kanë vështirësuar kalimin në këtë rrugë. Prandaj, deri në përmirësimin e situatës, kërkojmë kujdes të shtuar nga të gjithë ju, veçanërisht gjatë lëvizjes në afërsi të lumenjve dhe lokacioneve me sasi të mëdha të ujit.
Gjithashtu ju ftojmë ta përcillni situatën në lokacionet tuaja, sepse prurjet e ujërave mund të rriten në vazhdim. Për çdo problem ju lutem t’i lajmëroni emergjencat dhe policinë, ”thonë në Komunën e Gjakovës.

Ka reaguar edhe Kompania e Ujesjellesit Gjakova.
“Si pasojë e reshjeve, ujërave atmosferikë dhe ujërave të ndotura, janë evidentuar probleme në disa objekte në qytet, kryesisht për shkak se podrumet janë ndërtuar nën nivelin e lejuar të kanalizimit, në kundërshtim me rregullat teknike. Në këto raste, ndërhyrja nga kompania jonë nuk është e mundur, pasi rregullimi i këtyre defekteve është përgjegjësi e pronarëve dhe duhet të bëhet privatisht. Megjithatë, kompania po bën maksimumin e mundshëm dhe dy ekipe janë aktualisht duke punuar në terren. Njëkohësisht, apelojmë te qytetarët që të mos hedhin materiale në kanalizim, pasi pengojnë rrjedhjen e ujërave të ndotura dhe atmosferikë.”, thuhet në njohtimin e KRU Gjakova,

