Tuesday, April 28, 2026
Kulturë

Kori “Za art” e fillon mbarë aktivitetin

Skena muzikore e Gjakovës është pasuruar edhe me një grup muzikor. Kori i grave dhe vajzave “Za art” të martën në mbrëmje (28 Prill 2026) shfaqi premierën e koncertit të parë që u mirëprit nga publiku në sallën koncertale të shkollës së muzikës Prenk Jakova. Në repertorin e Korit ishin  këngët e bukura shqipe: “Dëbora zbardhi malet”, “Kur hana del”, “Dua mëngjeset e Maji”, “Ti më je si një gonxhe” e tjera. Ndërkaq me pika solistike u prezantuan edhe anëtaret e Korit, Blerta Nixha, Arta Hasimja, Mërgime Boshnjaku e tj.

Koncerti i Korit Za art  u drejtua  nga sopranoja Elita Hoxha e cila interpretoi edhe këngën Turtuleshë. Pas koncertit ajo u shfaq e lumtur për duartrokitjet dhe lulet që publiku i dhuroi.

“Për një muaj që kemi nisur përgatitjet dhe për kaq pak kohë kemi arritur shumë falë përkushtimit të gjitha anëtareve për çka jam shumë mirënjohëse. Repertori u zgjodh duke ditur shijen e publikut u interpretuan perla të muzikës së mirëfilltë shqipe, dhe për këtë fillim të mbarë të punës sonë, jam shumë e lumtur“, ka thënë Hoxha.

Kore-petitor ishin : Eranda Meka në piano, Olsi Gjoshi-violinë dhe Flamur Boshnjaku në klarinetë. Koncertin e drejtoi Delvina Dylazeka Hajdari.

Të themi se rreth korit Za art,  janë mbledhur vajza e gra të profesioneve dhe moshave të ndryshme  që pasion e kanë muzikën e mirëfilltë shqipe me përvojën nga Kori Besa, ndërkohë     synimi i Korit   është që të ruhet, kultivohet dhe të bartet brez më brez muzika e mirëfilltë shqipe.