Vedat Krasniqi, rrëmben vendin e parë në Kërcimet dallëndyshe nga Ura e Fshenjt
Kanioni I Drinit të bardhë tek Ura e Fshenjt të dielën ishte qendër takimi për shumë garues e adhurues të kërcimeve atraktive nga lartësitë, të ujit e notit, diellit e muzikës dhe natyrës së bukur që ofron kjo zonë
Garën e hapi kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i cili e konsideroi këtë si një ngjarje shumë të rëndësishme për qytetin që ai e udhëheq dhe tërë Kosovën.
Pjesë e hapjes së kësaj gare ishte dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Burbuqe Bakija-Deva, e cila tha se kjo garë është më atraktive në Kosovë dhe se do të vazhdojnë ta përkrahin financiarisht.
Kërcimet u zhvilluan nga kërcimorja 13 metershe dhe nga Ura e lartë mbi 18metra në dy disiplina: në këmbë dhe në stilin dallëndyshe.
Me 60 poenë maksimal që I ndau juria, fitues I vendit të parë në stilin dallëndyshe u shpall I riu nga Xërxa e Rahovecit, Vedat Krasniqi. Pos poenëve maksimal të jurisë, Vedati mori duartrokitje të gjata nga shikuesit.
“Kjo është kënaqësia ime më e madhe. Kur të vlerëson publiku. Për këtë unë jam I lumtur”, tha pas garës Krasniqi, 21 vjeçar
Vendi I dytë I takoi Nderim Currit, ndërsa I treti Nasib Krasniqit..
Atraksion të vërtetë paraqiten edhe kërcimet akrobatike të Flurid Gashit, Berat Mejzinit dhe Tomor Muses. Ndërkaq e vetmja kërcyese shqiptare që ka sprovuar veten jo vetëm nga Ura e shenjt por edhe nga Ura e Mostarit, Gongje Gjiha-Basha pas shumë vitesh bëri një kërcim të shkëlqyeshëm nga lartësia 10 metra në nderim të gjithë veteranëve të kërcimeve në ujë. Gongjja ka porositur vajzat që ti bashkohen kësaj gare duke qenë pjesë e kërcimeve nga Ura e Fshenjt.
Organizatori ndau kupa e mirënjohje ndërsa fituesi mori edhe 500 euro shpërblim.
Sipas klubit Brigde Divers, që ishte organizator, ky ishte viti I 69 I organizimit të këtyre garave.