Wednesday, April 3, 2024
Sporti

Pas Prizrenit, Prishtinës dhe Pejës, në Gjakovë pritet të “bie” edhe Rahoveci!

Basketbollistët e Vëllaznimit janë para një derbi të vërtetë. Të mërkurën, prej orës 15.00, në Pallatin e Sporteve në Gjakovë  presin Rahovecin, njërën nga skuadrat cilësore të elitës së basketbollit të Kosovës. Anipse anëtar i ri i kësaj elite, KB Vëllaznimi, ka krijuar një ekip cilësorë që po i prin trajneri maqedonas Ljupco Malinkov dhe ndihmësit e tij, Shkumbin Kumnova dhe Valon Tanushi.

Puna profesionale e shtabit teknik dhe ushtrimet e palodhshme të basketbollistëve, kanë reflektuar me sukses në vazhdimësi të garave. KB Vëllaznimi në këtë pjesë të garave ka mposhtur Bashkimin, Sigal Prishtinën dhe së fundi edhe Pejën , kryesuesen e tabelës.  Lojëra të mira ka treguar edhe me ekipet tjera, porse edhe fati nuk ishte në anën e tyre.

 Kastriot Zherka, kryetar i klubit gjakovar të basketbollit ,  ka thënë se përkundër sukseseve të deritashme, ne punojmë në vazhdimësi për një periudhë afatgjate.

“Nuk na merr euforia, por “shkelim me këmbë në tokë”. Konkurrenca është e madhe. Ne me organizimin e mirë në klub po ia bëjmë “hyzmetin” rezultateve”, ka thënë Zherka.

Edhe kryetrajneri  Malinkov para ndeshjes së nesërme është i matur në deklarata.

“Jam i kënaqur me fitoret e fundit. Djelmoshat luajtën mirë posaçërisht me Sigal Prishtinën dhe Pejën. Kështu do të luajmë edhe ndaj Rahovecit, që në formacion ka basketbollistë shumë cilësorë.”, ka thënë Malinkov.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *