Sezonet e errëta duket se po marrin fund për Vëllaznimin. Klubi gjakovar është organizuar nga të gjitha anët, me qëllim rikthimin në Superligë pas disa sezoneve që i kaloi në Ligën e Parë. Kuqezinjtë po e dominojnë këtë ligë, duke prirë në tabelë me 23 pikë nga 10 ndeshje, prej tyre 7 fitore, 2 barazime e 1 humbje, shkruan gazeta Zëri me autor Moral Pozhegu.
Trajneri Arsim Gojani me stafin e tij e kanë komponuar një skuadër solide, me të cilën synon që ta rikthejë ekipin gjakovar në Superligë, aty ku me siguri e dëshirojnë edhe tifozët e qyteteve tjera.
“Disponimi tek lojtarët është shumë i mirë. E tillë është edhe atmosfera në klub. Ky sukses i deritashëm nuk është i rastësishëm, pasi kemi filluar të punojmë me këta djelmosha prej korrikut të vitit të kaluar. Sezoni i kaluar na ka shërbyer si përvojë, pasi e kishim një moshë mesatare prej 21,3 vjet dhe në momentet kyçe, kur duhej ta merrnin përgjegjësinë, u mungonte përvoja”, thotë fillimisht Gojani.
Vëllaznimi e mposhti të mërkurën Vitinë 3:1, duke kaluar në fazën tjetër të Kupës së Kosovës dhe Gojani thotë se gjakovarët do të mundohen të luftojnë në të dyja frontet sa të munden, por nuk e fsheh faktin se Vëllaznimi është i fokusuar më shumë në rikthimin në Superligë.
Ndër të tjera, ai e sheh të udhës të ceket edhe nevoja e madhe që ka klubi për ndihmë, pasi kryetari i klubit, Shkëlzen Gashi, nuk mund t’i heqë të gjitha shpenzimet i vetëm, ngase klubi nuk është i privatizuar.
Andaj, Gojani i ka ftuar sponsorët, bizneset e mbi të gjitha Kuvendin e Komunës së Gjakovës që ta ndihmojnë sa më shumë klubin e Vëllaznimit, përcjellë Zëri.
Trajneri i ri gjakovar tregon se Vëllaznimi ka nevojë për përforcime gjatë janarit, pasi ka fond jo të mjaftueshëm të lojtarëve dhe është i bindur se Kuqezinjtë do të përforcohen, pasi pranvera do të jetë edhe më e vështirë për ta.
Gojani e ka falënderuar kryetarin Shkëlzen Gashi, i cili, sipas tij, po kontribuon për Vëllaznimin pa përfituar asgjë, vetëm për ta ndihmuar klubin e zemrës.
Ndërkohë, Gojani, ish-futbollist i njohur kosovar, i ka falënderuar edhe anëtarët tjerë të kryesisë, por edhe të tjerët që nuk janë pjesë e kryesisë, ish-futbollistë të klubit, që po kontribuojnë me të madhe, po ashtu edhe 12 trajnerët e grupmoshave të reja, si dhe tifozët gjakovarë, që bashkërisht po kontribuojnë në rikthimin e Vëllaznimit në Superligë.
“Vëllaznimi është ushqim shpirtëror i gjakovarëve, po mundohemi t’ua sjellim disa çaste të mira atyre pas problemeve që kanë dhe vuajtjeve që kanë përjetuar”, ka thënë në fund Gojani, i cili ceku se futbollistët po i marrin pagat me rregull çdo muaj.