Gjakova do të jetë qendër e radiostacioneve shqiptare
Gjakova këtë javë do të jetë qendër e radiostacioneve të Kosovës, Shqipërisë dhe viseve tjera. Radio Gjakova për herë të 14-të, e mban manifestimin tradicional të radiove, Radiofest 2023, ku do të prezantohen krijimet radiofonike në reportazhë, raporte radiofonike dhe spote publicitare. Qëllimi i organizimit të këtij manifestimi unik jo vetëm në vendin tonë është që, duke nxitur krijimtarinë e re radiofonike të punëtorëve të këtyre mediumeve, të avancoj rezultatet në fushën e radiofonisë. Në manifestimin e sivjetëm marrin pjesë radiot nga: Tirana, Prishtiuna, Peja, Gjirokastra, Klina, Vlora, Mitrovica, Fieri, Presheva, Ferizaj, Lushnja, Gjakova, Dragashi, Struga , Shkodra, Elbasani, Podujeva, Korca, e qendrat tjera.
Gjatë gjithë javës në valët e Radio Gjakovës po transmetohen punimet e arritura në Radiofest 2023, ndërsa Juria e festivalit do të shpall të shtunën mbrëma punimet fituese dhe zërin më të mirë radiofonik. Radiofest, manifestimin qendror të shpalljes së fituesve do ta organizoj në shkollën e muzikës Prenk Jakova, shoqëruar me një program artistik, ku do të prezantohet Kori i grave dhe vajzave Besa, nën drejtimin e profesoreshes Klodina Kryeziu Hana, dhe mysafir të tjerë.
Radiofest këtë herë është mbështetur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sporte e Gjakovës.