Saturday, April 27, 2024
Aktuale

Ambasadorët interesohen për të kaluaren e Gjakoves

Çarshia e Madhe e Gjakovës, ndër më të mëdhat në Ballkan, të shtunën ishte pikë intersimi nga mysafir të lartë. Me organizimin e Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë, trembëdhjetë ambasadorë të vendeve të ndryshme të botës kanë qëndruar sot në Gjakovë.
Ata janë pritur nga kryetari i komunës, Ardian Gjini, me të cilin kanë vizituar pjesën e vjetër të qytetit të Gjakovës dhe monumente historike të këtij qyteti.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tha se ky organizim është bërë për të njohur Kosovën më mirë, meqë ka qenë një dëshirë e ambasadorëve që të vizitojnë Gjakovën.
“Është thjeshtë për të njohur Kosovën, ka pasur një dëshirë që është diskutuar shpesh herë në mes të ambasadorëve dhe morëm këtë iniciativë, natyrisht në bashkëpunim të plotë me kryetarin e komunës, me të cilin kemi biseduar prej kohësh për të organizuar këtë dhe siç po e shikoni ambasadorët ndjehen shumë të kënaqur që vinë në Gjakovë, në këtë qytet historik, qytet me vlera mbarë kombëtare”, tha ambasadori Minxhozi.
E kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini tha se kanë marrëdhënie të mira me të gjitha përfaqësitë diplomatike në Kosovë. Ai u përkujdes që t’i informojë ambasadorët për kulturën, traditën, objektet e trashëgimisë kulturore në Çarshinë e Madhe si dhe për disa projekte që janë në fazën e implementimit në këtë zonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *