Tingujt magjeps të violinës së doajenit të muzikës Xhavit Lota nuk do të jenë më në orkestrat muzikore. Ka ndërruar jetë në moshën 82 vjeçare njëri nga mjeshtrit e violinës dhe mësuesi e edukatori që punoi për 43 vite në arsimin e brezave të rinj.
Xhavit Lota i lindur më 29 prill 1943 në Gjakovë. Rrjedh nga një familje me traditë muzikore. Pas shkollimit fillor tetëvjeçar në vendlindje, regjistrohet në Shkollën e Mesme Normale pesëvjeçare (dega e mësuesisë) në Gjakovë. Dhe pas diplomimit punësohet si mësues – edukator, profesion të cilin e ushtron pandërprerë për 43 vite pune, (1965 – 2008), kur edhe doli në pensionin “e merituar“. E tërë kjo veprimtari prej edukatori u krye në shkollën fillore “Zef L. Marku” në Brekoc dhe shkollën e mesme të ulët “Pjetër Muçaj” në fshatin Guskë për 36 vite, nga ku edhe u pensionua.
