Shënohet 40 vjetori i Hidrosistemit Radoniqi
Në ditën e sotme, 20 Gusht, para 40 vitesh nëpër krojet e qytetarëve të Gjakovës filloi të rrjedhë uji i pijes nga Liqeni Radoniqi. Ishte një nga ditët më të lumtura sepse po shuhej etja me të cilën atë kohë ballafaqohej popullata e Gjakovës. Deri atëherë Gjakova, pos puseve vetanake furnizohej nga burimi i Junikut që rridhte me 20 litra ujë në sekondë nga baseni në Kodër të Çabratit. Pas 40 vitesh sot KRU Gjakova ka kapacitet prodhues në 1 mijë litra në sekondë dhe furnizon një pjesë të Dukagjinit me 51 mijë konsumator apo rreth 230 mijë banorë të Gjakovës, Rahovecit dhe të disa fshatrave të Prizrenit..
Hidrosistemi “Radoniqi”, si projekt i nisur nga një grup entuziastësh, sot është ndër Kompanitë e shërbimeve publike të ujësjellësit dhe kanalizimit të ujërave të zeza më të madha në rajon, me zonën më të madhe të shërbimit dhe ndoshta me shërbimin më të mirë ndaj konsumatorëve. Shërbimet e kësaj kompanie nuk janë ndërprerë as për një çast të vetëm që nga inaugurimi i sistemit madje as në kohë të luftës, që tregon një përkushtim të pamohueshëm të menaxhmentit dhe punëtorëve të vet për ofrimin e shërbimeve.
Për sukseset në këto 40 vite u fol të mërkurën në mbrëmje, kur kryeshefi ekzekutiv Hasan Krasniqi, pasi i bëri një vështrim këtij rrugëtimi, falënderoj të gjithë ata që kontribuuan në sukseset e Kompanisë së ujësjellësit që nga nismëtaret e projektit, realizuesit, stafet drejtuese dhe punëtoret e kompanisë.
Edona Bajqinca, zyrtare e Ministrisë së Ekonomisë, në emër të ministres në detyrë Artane Rizvanolli përgëzoi KRU Gjakova, për arritjet e deritashme dhe premtoj mbështetje të vazhdueshme të projekteve të ardhshme në furnizimin e banorëve me ujë të pijes.
Kryetari Komunës Ardian Gjini pos tjerash tha se , “Një vepër e tillë, që lirisht mund të themi se është aset nacional i vendit tonë, është edhe Liqeni i Radoniqit. Sot me shumë kënaqësi po e shënojmë 40 vjetorin e ndërtimit të këtij gjigandi strategjik. Pa këtë aset, sot Gjakova nuk do të ishte në mesin e pak qyteteve që e kanë të siguruar jo vetëm ujit e pijes por edhe atë të ujitjes.
Në shënimin e 40 vjetorit të themelimit, u bë edhe promovimi i librit “Historiku i liqenit të Radoniqit 1978-1985 me autore gjeodeten e parë të kompanisë, Afijete Deva Sefa..