Friday, December 5, 2025
AktualeLajme

“Ditët e nëntorit” vijnë në Gjakovë me veprimtari të shumta kulturore

Më 15, 22, 27, 28 dhe  29 Nëntor 2025  qyteti i Gjakovës pritet të shndërrohet në një epiqendër të kulturës shqiptare, pasi që gjatë këtyre ditëve Gjakova do të jetë nikoqire e edicionit të dytë të festivalit “Ditët e nëntorit”, festival i cili është vazhdimësi i festivalit “Ditët e shqiptarit”, që gjatë muajve të verës pati jehon te madhe.

Drejtuesi i bordit të Fondacionit  për Gjakovën që është organizator i këtij festivali, Ermal Hasimja, ka thënë së nëntori në Gjakovë do të jetë i nxehtë.

”Sopranoja shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho vjen  në Gjakovë në nëntor me një shfaqje shumë të veçantë. Pastaj  koncerte me muzikë arvanitase për herë të parë e arbëreshe, koncerte me muzikën qytetare tiranase, dhe një befasi rocku shqiptar, takime me autorë shqiptarë, panair libri me shtëpitë botuese kryesore, panele diskutimi për historinë dhe aktualitetin.  Dhe pas shfaqjeve nata zgjatet deri në agim me muzikë të vjetër shqiptare, gatime tradicionale dhe miq plot”, ka thënë Hasimja në paralajmërimin për manifestimin Ditët e Nëntorit.