Në 21 vjetorin e vrasjes së këngëtarit të shquar Esat Bicurri
Krijimtaria e suksesshme interpretative, koncertet, festivalet dhe duartrokitjet e ngrohta që mori gjithandej trojeve shqiptare ku u dëgjua zëri i Esat Bicurrit, u ndalua nga kriminelët serb, në ditën e sotme me 7 Maj para 21 viteve, tek Ura e Taliqit ku u ekzekutua së bashku me shumë bashkëqytetarë të tjerë.
E vranë fizikisht, por, zërin karakteristik dhe këngën e tij të incizuar, kurr nuk do ta ndalojnë. Kënga e Esat Bicurrit do të jehoi gjithnjë.
Esat Bicurri është këngëtar i njohur. Kujt nuk i kujtohet kënga fituese me “Okarinë të Artë” në “Akordet e Kosovës” – “E kujtoj atë takim?”, por edhe këngët e tjera, si: “Eja e bardha verë”, “Një lulishte me trëndafila”, “S’ka më të bukur se pranvera”, e shumë të tjera.
Ai pas një pune të gjatë hulumtuese dhe pas një përkushtimi për të nxjerrë në dritë krijimtarinë artistike muzikore të trevës së Gjakovës, botoi edhe 2 libra me vlera të mëdha për trashëgiminë tonë kulturore, “Një këllëf me ar ta çova” dhe “Ahengu gjakovar në shekuj”. Këto janë dy vepra të rëndësishme që prezantojnë breza të tërë krijuesish e solistësh gjakovarë në shekuj e që do të shërbejnë për historikun e kulturës muzikore në qytetin tonë.
Esat Bicurri, ka lënë pas vetes shumë këngë popullore të interpretuara, të cilat gjenden të shpërndara në arkiva të ndryshme të ish RTP-së, RTVSH, Radio Gjakovës e tj.
Kosovës do ti mungojë përherë doajeni i muzikës popullore Esat Bicurri, i cili do të mbahet mend përherë për zërin e tij karakteristik. Esat Bicurri ishte dhe do jetë gjithmonë në zemrat tona.
Ministria e Kulturës së Kosovës krijoi një çmim kombëtar të quajtur Esat Bicurri për përsosmëri në muzikën popullore qytetare.