E më në fund, pas kater kerkesave që nga viti 2008, 2010, 2011 dhe 2012, me këto asyetime gazetari britanik i “Sky Neës” David Chater mund të shpallet qytetar nderi i komunës së Gjakovës me arsyetimit se me 13 qershor të vitit 1999 ka ndikuar tek trupat italiane të KFOR-it të hyjnë para planifikimit në qytetin e Gjakovës, duke e parandaluar kështu një masakër të madhe mbi banorët e këtij qyteti.
Vendimi për këtë akt pritet ta marrë Asambleja komunale e Gjakovës në mbledhjen e muajit prill, ndërsa ceremonia e nderimit të gazetarit, pritet të ndodhë në muajin qershor.
Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i komunës së Gjakovës Ali Tafarshiku. “Në bashkëpunim me kryetaren Kusari – Lila, kryesuesi i Asamblesë komunale Luan Gola i ka filluar të gjitha procedurat e rregullta që kjo çështje të futet për diskutim si pikë e rendit të ditës për mbledhjen e radhës të Asamblesë komunale, institucion i cili edhe do të vendosë nëse gazetari Chater do të shpallet qytetar nderi i Gjakovës”, ka thënë Tafarshiku.
E ky lajm e ka gëzuar jashtë mase mjekun gjakovar Besnik Bardhi, i cili është iniciatori kryesor që Chater të shpallet qytetar nderi i Gjakovës. Bardhi e ka përseritur çdo vit këtë kërkesë që nga viti 2008 kur vet ishte pjesë e Asamblesë komunale, por që nga atëherë ndonëse ka marrë premtime, kërkesa e tij nuk ishte realizuar asnjëherë. “Veprim i vonuar por megjithatë më ka gëzuar shumë. Aprovimi dhe realizimi i kësaj ideje, e nderon shumë qytetin tonë, i reflekton përjetësisht orientimet tona demokratike dhe liridashëse, si dhe ndjenjat tona miqësore sidomos ndaj aleatëve tanë ndërkombëtarë, që ishin të përfshirë në luftën e vitit 1998-1999 në Kosovë”, ka thënë Bardhi.
Ndryshe, me 13 qershor të vitit 1999, Chater ishte ndërkombëtari i parë që ishte futur në qytetin e Gjakovës, ku kishte kuptuar se forcat serbe ishin duke e përgatitur një masakër të madhe mbi civilët shqiptar. Ai ishte kthyer mbrapa për disa kilometra, në fshatin Rogovë të Hasit, për ta bindur komandantin e trupave të KFOR-it italian, gjeneralin Del Vechio që të mos udhëtonte drejtë Pejës përmes Aksit Klinë – Pejë ashtu siç ishte planifikuar, por paraprakisht të futej në Gjakovë, për ta mbrojtur popullatën civile.