Gjakova ka kaluar një 24 orësh të vështirë pasi shumë zona ishin përmbytur nga vërshimet e rrëmbyeshme të lumenjve. Sot gjendja tregohet më e qetë pasi lumenjtë kanë filluar të zbresin në shtreterit e tyre. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar të mërkuren, Gjakovën pas vërshimeve të ditëve të fundit, ku ka shprehur solidaritet me qytetarët dhe ka vlerësuar angazhimin institucional për menaxhimin e situatës.
“Sot ishim këtu së bashku me ekipin tonë për të shprehur solidaritetin me të gjithë qytetarët e Gjakovës, me komunën e Gjakovës, për shkak të dëmeve të krijuara nga vërshimet e djeshme. Fatmirësisht, ato pak a shumë janë ndalur dhe po shpresojmë që nuk nuk do të ketë dëme të mëtejme, por dua t’i falenderoj të gjitha institucionet që janë angazhuar pa ndalë, nga kryetari i komunës dhe të gjitha institucionet lokale tek institucionet qendrore, agjencitë e emergjencave, organet e rendit dhe secilin qytetar që ka treguar solidaritet në mënyrë që kjo gjendje të tejkalohet më me lehtësi”, tha Osmani, njohton Kosovapress. Ajo shtoi se ka familje të prekura nga kjo situatë dhe se institucionet do të jenë pranë tyre.

“Së bashku vizituam lagjen Dardania, një nga zonat më të goditura nga vërshimet, ku ishte e domosdoshme evakuimi i disa familjeve, si dhe banesat sociale ku janë strehuar përkohësisht familjet e evakuuara. Ekipet tona janë në terren, pranë qytetarëve dhe të vendosura për të vepruar me përgjegjësi deri në tejkalimin e plotë të situates” ka thënë Gjini.
“Po, kemi pasur disa evakuime, i kemi vendosur në objektet tona të banimit social. Ka familjarë të cilët i kanë marrë të afërmit e vet nëpër shtëpitë e tyre. Jemi kujdesur deri sot për ushqim, një pjesë edhe për veshmbathje”, u shpreh ai.
Sipas tij, nga dita e enjte do të filloi procesi zyrtar i vlerësimit të dëmeve.