Verë në mes të dimrit në Gjakovë
Rrallë kush ka pritur që muaji shkurt do të ketë temperatura të këtilla të ngrohta ku ditët i ngjasojnë fillimit të hershëm të pranverës. Kjo po ngjanë këtyre ditëve, anipse periudha të shkurtra na kanë shoqëruar edhe me shi e borë. Do të dëshironim që këto temperatura të larta deri në 12 gradë celciuz mos ndikojnë tek kulturat bujqësore të mbjella në vjeshtë . Sipas raporteve të fundit të ekspertëve të bujqësisë, gruri është në gjendje të mirë.
Ndryshe, fundjava me mot të kthjellët e me diell në mes të stinës së dimrit është shfrytëzuar maksimalisht nga bashkëqytetarët tanë. Dje në mesditë qendra e qytetit ka qenë e gjallëruar me shëtitor, fëmijë, të rinj, të rritur e pleq që shfrytëzonin kët mot për ti ikur ambienteve të mbyllura e duke uruar periudhë më të gjatë të motit të këtillë. Edhe kompleksi i restauranteve në Kodrën e Cabratit ka qenë i vizituar. Pamja e bukur e qytetit nga lartësia ka tërhequr vizitorët për të kaluar disa orë të këndshme të së dieles. Kurse bukuroshja e natyrës gjakovare, Shkugëza dje ka qenë e vizituar nga mijëra bashkëqytetarë të cilët kanë kaluar çaste të këndshme
në ambientet e bukura mes pishave gjysmë të mbuluara nga bora dhe rrezet e ngrohta të diellit. Duke përjetuar kënaqësinë e bukurive natyrore që ka Gjakova edhe në këtë stinë dimri, do të uronim që të kujdesemi të gjithë për ta mirëmbajtur atë, duke i mbajtur të pastra e gjithnjë të gjelbëruara.(gjakovapress.info