Ka ndërruar jetë veprimtari dhe atdhetari gjakovar, ish i burgosur politik, filmbërës dhe piktor i njohur Mentor Kaçi. Lajmi është bërë i ditur nga familjarët. Mentor Kaçi i takon gjeneratës së hershme të intelektualëve shqiptarë që tërë kapacitetin e tyre e vunë në shërbim të lirisë së Atdheut. Një ndër themeluesit dhe udhëheqësit e Frontit për Rezistencë dhe Bashkim Kombëtar, Mentori ishte në ballë të aktiviteteve politike dhe organizimit të rezistencës kundër regjimit jugosllav. Represioni nga shteti jugosllav, Mentorin nuk e sprapsi asnjëherë. Edhe nga burgu, që e përjetoi disa herë, përmes pikturës, ai shikoi përtej mureve të burgut, duke shprehur ndjenjat dhe shpirtin e tij liridashës. Pasionin e tij për artin e vazhdoi deri në vdekje në shtëpinë e tij, që dikur ishte kthyer në adresë për shumë veprimtarë politikë. Në respekt të angazhimit të tij jetësor për lirinë e Atdheut, në gusht të vitit 2024, Mentor Kaçit iu nda mirënjohje “Me besim në Zot, Atdhe e Shtet’ nga lideri i AAK-së Ramush Haradinaj’.
Ndërkaq kryeministri Kosovës Albin Kurti gjatë një vizite te Mentor Kaçi, kishte dhënë vlerësime të larta për kontributine tij. “Ish i burgosur politik, filmbërës dhe piktor i njohur. Dy herë i burgosur për idealet e lirisë – në vitin 1981 për pesë vjet dhe në vitin 1991 për shtatë vjet. Ai bashkë me shokë tjerë i qepën uniformat e para të Ushtrisë së Kosovës. Veprimtaria e tij si artist dhe aktivist dëshmon lidhjen e fortë mes krijimtarisë artistike dhe përkushtimit kombëtar”, kishte thënë Kurti.Varrimi i të ndjerit Mentor Kaçi bëhet të shtunën, më 28 shkurt 2026, në ora 13:00, në varrezat e qytetit në Gjakovë.
