Sunday, May 17, 2026
Aktuale

Ndahet nga jeta, pedagogu dhe veprimtari i shquar i kultures Masar Peja

Në moshën 81 vjeçare ka ndërruar jetë Masar Peja, mësimdhënës, instrumentist, organizator i shumë veprimtarive kulturore e artistike,   ish-drejtor i Pallatit të Kulturës.

“I ndjeri  Masar Peja ishte një figurë e veçantë dhe shumë e respektuar në shkollën “Mazllum Këpuska”, ku për vite me radhë dha kontribut të jashtëzakonshëm si udhëheqës artistik i klubeve të këngëve, valleve dhe instrumentistëve të shkollës. Me përkushtimin, talentin dhe dashurinë e tij për artin dhe edukimin, ai la gjurmë të pashlyeshme ndër gjenerata të tëra nxënësish”, thuhet në njoftimin e shkollës Mazllum Këpuska
Masar Peja ishte një nga figurat më të rëndësishme të kulturës muzikore në Gjakovë. I takon grupit të parë themelues të Shoqërisë Muzikore Hajdar Dushi . Me tingullin e klarinetës i dha ngjyrë të këndshme orketsrit të kësaj shoqërie për shumë vite.

Pos si pedagog ai  kompozoi këngë të bukura duke  u vlerësuan në festivale muzikore  ndërsa në vitet e fundit deri në pensionim ishte drejtor shumëvjeçar i Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”. Ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në edukimin dhe promovimin e brezave të rinj të artistëve.

Për dekada me radhë, Masar Peja udhëhoqi aktivitete kulturore, festivale dhe ansamble artistike, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën kulturore të Gjakovës dhe më gjerë. Ai punoi dhe udhëhoqi veprimtari kulturo-artistike edhe në një periudhë shumë të vështirë para Luftës në Kosovë, në rrethana kur krijimtaria artistike shqipe rrezikohej nga pushteti i atëhershëm serb. Puna e tij mbetet frymëzim për shumë artistë.

Varrimi i të ndjerit Masar Peja bëhet të hënën, më 18 Maj 2026,  në ora 14:00. Mbledhja komemorative mbahet në ora 12:00 në Pallatin e Kultures “Asim Vokshi”.