Disa orë para ndërrimit të moteve, Gjakova po bëhet gati të hyjë në natën më të gëzuar të vitit, e stolisur dhe e ndriçuar me drita vezulluese që i kanë dhënë qytetit një pamje festive. Kolonat e gjata të veturave në rrugë dhe tollovitë në qendrat tregtare, para bankomateve, mishtoreve e tjera, kur bashkëqytetarët bëhen gati për një mbrëmje festive. Furnizohen për një tryezë të begat. Këto janë karakteristikat e ditës se fundit ne vitin e vjetër. Qendra e qytetit është bërë pika më atraktive e kësaj feste. Në fakt, atmosfera festive e pritjes së vitit të ri, në komunën e Gjakovës ka filluar të ndjehet ditë më parë, ndërsa do të kulmoi sonte kur akrepat e orës bashkohen në mesnatë dhe paralajmërojnë ardhjen e Vitit të ri 2026. Tradicionalisht gjakovarët natën e ndërrimit të moteve e kalojnë në ambientet familjare.
Sonte të gjithë, së paku në këtë mbrëmje festive, do ti harrojmë problemet, vështirësitë dhe hallet e shumta me të cilat u ballafaquam gjatë këtij viti, për të festuar të gëzuar dhe të lumtur në natën e ndërrimit të moteve, me urimet dhe dëshirat për një vit sa më të mbarë dhe më të suksesshëm.
Viti që po e lëmë pas në kujtesën tonë do të mbetet si vit i katër palë zgjedhjeve me realizimin e disa projekteve madhore në fushën e infrastrukturës dhe furnizimit me ujë të pijes por edhe sfidave të shumta, sidomos në aspektin e zhvillimit ekonomik, punësimit dhe uljes së varfërisë.
Sa takon punësimit në Qendrën e Punësimit në Gjakovë, numri I personave të cilët kërkojnë punë ka arritur në 3 mijë e 236, Brengosëse është e dhëna se prej numrit të përgjithshëm të papunëve pjesa më e madhe përkatësisht 1 mijë e 48 sosh I takojnë moshës prej 40 deri në 54 vjet, që nënkupton se bëhet fjalë për persona familjarë.
Sa i përket Investimeve kryesore në fillim të këtij viti komuna ka ndarë edhe 5.7 milion euro për rinovimin e rrugës transite rreth 2 kilometra e cila edhe tash po punohet. Kjo rrugë do të shndërrohet në bulevard ndërsa rolin e kësaj do ta merr rruga e re qarkore kah Rezinat. Komuna e Gjakovës ka vazhduar me projektin e ndërtimit të shtretërve te lumenjve Krena dhe Llukaci. Segmenti nga Ura e Taliqit deri afër Spitalit të Gjakovës do të përfshijë ndërtimin e kolektorëve modernë, trotuare të reja, ndriçim publik, si dhe ura për këmbësorë. Me një vlerë totale investimi prej 1 milion e 498 mije euro, ky projekt përbën një nga ndërhyrjet më të mëdha të qeverisjes lokale dhe pritet të jetë një aset afatgjatë në shërbim të qytetarëve për shumë breza.
Komuna e Gjakoves përmes Drejtorisë përkatëse te Shendetesise, ka mbet edhe kete vit e përkushtuar në zhvillimin e shërbimeve cilësore shëndetësore dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së jetës së qytetarëve. Në Komunën e Gjakovës, Drejtoria komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, gjatë vitit 2025 në total disponoi me shumën në lartësi prej mbi 5 milion euro. Gadi në tërësi, kjo shumë iu dedikua Shërbimeve Shëndetësore për qytetaret.
Në vitin shkollor 2024-2025 në Komunën e Gjakovës janë 479 nxënës më pak se në vitin paraprak shkollor, kjo si pasojë e largimit të familjeve përkatësisht nxënësve nga Komuna e Gjakovës. Aktualisht numri i nxënësve në Çerdhe të Fëmijëve në Gjakovë është 672, në klasët, nga e para në të nëntën 9 mijë e 752 nxënës, ndërkaq nga klasa e dhjetë deri në atë dymbëdhjetë gjithësejt 3 mijë e 24 nxënës. Dukuria zvogëlimit të numrit të nxënësve mbetet shqetësuese edhe këtë vit.
Kur flasim për Kulturën në vitin 2025 atë e karakterizojnë dy veprimtari jo vetëm kulturore, por edhe me karakter të gjerë, organizuar nga Fondacioni për Gjakovën, “Ditët e shqiptarit” gjate verës, dhe “Ditët e Nëntorit” ku në Gjakovë ishin artist te njohur të skenës ndërkombëtare sic ishte Ermonela Jaho dhe Asamble nga gjitha trojet shqiptare. Gjakova për disa ditë u shndërrua në kryeqendër të Kulturës shqiptare. Janë realizuar shumë koncerte, Festivali I këngës për fëmijë Lyra fest, Radio fest pastaj ekspozita e kështu me radhë.
Në sport, emblema e qytetit mbetet Vellaznimi. Në futboll po bëhet përpjekje që Vëllaznimi në kampionatin e ardhshëm ta bëjë “sefte” stadiumin e ri me gara në superligë, ndërsa në basketboll Vëllaznimi edhe këtë vit ka qenë shkaktar I spektakleve sportive që janë organizuar ne Pallatin e sporteve Shani Nushi.
Në fund, mbetet të shpresohet se viti i ardhshëm do të sjell në radhë të parë shëndet, më shumë rezultate pune dhe jetësim të projekteve kapitale që e bëjnë jetën e qytetarit më të mirë. Redaksia Gjakovapress iu uron të gjithë lexuesve, gëzuar e me fat Viti ri 2026!
