Tuesday, April 2, 2024
Kulturë

Shuhet edhe një zeje e rrallë

Qyteti i Gjakovës,  i njohur për numrin e madh të zejeve, të cilat kryesisht ishin ushtruar në Çarshinë e madhe, nga viti në vit ka mbetur pa shumë zeje. Sëfundmi ka ngelur edhe pa një zeje të rrallë, balsamues i kafshëve dhe shpezëve. I vetmi zejtar që e ka kultivuar këtë zeje, në dyqanin e tij , skaj Urës së Taliqit, Selami Grezda, ditë më parë, në moshën 80 vjeçare ka ndërruar jetë.(15.12.1940 – 23.06.2020). Me vdekjen e dervish Selamiut, është shuar edhe zeja.

Për ta kujtuar këtë mjeshtër të rrallë, po e botojmë një shkrim të botuar në Gjakovapress,  para 8 vitesh

 Selami Grezda : Zeje të rralla- Balsamimi i kafshëve dhe shpezëve

MAGJIA E KAFSHËVE DHE SHPEZËVE

Sapo të kalosh Urën e vjetër të Taliqit në Gjakovë, në krahun e djathtë, në një këndë takon një botë interesante të kafshëve të balsamosura që ngjasojnë si të jenë të gjalla. Janë ujqër e dhelpra si dhe shumë kafshë e shpezë të tjera që janë balsamuar nga mjeshtri i kësaj zeje të rrallë tek ne. Është ky Selami Grezda, 72 vjeçar që këtë zeje e vazhdon si hobi në jetën e tij. Gjakova është qytet që tradicionalisht ka kultivuar me dhjetëra e dhjetëra zeje të vjetra, por që kjo zeje I bashkohet këtij vistri të gjerë që edhe në ditët e sotme po kultivohet.

“Së pari bëhet trajtimi me kimikale- pluhurosje me arsen dhe premelin, pastaj lahet mirë dhe faza e tretë është terja. Pas këtyre operacioneve pason ndërtimi i koshit nga thuprat metalike dhe faza përfundimtare është ajo e dhënies së formës së kafshës apo shpendit” shpjegon mjeshtri Selami

Një botë magjike e kafshëve të egra e të buta, të shpezëve të rralla që rriten në shpatit e shkrepa të Kosovës, gjenden në dyqanin e tij. Ka ujqër, dhelpra, lejlek, dele, qengja, derra të egjër, arinj, gomarë, mëz kali e tj. Ka edhe shqiponjë që me dëshirë të madhe, shumë adhurues të kësaj bote kanë dëshirë ta kenë në ambientet familjare apo në restauronte dhe ambiente tjera pune.

Në dyqan e takojmë mjeshtrin Selami tek prêt myshterinjtë që vijnë të sjellin kafshët për ti balsamuar apo edhe për të blerë ato që i ka të ekspozuara në dyqanin e tij të vogël. Mes lokalit e ka shtrirë një lëkurë ariu të zi që të zgjon kureshtjen për nga madhësia por edhe fytyra e tij, si të jetë e gjallë.

Vijnë nga e gjithë Kosova dhe Shqipëria për ti balsamosur kafshët dhe shpezët që ata I sjellin. Ka nga të gjitha llojet prej të cilave mundë të bëhen edhe “pastaqi”(shtroje për oda burra) nga lëkura e deleve, qengjave e deshve të mëdhenj.

E pyesim për këtë hobi e ai na thotë se këtë zeje e ushtron që 25 vite me radhë pa u ndarë hiq.

“E dua këtë këtë zanat të mundimshëm sepse e dua botën e kafshëve dhe shpezëve me gjithë bukurinë e vet që kanë ato” thotë Selamiu duke treguar se kohëve të fundit ka një interesim më të madh të adhuruesve të kafshëve dhe shpezëve që këto ti kenë në ambientet e veta.

“Më tepër janë të interesuar pronarët e lokaleve hoteliere që dëshirojnë që si dekor ti kenë këto kafshë të balsamosur”, tregon ai duke dëshmuar se procesi I balsamimit është mjaft I rëndë dhe I  mundimshëm. Sipas tij, kjo zeje ka të bëjë me kimikale të ndryshme dhe me afatin e shkurtër të punimit të lëkurave dhe shpezëve.

“Poçese kalojnë më shumë se dy ditë nga gjuajtja e kafshëve dhe shpezëve, ato dëmtohen dhe nuk mundë të balsamosen sepse ndoten shumë shpejtë nga dëmtuesit” thotë Selamiu.

Ai shpjegon procesin e balsamimit që shoqërohet me më shumë se pesë faza të punës.

“Së pari bëhet trajtimi me kimikale- pluhurosje me “arsen” dhe “premelin”, pastaj lahet mirë dhe faza e tretë është terja. Pas këtyre operacioneve pason ndërtimi i koshit nga thuprat metalike dhe faza përfundimtare është ajo e dhënies së formës së kafshës apo shpendit” shpjegon mjeshtri Selami .

Në punën e gjatë në këtë zanat ai kujton punë të rëndësishme dhe me vlerë që ka bërë në balsamimin e shumë kafshëve dhe shpezëve. I kujtohet një ari I madh dhe I zi “Grizli” I cili ishte I dimensioneve të mëdha dhe paraqiste një kuriozitet të rrallë për gjithë vizitorët.

Mirëpo kafshët dhe shpezët e balsamosura duhet të kenë edhe trajtim tjetër në vazhdimësi për të qenë të padëmtuar. Sipas mjeshtrit, këto rrezikohen më shumti nga  dëmtuesit e njohur në popull si “tija”, prandaj duhet të pastrohen dhe spërkaten me preparate kundër mizave, për të pasur një qëndrueshmëri afatgjate.

Edhepse i vështirë ky zanat, Selamiu e kultivon me një zell të veçantë duke u kujdesur që edhe në këtë moshë të zgjerojë veprimtarinë e vet, duke aplikuar edhe pajisje tjera moderne.

“Po të kisha një mbështetje në forma të ndryshme, si përshembull me kredi apo ndonjë donacion tjetër do të kisha blerë pajisje më moderne për këtë zanat” thotë Selamiu. Atij i vjen “gjynah” që kjo zeje po humbet, për faktin se në qytetin e Gjakovës e kultivon vetëm ai, ndërsa ka të rrallë edhe në Prizren, Pejë e gjetiu.

Ndahemi nga ky mjeshtër i rrallë që me gjithë shpirt e kultivon këtë botë të magjishme të kafshëve dhe shpezëve të balsamosura, që ngjasojnë sikur të jenë të gjalla, me dëshirën që synimet e tij, për zgjerimin e veprimtarisë së kësaj zeje,  të jetësohen me mbështetjen e miqve, ndërsa adhuruesve dhe kureshtarëve të shumtë t ‘ju mundësohet që nga afër të njohin kafshët dhe shpezët e  rralla, që i balsamos mjeshtri Selami Grezda.( Gjakovapress, 2012)

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *