Të enjten, tri orë pa ujë gati gjysma e Gjakoves
Në kuadër të punimeve që po realizohen në bazë të projektit në rrugën Tranzite, për përmirësimin dhe zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit, KRU Gjakova ka bërë me dije se neser, (e enjte, 18 Dhjetor)) nga ora 09:00 deri në 12:00 një pjesë e madhe e qytetit do të mbetet pa furnizim me ujë të pijes.
Pas vendosjes së shumicës së pjesëve lidhëse, punimet kanë arritur në fazën kur është e domosdoshme vendosja e dy pjesëve fazonike për kyçjen/degëzimin e gypit Ø 800 mm për drejtimin Gjakova 2 si dhe degëzimin për qendrën e qytetit.
“Ky intervenim kërkon ndaljen totale të rrjedhës së ujit në këtë pjesë të rrjetit, me qëllim që punimet të realizohen në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar. Duke marrë parasysh rëndësinë dhe kompleksitetin e kësaj lidhjeje, ndërhyrja nuk mund të kryhet pa ndërprerjen e përkohshme të furnizimit me ujë. Zonat që do të preken nga ndërprerja: Rruga Tranzite, Qendra e qytetit, Blloku i Ri, Orize, Brekoc, si dhe fshatrat Moglicë dhe Firzë”, kanë thënë në KRU Gjakova.
Në sqarimin rreth punimeve në rreth-rrotullimin në rrugën Tranzite – Gjakovë KRU Gjakova ka thwnw se, qëllimi i këtyre punimeve është ndërrimi i pjesëve fazonike dhe gypave të azbestit, mbi 40 vjet të vjetër, dhe zëvendësimi i tyre me pjesë të reja. Ky intervenim do të shërbejë për përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së furnizimit me ujë për banorët e qytetit të Gjakovës.
Vlera totale e këtij projekti është 1 milion e 10 mijë euro, në kuadër të bashkëfinancimit me Komunën e Gjakovës, ku KRU “Gjakova” ka participuar me 250 mijë euro.
Punimet po kryhen në kushte jo të favorshme klimatike dhe me probleme teknike që shpeshherë dalin të paparashikuara.
Megjithatë, këto ndërhyrje janë të domosdoshme dhe po realizohen në interes të përgjithshëm, me qëllim sigurimin e një furnizimi më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe cilësor me ujë për banorët e qytetit të Gjakovës.
Ky investim është në të mirë të qytetarëve dhe të ardhmes së furnizimit me ujë.

