Reshjet e pandalshme në Komunën e Gjakovës kanë bërë që lumenjtë dhe rrugët bashkë me bodrumet e shumë shtëpive të mbushen me ujë. Aty uji ka depërtuar dhe ka rrezikuar banorët, por në ato mjedise më të rrezikuara kanë intervenuar zjarrfikësit gjakovarë duke bërë evakuimin e banorëve nga shtëpitë e vërshuara.
Shtabi Komunal I Emergjencave ka dhënë një kumtesë për gjendjen aktuale me vërshimet.
Kumtesë e Komunës së Gjakovës rreth vërshimeve
Si pasojë e reshjeve të shumta, lumenjtë në territorin e komunës së Gjakovës kanë shkaktuar vërshime në disa zona të caktuara. Për menaxhimin e situatës tashmë është formuar Shtabi Lokal për Menaxhimin e Krizave, me pjesëmarrjen e të gjitha institucioneve përkatëse.
Në disa lagje, si Dardania, Brekoci dhe Fshati i Gjelbërt, janë kryer evakuime të familjeve të prekura. Për familjet që kanë nevojë për strehim, komuna po kujdeset duke i akomoduar përkohësisht në banesat sociale.
Zjarrfikësit janë në terren gjatë gjithë kohës duke ndihmuar qytetarët, ndërsa kompania “Çabrati” po merret me pastrimin e urave dhe zonave më problematike. Situata po monitorohet edhe nga Policia e Kosovës, e cila konfirmon se gjendja është nën kontroll dhe fatmirësisht nuk ka dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale.
Të gjitha ekipet emergjente janë në gjendje gatishmërie. 24 orët e ardhshme pritet të jenë më të ndjeshme, prandaj apelojmë tek qytetarët:
– Të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin lëvizjet pranë lumenjve.
– Të jenë vigjilentë dhe për çdo problem të njoftojnë ekipet emergjente, Policinë apo Zjarrfikësit.

Zjarrfikësit e Gjakovës në vazhdimësi janë duke bere përpjekje për ta zbutur problemin e vërshimeve. Ata me vetëmohim kanë ndërhyrë në ato vendbanime ku banorët ishin të rrezikuar dheu treguan “heronjë” të vërtetë,
“Si pasojë e reshjeve të dendura, shumë zona të qytetit janë përfshirë nga vërshimet. Ekipet e Njësisë së Zjarrfikësve janë në terren që nga orët e hershme të mëngjesit, duke intervenuar pa ndërprerë për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur. Ndërhyrjet përfshijnë evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara, sigurimin e objekteve dhe menaxhimin e situatave emergjente, me prioritet mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve. Ekipet tona mbeten në gatishmëri të plotë dhe do të vazhdojnë intervenimet sipas nevojës, në koordinim me institucionet përkatëse.