Thursday, November 13, 2025
Sporti

Ka ndërruar jetë Ismajl Berisha – trajner i shquar i hendbollit

Klubi i hendbolit Vëllaznimi ka njohtuar se sot me datë 14.08.2025 ndërroi jetë profesor Ismail Berisha, ish hendbollist dhe trajner i këtij klubi. Në ngushëllimin e Klubit thuhet mes tjerash  që kjo është humbje e madhe për Hendbollin Kosovar, posaçërisht për klubin e Hendbollit Vëllaznimi. Ai mbetet legjendë e sportit. Profesor Ismail Berisha u lind në vitin 1934. Shkollën Fillore e kreu ne Gjakovë dhe Prizren, ndërsa shkollën e mesme (normale) në Gjakovë.
Studimet i vijoi ne Fakulltetin e Edukatës Fizike ne Novi Sad dhe Prishtinë. Kishte thirrjen profesionale, Pedagog i Kulturës Fizike, ndërsa për Hendboll posedon Thirrjen Trajner i lartë i Hendbollit.
Në ngushëllimin e Federatës së Hendbolit të Kosovës, thuhet se profesori Berisha ka kontribuar shumë për hendbollin kosovar për shumë e shumë dekada. Pos kontributit si profesor i Edukatës Fizike, Berisha ishte gjithnjë pjesë e klubeve dhe aktiviteteve të hendbollit. Ishte prej themeluesve të KH Vëllaznimit, për të cilën skuadër luajti shumë vjet. Në vitin 1959 si lojtar e si trajner e udhëhoqi Vëllaznimin në kampionatin e parë. E ka udhëhequr skuadrën gjakovare drejt trofeve të shumtë, ndërsa ishte prej iniciatorëve edhe për themelimin e klubit të hendbollit të vajzave Vëllaznimi e më pas edhe të KHF Shqiponja. Ka punuar edhe te KH Deçani. Një personalitet i respektuar nga të gjithë dhe punëtor i palodhshëm, profesor Berisha ishte edhe selektor i Kosovës dhe trajner i grupmoshave të reja. Ishte edhe në këshille profesionale në nivelin e dikurshëm federativ dhe në nivel të Kosovës, e po ashtu kryetar i Shoqatës së Trajnerëve. I ndjeri ishte autor i shumë librave dhe po ashtu ishte nderuar me çmime e mirënjohje të ndryshme për kontributin e madh në sport dhe edukim fizik.

Në emër të Federatës së Hendbollit të Kosovës dhe komunitetit të hendbollit në vendin tonë, presidenti Edin Kolgeci i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së nderuar Berisha.