Friday, April 24, 2026
Kulturë

Barbana Prenka me Ekspoziten “Dita e re”

Në Galerinë e arteve të Pallatit të Kultures Asim Vokshi të enjten më 23 Prill 2026 u  hap ekspozita me titull “Dita e Re” me organizim nga Komuna e Gjakovës përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në bashkëpunim me Fondin për të Drejtën Humanitare të Kosovës. Ekspozita  gërsheton kujtesën e luftës me forcën e gruas kosovare. Përmes teknikës tradicionale të qilimave “Jani”, artistja Barbara Prenka, i rikrijon fotografitë e shpëtuara nga lufta, duke i kthyer ato në vepra arti që lidhin brezat dhe historitë familjare. Kjo vepër është pjesë e ekspozitave të organizuara nga Qendra e Dokumentimit të Kosovës dhe ka si qëllim ballafaqimin me të kaluarën nëpërmjet veprave dhe krijimeve artistike.

E lindur në Gjakovë (fshati Rezinë) në vitin 1990, Barabara Prenka, është rritur në Itali, vazhdon të jetojë dhe të punojë midis Venedikut, Bolzanos dhe Berlinit por gjithnjë duke mos e harruar vendlindjen.

Në këtë ekspozitë paraqitet puna e artistes si një proces zbulimi dhe gërmimi në historitë e kaluara ku me anë të rrëfimeve të gjyshes, të nënës dhe të hallave ajo arrin të rikrijojë rrugën e përshkuar nga familja e saj gjatë luftës.

Fotografitë familjare të rigjetura, janë kthyer në qilima të vërtetë, duke i printuar ato në tekstil. Puna e Barbarës nuk përfundon vetëm në kriijimin e qilimave por shndërrohet në një performancë e cila dokumentohet hap pas hapi pasi ajo fokusohet në natyrën bashkëvepruese të kësaj pune dhe në forcimin e marrëdhenies midis grave të familjes.