Shkruan: Dr.sc Alban Dobruna
Përfundimi i Luftës së Parë Botërore nuk solli liri për shqiptarët. Ripushtimit të Kosovës, rrjedhimisht edhe të Gjakovës, në tetor 1918, i paraprinë trupat ushtarake franceze të ndjekur më pas nga ato serbe. Duke vepruar si pushtues, ata ulën flamurin shqiptar kudo, shpërndanë administratën vendore shqiptare dhe filluan riorganizimin e administratës serbe.
Rezistenca aktive e shqiptarëve kundër rivendosjes së pushtetit serb në Kosovë, filloi në gjysmën e dytë të tetorit 1918. Gjatë kësaj kohe po zbatohej rregullimi administrativo-territorial civil, duke u bazuar në rregullimin e pas luftës ballkanike. Pra ai përkon mjaft me ndarjen territoriale-ushtarake e policore. Marrë në tërësi, situatë më e vështirë ishte në Rrafshin e Dukagjinit. Kjo për shkak se pushteti i përkohshëm policor nuk ishte në gjendje të vendoste një pushtet stabil, kurse populli shqiptar në qytet dhe rrethinë, ishte i parehatshëm.
Shqiptarët e armatosur të rrethit të Gjakovës, më 22 dhjetor 1918, arritën gjerë te Bistrica e Deçanit për të inkurajuar popullatën kundër pushtetit serb, por nuk patën sukses. Kështu, më 14-16 dhjetor 1918, krerët shqiptarë të rrethit të Pejës dhe Gjakovës mbajtën një mbledhje të fshehtë në Babaj të Bokës (komuna e Junikut, rrethi i Gjakovës) që kishte për qëllim organizimin e rezistencës kundër vendosjes së pushtetit serb. Mendohej të organizohej një kryengritje në Rrafshin e Dukagjinit dhe me ndihmën e Malësisë të asgjësohej ky pushtet, por ky synim nuk u realizua. Në këto rrethana, Mbretëria e re SKS kishte si synim kolonizimin dhe ndërrimin e strukturës etnike në Kosovë, shqiptarëve nuk iu njohën të drejtat themelore demokratike e nacionale. Serbët u përpoqën që t’i asimilonin dhe t’i shkombëtarizonin shqiptarët, madje edhe t’i shfarosnin fizikisht. Në këto rrethana u rrit lëvizja e shqiptarëve për të shpëtuar vendin nga copëtimi i ri, për ta çliruar atë dhe për t’u bashkuar me Shqipërinë. Andaj, një grup patriotësh vendosën të krijonin një organizatë politike për t’iu paraprirë këtyre situatave kritike e të ndërlikuara.

Krahas Shkodrës, si qendër kryesore e veprimtarisë së Komitetit MKK, dega e Gjakovës së bashku me atë të Gjenevës (Zvicër), ishin dy degët e para të themeluara nga 1 maji i vitit 1918, kur edhe u themelua Komiteti MKK.(…. shkrimi i plotë në Revisten Gjakovapress nr. 125)