Fillimisht kryetarja Mimoza Kusari Lila tha se që në nismë të projektit të fundit në këtë kompleks ka pasur keqpërdorime, duke lënë si trashëgim borxhe, projekte të mangëta, shkelje të proceseve, nismë pa projekt, pa leje, pa mjete të zotuara dhe se shprehet habi se përse ende nuk ka pasoja ligjore.
Ajo tha se Çarshia e madhe është pikë fokusimi si zonë turistike me trashëgimi kulturore-historike, përkundër disa pohimeve nuk e ka ndërmend të mbyllë kafeteritë porse të stimulojë zanatlinjtë, pastaj që të jetë një pikë promovuese si dhe të bëhet rregullimi i hapësirave në këtë çarshi.
Xhelal Hoxha, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit dhe të Mbrojtjes së Mjedisit ka bërë të ditur se është bërë incizimi i punimeve të ekzekutuara nga “Lama e drithit” deri tek objekti i Fakultetit të Edukimit. Ndërkaq, duke dhënë sqarimet e tija për shfrytëzimin e hapësirave publike prej bizneseve të hotelerisë që kanë filluar së funksionalizuari, ka pohuar se sipas rregullores nuk lejohet që Komuna të mundësojë një shfrytëzim të tillë. Më pas, ai ka thënë se aktualisht në këtë pjesë të çarshisë duhet të mundësohet qasja emergjente për zjarrfikës dhe ambulanca ku nevojitet hapësirë prej 3.20 metrave. Gjithashtu, nga Hoxha është dhënë edhe sqarimi për lirimin e hyrje-daljeve për katër familje si banorë rezident.
Pjesëmarrësit në debat kryesisht kanë vënë në pah këto probleme të theksuara për rivitalizimin dhe funksionimin e “Çarshisë së Madhe”, dhe duke u shprehur konsideratat ndaj gjithë atyre që kanë shfaqur vërejtjet, ankesat dhe kërkesat e tyre ka ardhur deri te themelimi i grupit punues, me mundësi zgjerimi në numër për të sjellur sa më shumë ide , i cili do të mblidhet që në javën e ardhshme.
Në grupin punues do të jenë të përfshirë përfaqësuesit e Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik, Drejtorisë së Urbanizmit dhe të Mbrojtjes së Mjedisit, Qendrës për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore Historike si dhe Enver Pula, banor rezident, Mon Zhubi, përfaqësues i pronarëve të objekteve, Ali Haraqia si përfaqësues i artizanateve dhe Lum Hoxha, si përfaqësues i bizneseve që aktualisht ushtrojnë veprimtarinë e tyre.